Google ADS

Kuvendi i Shqipërisë miraton anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

20:20 | 7 Korrik 2022
L G

Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten, më 7 korrik protokollet për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Shqipëria bëhet kështu shteti i dytë anëtar i NATO-s që aprovoi zgjerimin e aleancës veri-atlantike të mbrojtjes me dy shtetet veriore evropiane.

Të martën Kanadaja u bë shteti i parë që ratifikoi në parlamentin e saj anëtarësimin e dy vendeve nordike në NATO.

“Kanadaja mbështet me entuziazëm Finlandën dhe Suedinë për t’u bashkuar me NATO-n. Këtë mëngjes, ne ishim të parët që ratifikuam zyrtarisht pranimin e tyre në Aleancë. Ne jemi më të fortë së bashku,” shkroi ministrja e Jashtme Melanie Jolie të martën në Twitter.

Finlanda dhe Suedia, të cilat deri më tani kanë mbajtur neutralitet ushtarak, kanë aplikuar të bëhen shtete anëtare të NATO-s pas pushtimit rus në Ukrainë. Dy shtetet kanë nënshkruar protokoll për anëtarësim në NATO më 5 korrik.

Protokolli i pranimit duhet të aprovohet nga parlamentet e 30 vendeve anëtare të aleancës para aderimit formal të dyja shteteve. Deri më tani, vetëm Turqia e ka kundërshtuar anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, por këto kundërshtime janë mënjanuar pasi që dy shtetet kanë bërë një sërë kompromisesh me këtë anëtar të NATO-s./rel

Të ngjashme