Gjykata Kushtetuese në Shqipëri pranoi pjesërisht të enjten një kërkesë të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, duke shfuqizuar disa nene të ligjit që i detyronte ata të punonin në Shqipëri deri në pesë vjet pas diplomimit.
Sipas Gjykatës, dispozitat e kundërshtuara nga studentët, sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, por ky kufizim ka ardhur për shkak të interesit publik, për të garantuar kujdes shëndetësor.
Ky institucion e ka cilësuar si joproporcional afatin e vendosur nga Qeveria, për ‘mbajtjen peng’ të diplomës, me kërkesë të punës së detyrueshme për pesë vjet.
“Afati pesëvjeçar (i parashikuar nga neni 4 i ligjit) rezulton më i ashpër sesa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati pesëvjeçar nuk është proporcional, dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera trevjeçare dhe dyvjeçare, të përcaktuara në të njëjtin nen”, është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ligji, që synon të ndalojë largimin e mjekëve të rinj nga Shqipëria, u miratua nga Kuvendi, më 21 korrik.
Sipas Qeverisë, Ligji për “trajtimin e veçantë të studentëve, që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë ‘mjekësi e përgjithshme’ në institucionet publike të arsimit të lartë”, ishte masa e duhur për të siguruar shërbime shëndetësore për qytetarët.
Ligji parasheh që studentët që nuk nënshkruajnë marrëveshjen për të zbatuar këtë detyrim, duhet të paguajnë një tarifë që, sipas Qeverisë, është 6.500 euro në vit, por nga përllogaritja e bërë nga Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë, kjo kosto kap vlerën e 2.300 eurove.
Studentët e dërguan ligjin në Gjykatë Kushtetuese në tetor të vitit 2023. Në atë kohë ligji u pezullua deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Me shpalljen e këtij vendimi, Gjykata i la Kuvendit tre muaj kohë për të miratuar ndryshimet e nevojshme.
Gjykata ka konstatuar, gjithashtu, se në ligj mungojnë kriteret për “punësimin me prioritet, trajtimin financiar deri në gjetjen e punës, si dhe përllogaritjen e periudhës së pritjes për t’u punësuar në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim”.
Organizata “Qëndresa Qytetare”, që monitoron problemet në arsim në Shqipëri, dhe ka mbështetur studentët në protestat e tyre, ka reaguar e para, pas vendimit të Gjykatës.
Migen Qiraxhi, drejtues i kësaj organizate, e cilësoi vendimin si një fitore për studentët dhe tha se në këtë mënyrë, “Qeverisë i bllokohet rruga për të mbajtur peng dhe kushtëzuar edhe diplomat e mësuesve, inxhinierëve apo profesioneve të tjera”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kur bëri publike nismën për të frenuar largimin e mjekëve, pati paralajmëruar se i njëjti model do të aplikohet edhe për disa degë të tjera studimi, që vendit të mos i mungojnë profesionistët e fushave të ndryshme.
Ekspertë të mjekësisë kanë deklaruar se “eksodi” i mjekëve nuk zgjidhet me nisma të tilla, por duke rritur pagat e mjekëve dhe duke krijuar kushtet e nevojshme për ushtrimin e këtij profesioni./rel
Rama takon komisioneren Kos: Mbështetëse e fortë e anëtarësi...
Medvedev i kërcënon zyrtarët e NATO-s, pas vrasjes së gjener...
Kurti në hapjen e fabrikës së re të prodhimit të tubave meta...
Rovena-Vullnetit: Ti je një person shumë egoist e arrogant
Aguero zbulon transferimin që Man City do ta realizojë në ja...
Rafuna: Viti 2024 pritet që të përmbyllet me rritje ekonomik...