Google ADS

Legalizimi i ndërtimeve pa leje, bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Kadastrës arrijnë marrëveshje bashkëpunimi

08:59 | 9 Tetor 2024
K.B

Bashkia e Tiranës është e para që jep dritën jeshile të bashkëpunimit me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për të përfunduar me prioritet procedurat e legalizimit. Pak kohë më parë qeveria shqiptare vendosi përfshirjen e bashkive në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje për të ndihmuar qytetarët në përshpejtimin e këtij procesi kompleks.

Këshilli Bashkiak, pa votat e opozitës, miratoi dje marrëveshjen që do të ndihmojë qytetarët që kanë ndërtime pa leje, duke mundësuar zgjidhjen më të shpejtë të kërkesave për legalizim, veçanërisht në zonat me prioritet zhvillimi urban dhe zonat informale të banimit. Ky bashkëpunim institucional përfshin ndarjen e informacioneve, identifikimin e blloqeve gjeografike dhe hartimin e planeve të punës për një proces më të strukturuar dhe efikas.

“Ne kemi marrë një vendim sot që, në fakt i përgjigjet vendimit të madh që ka marrë qeveria, për t’i transferuar bashkive një pjesë për legalizimet e mbetura. Pra, të këtyre anomalive që kanë ngelur ndër vite. Kjo nuk do të zëvendësojë ASHK. Përkundrazi, ajo që ne kemi kaluar sot është një marrëveshje midis Bashkisë së Tiranës dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që Bashkia në të 27 njësitë vendore të vetat, të ketë një zyrë që ndihmon qytetarët dhe kategorizon këto lloj anomalish që kanë ngelur ende pa legalizuar. Besoj se është një lajm i shkëlqyer. Edhe ata që janë në zona rurale, që deri dje mund të kishin disa pengesa ligjore që sot janë lehtësuar dhe nuk hyjnë tek kategoria që prish punë në infrastrukturën e madhe jetike të qytetit. Ky është një lajm shumë i mirë për të mbyllur edhe epilogun e legalizimeve në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj./abcnews.al

Të ngjashme