Breshëritë e plumbave mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala, opozita i lidhi menjëherë me disa lajme që ajo publikoi dy javë më parë. Bëhet fjalë për përgjimet e bisedave mes deputetit socialist të Durrësit, Jurgis Çyrbja dhe Gilmando Danit, njërit prej të akuzuarve si pjesë bandës së Emiljano Shullazit.
Para se të zgjidhej deputet, Jurgis Çyrbja drejtonte Hipotekën e Durrësit. Gjatë asaj kohe, ai u përfshi në një histori shantazhi, kërcënimesh, manipulimesh dhe presionesh, pjesë e së cilës janë disa nga bandat më të rrezikshme në Tiranë dhe Durrës.
Eshtë historia e Hotel Vollgës, për të cilën Emiljano Shullazi po gjykohet në Gjykatën e Tiranës.
Vetë Jurgis Çyrbja ka pranuar se firmosi kalimin e një pjese të Hotel Vollgës në pronësi të Emiljano Shullazit, në formën e një dhurate nga biznesmeni Ylvi Beqja.
Lajmet që publikoi gazetarja Klodiana Lala kishin të bënin me disa sekuenca përgjimesh, që implikojnë rëndë deputetin e Partisë Socialiste.
Lala raportoi se në shkurt të vitit 2016, Çyrbja u mor në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për çështjen e Hotel Vollgës. Por sapo doli nga godina e prokurorisë, Çyrbja i telefonon Gilmando Danit, personazh i njohur i botës së krimit, mik i Emiljano Shullazit, i akuzuar si bashkëpuntor në shantazhe dhe veprimtari kriminale.
Fjalët që Çyrbja shkëmbeu me Gilmando Danin janë pak, por gjithsesi një dëshmi e fortë për natyrën e marrëdhënies së deputetit socialist me këta persona.
“E kemi keq punën. Lidhet me detyrën time”, thotë socialisti durrsak në përgjimet që publikoi gazetarja.
Vini re se Çyrbja nuk shprehet “E kam keq punën”. As nuk thotë “E keni keq punën”, por ai flet në vetën e parë shumës, “(NE) e kemi keq punën”, njësoj sikur të ishte pjesë e grupit.
Përgjimet që publikoi gazetarja Klodiana Lala rikthyen vëmëndjen e opinionit publik tek kjo çështje në një moment delikat. Emiljano Shullazi dhe anëtarët e tjerë të akuzuar, presin pretencën e prokurorisë në 11 shtator dhe seanca është shtyrë 5 herë rresht.
Procesi ka qenë nën vëmendjen e posaçme të ambasadës amerikane dhe përfshirja direkte e një deputeti socialist e ka shtuar rëndësinë e gjykimit.
A është ky përgjim, që ka provokuar breshëritë e plumbave në shtëpinë e gazetares?
Ky version mbështetet nga opozita, por mbetet një mister që mund të zgjidhet vetëm nga policia dhe prokuroria. Vetë gazetarja nuk lë asnjë shteg për opsionin e konflikteve personale.
“Duke i lënë institucionet të bëjnë punën e tyre, ju siguroj se unë dhe familjarët e mi, nuk kemi asnjë konflikt personal. Dyshoj se sulmi vjen si rezultat i punës time si gazetare” është shprehur ajo.
Kur gazetarja publikoi përgjimet në gusht, deputeti socialist nuk sqaroi qartë përfshirjen e tij në këtë histori.
“Gjithçka pretendohet sot i kam sqaruar në prokurori dhe në dëshminë time përpara organeve të drejtësië më shumë se një vit më parë” ka thënë Çyrbja.
Më shumë mbi përfshirjen e tij në këtë histori, deputeti ka treguar kur ka qenë dëshmitar në gjyqin e bandës së Shullazit.
Ai ka treguar se kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, Shullazi i kishte ardhur pranë shtëpisë në Shijak për ta takuar bashkë me biznesmenin Ylvi Beqja. Shullazi e ka pyetur nëse ishte i gatshëm ta regjistronte pronën në emër të tij në formën e një durate dhe përgjigjia sipas Çyrbes kishte qenë se ai do të zbatonte ligjin.
Më pas, ka firmosur për kalimin e 30% të pronës në emër të Shullazit.
Kalimi i pronës nuk ka kaluar pa probleme për socialistin e Durrësit. Në dëshminë që dha në prokurori, Drejtorsha Juridike e Hipotekave, Merita Qato ka thënë se Jurgis Çyrbja është goditur nga Alban Dabulla për kalimin e pronës.
“Kur mbërrita në zyrën e tij konstatova se aty kishte plasur një debat i madh deri në zënka fizike. Ky personi që unë nuk e njihja, më vonë mësova të ishte Alban Dabulla, që po i bërtiste Jurgis Çyrbes, duke e kërcënuar. Në një moment, Albani ishte ngritur dhe Jurgisi ishte ulur dhe Albani e rrëzoi nga karrigia. E pashë që e goditi Jurgisin. Unë menjëherë ndërhyra dhe e kapa Albanin nga dora, duke i thënë; çfarë bën në zyrat e shtetit”, ka deklaruar ajo.
Motivet që e shtynë Jurgis Çyrbjen të sakrifikojë për Emiljano Shullazin duke hedhur firmën në kundërshtim me ligjin dhe duke u futur në konflikt me palën tjetër që kishte pretendime për Hotel Vollgën, mbeten ende të paqarta. Deri tani, ai nuk ka pranuar se ka qenë nën presion.
Përkundazi, pas detyrës që kreu në Hipotekën e Durrësit u katapultua në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Mbetet e paqartë përse, breshërinë e plumbave drejt shtëpisë së gazetares Klodiana Lala, kjo forcë politike, i ktheu sot në një çështje gjinore, kur reagoi vetëm me deputetet e saj femra./lapsi.al/
BIK dhe “Mbreti Selman” do t’u dhurojnë 500 fëmijëve jetimë ...
Prokuroria Themelore në Prishtinë nesër mban konferencën për...
BQK lansoi Platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbi...
Vazhdon “magjia” e Cole Palmer në Premier League
Evertoni i ndali me barazim tre gjigantët e Premier Leagues ...
39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë për 9 të akuzuarit në...