Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka zbardhur vendimin e 24 prillit për rrëzimin e kërkesës së opozitës për shfuqizimin e ligjit për administrimin e zonave të mbrojtura, pjesë e Parkut të Butrintit.
Kërkesa e opozitës shqiptare në Kushtetuese u rrëzua me shumicë votash të anëtarëve të Gjykatës.
Opozita (Rithemelimi) pretendonte se marrëveshja për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit cënonte identitetin Kombëtar dhe kishte probleme ligjore.
“Kushtetuesja” argumenton mes të tjerash se marrëveshja nuk e zhvesh shtetin nga roli i tij në drejtim të identifikimit dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore.
“Bazuar në sa më sipër, në vlerësimin e të drejtave, detyrimeve dhe kompetencave të secilës palë, në kuptim të termave të administrimit që përcaktohen në Marrëveshjen e Administrimit objekt gjykimi, Gjykata arrin në përfundimin se, nga njëra anë, për nga natyra e tyre, të drejtat e FMB-së nuk tejkalojnë ato të një administrimi të zakonshëm dhe, nga ana tjetër, marrëveshja nuk e zhvesh shtetin nga roli i tij parësor në drejtim të identifikimit, mbrojtjes, konservimit, prezantimit dhe transferimit të vlerave të trashëgimisë kulturore, por ruan dhe garanton këtë rol, i cili ushtrohet përmes formave të ndryshme të kontrollit të veprimtarisë së administrimit indirekt, për sa kohë që FMB-së nuk i është njohur ndonjë status i privilegjuar ligjor, duke iu nënshtruar ky entitet parashikimeve ligjore të zbatueshme, ashtu si çdo entitet tjetër i së drejtës”, thuhet mes të tjerash në vendimin e Gjykatës.
Po ashtu GJK vlerëson se marrëveshja për Fondacionin për Menaxhimin e Butrintin nuk i heq shtetit të drejtat për ruajtjen e trashëgimisë.
Po ashtu në vendimin e ‘Kushtetueses’ argumentohet se pretendimi për cënimin e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore nuk qëndron, pasi Fondacioni ka karakter meanaxhues për Butrintin.
“Në analizë të dispozitave kushtetuese dhe konventore Gjykata konstaton se, ndonëse në thelb ato ndalojnë zhveshjen e shtetit nga këto atribute, nuk parashikojnë në mënyrë të shprehur formën se si ato ushtrohen, pra nuk parashikojnë ndonjë formë ekskluziviteti në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore dhe as nuk ndalojnë forma të ndryshme të mbrojtjes dhe konservimit. Konventa e Parisit ka identifikuar se masat e nevojshme për këtë qëllim kanë natyrë juridike, shkencore, teknike, administrative dhe financiare, por ajo ka lënë në vlerësimin e shteteve palë formën dhe mënyrën në të cilën do të ushtrohet kjo mbrojtje dhe masat e nevojshme për përmbushjen e rolit të shtetit. Nga ana tjetër, edhe pse neni 17 i Konventës së Parisit parashikon se shtetet palë mund të inkurajojnë themelimin e fondacioneve kombëtare publike dhe private ose organizatave me qëllim ftimin e donacioneve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, kjo në vetvete është tregues se përfshirja e të tilla fondacioneve jo vetëm nuk përjashtohet, por inkurajohet në administrimin e pasurisë, për sa kohë që ruhet në çdo rast roli parësor i shtetit sipas kësaj konvente”, thuhet në njoftimin e GJK.
Po ashtu gjykata argumenton se marrëveshja nuk vë në dyshim natyrën e pasurisë kulturore, objekt i Marrëveshjes së Administrimit dhe vlerat e jashtëzakonshme të saj.
“Gjykata vlerëson të theksojë se ajo nuk vë në dyshim natyrën e pasurisë kulturore objekt i Marrëveshjes së Administrimit (Parku Kombëtar i Butrintit) dhe vlerat që ka kjo pasuri në drejtim të identitetit dhe trashëgimisë kulturore, ashtu edhe vlerat e jashtëzakonshme universale të saj, dhe as detyrimin e shtetit për të garantuar dhe mbrojtur këto vlera të jashtëzakonshme, si në kuptim të nenit 3 të Kushtetutës, për sa kohë që ato përfaqësojnë bazat e shtetit, ashtu edhe në kuadër të detyrimeve ndërkombëtare. Po kështu, bazuar në sa më sipër, Gjykata nuk vë në dyshim as skemën e administrimit indirekt të miratuar nga ligji nr. 27/2018, për sa kohë që ky model rezulton të jetë i lejueshëm nga neni 3 i Kushtetutës dhe parashikimet e Konventës së Parisit, pasi në përmbushje të delegimit kushtetues ligjvënësi ka ndërhyrë për parashikimin e regjimeve të posaçme për përdorimin dhe shfrytëzimin e këtyre pasurive, me qëllimin që të sigurohen format”, thuhet në një tjetër pikë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese./euronews.al
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...