Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë njoftoi të mërkurën se e ka pezulluar përkohësisht ratifikimin e mundshëm të një marrëveshjeje për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.
Më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e nënshkruan marrëveshjen sipas së cilës Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm.
Kuvendi i Shqipërisë pritej ta hidhte në votim për ratifikim këtë marrëveshje në një seancë të enjten më 14 dhjetor.
Por, Gjykata Kushtetuese tha pas një mbledhjeje të mërkurën se i ka “pezulluar automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”.
Ky vendim vjen pasi 30 deputetë të opozitës e dorëzuan më 6 dhjetor në Gjykatë Kushtetuese një kërkesë për shqyrtimin e kushtetuetshmërisë së marrëveshjes dhe pezullimin e procedurave te ratifikimit të saj derisa gjykata të marrë vendim përfundimtar.
Gjykata bëri me dije se shqyrtimi i kërkesës së opozitës do të nisë më 18 janar 2024.
Marrëveshja për emigrantët është kundërshtuar nga opozita në vend dhe nga dhjetëra organizata të shoqërisë civile. Ato i janë drejtuar me një letër qeverisë shqiptare, duke i kërkuar të tërhiqet nga kjo marrëveshje, pasi sipas tyre, mungon transparenca dhe ekziston rreziku për shkeljen e të drejtave të njeriut të emigrantëve.
Dy ditë pasi u nënshkrua ajo nga Rama dhe Meloni, Amnesty International tha se marrëveshja është e “jashtëligjshme dhe e pazbatueshme”.
Elisa De Pieri, hulumtuese rajonale në Amnesty International, tha se njerëzit që shpëtohen nga autoritetet italiane, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe për këtë arsye nuk mund të dërgohen në një vend tjetër para se kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale të jenë shqyrtuar.
Çfarë parasheh marrëveshja?
Marrëveshja parasheh që emigrantët që do të kapen në Detin Mesme dhe të strehohen në Shqipëri dhe strehimin e tyre do ta financojë shteti italian.
Ajo, po ashtu, parasheh që Italia t’ia japë Shqipërisë 16.5 milionë eurosh paradhënie brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të protokollit. Këto para do të përdoren për të rimbursuar shpenzimet për shërbime të ndryshme, u tha në dokument.
Gjithashtu, pala italiane duhet të hapë në një bankë të nivelit të dytë, një llogari rrjedhëse bankare të dedikuar ekskluzivisht për fondin e garancisë.
Ky protokoll do të jetë në fuqi për pesë vjet dhe mund të rinovohet edhe për pesë vjet të tjera.
Në dokumentin e publikuar nga Qeveria shqiptare nënvizohet se autoritetet italiane do të përballojnë çdo shpenzim të nevojshëm për akomodimin dhe trajtimin e emigrantëve, duke përfshirë ushqimin, kujdesin shëndetësor dhe çdo shërbim tjetër që do të vlerësohet i nevojshëm dhe duke u kujdesur që ky trajtim të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas së drejtës ndërkombëtare.
Italia, sipas marrëveshjes, do të financojë të gjitha shërbimet e kujdesit spitalor, por edhe të pajisjeve, sikurse automjetet dhe karburantet si dhe pagesat për avokatë.
Ndërkaq, Shqipëria do të ofrojë lehtësira për personelin italian që do të punojë në Shqipëri, të cilët do të përjashtohen nga nevoja për pajisje me viza, leje të qëndrimit dhe kërkesa të tjera që kërkohen nga legjislacioni shqiptar për migracion.
Po ashtu marrëveshja parasheh edhe obligimet që ka Italia sa i përket ofrimit të sigurisë të qendrave të pritjes së emigrantëve, ndërkaq Shqipëria do të ofrojë siguri për emigrantët gjatë transportit të tyre jashtë këtyre qendrave./REL
Për herë të gjashtë radhazi, Drenasi shpallet kampion në Gra...
Vriten 5 gazetarë palestinezë në Gaza, po transmetonin live ...
U thirr sot në SPAK, Veliaj: Kurth i sajuar, jam denoncuar n...
Nottingham Foresti e mposht Tottenhamin, ngritët përkohësish...
Hovenier në takim lamtumirës me Kurtin: Me bashkëpunimin më ...
Fulham i jashtëzakonisht, merr fitore në frymën e fundit nda...