Google ADS

Kuvendi i Shqipërisë miraton sot ndryshimet në qeveri

08:10 | 22 Maj 2017
Arbresh.info

Kryeministri Edi Rama pranoi mbrëmë propozimet e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për 7 emrat e rinj të qeverisë së tij dhe i dërgoi për dekretim në Presidencë.

Rama dhe Basha u takuan në mbrëmje në mjediset e Pallatit të Kongreseve dhe përmbyllën një nga pikat e marrëveshjes që ata arritën të enjten në orët e para të mëngjesit.

Emrat teknikë të propozuar nga opozita janë: për postin ezëvendëskryeministrit Ledina Mandia, ish-Avokate e Shtetit në kohën e qeverisë “Berisha” dhe aktualisht këshilltare e Presidentit.

Për postin e ministrit të Brendshëm, Dritan Demiraj, gjeneral, ish-komandant i trupave speciale dhe ish-pjesëtar i Forcave të Armatosura në misionet jashtë vendit, aktualisht me banim në SHBA.

Ministre e Financave, Helga Vukaj, drejtoreshë e përgjithshme në KLSH dhe ish-zv/drejtoreshe e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në kohën e qeverisë së djathtë.

Ministër i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, këshilltar ligjor i Partisë Demokratike.

Ministër i Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabino, pedagoge në fakultetin e Shkencave Sociale, një nga personat që ka folur në çadër gjatë protestës 3-mujore.

Ministër i Shëndetësisë, Arben Beqiri, kirurg, pedagog dhe ish-zv/rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë.

Ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhuljeta Kërtusha me profesion inxhiniere, aktualisht menexhare e “Statkraft” dhe më herët drejtoreshë e CEZ.

Po ashtu, Partia Demokratike ka propozuar Klement Zgurin për postin e Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prej shumë vitesh anëtar i këtij institucioni, ndërsa avokaten Erinda Ballancën për kreun e Avokatit të Popullit.

Emrat kalojnë për votim në seancën e jashtëzakonshme të së hënës, që mblidhet në orën 18:00 me kërkesë të Kryeministrit.

Kuvendi njoftoi se të hënën vihet në zbatim marrëveshja Rama-Basha, ku do të do të miratohen ndryshimet në qeveri, paketa për zgjedhjet, “Vettingu” si dhe kreu i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme