Kushtet e rënda në të cilat punojnë shqiptarët e “Call Center-ave”

01:10 | 1 Tetor 2019
Trina Galanxhi

Në Tiranë u publikua të hënën një studim mbi kushtet e punës në kompanitë Call Centers.

Vëzhguesit zbuluan një mori shkeljesh mbi të drejtat njerëzore dhe kushtet e punës.

Organizata “Together for Life” publikoi sot një studim krahasues mbi kushtet e punës, të drejtat dhe legjislacionin në sektorin e Call Centerave.

Ky sektor është një ndër 10 punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri, ku megjithë fitimet e mëdha, kushtet e punës janë të vështira.

Në të janë punësuar mbi 25 mijë persona dhe mbulon rreth 5% të prodhimit të përgjithshëm bruto.

Vëzhguesit zbuluan një presion të lartë prej ngarkesës së punës, si dhe mungesa në kujdesin shëndetësor, fizik e mendor, si dhe mungesa e perspektivës për karrierë profesionale.

Të tjera mungesa janë kushtet e punës, si cilësia e dobët teknologjike, zhurmat e pajisjeve të punës, të cilat shkaktojnë stres dhe dëmtime serioze në mirëqenien e punëtorëve.

“Studimi vëren se punëtorët vuajnë nga lodhja, pagjumësia, dëmtime të syve, veshëve dhe gjymtyrëve. Mbi 60% e punëtorëve në sektorin e Call Center janë të punësuar part-time, megjithatë ata janë mbi 25 mijë persona dhe për ta paguhen sigurime shoqërore e shëndetësore bazuar në pagën minimale” – thotë Arlinda Shehu, përfaqësuese e organizatës “Together for Life”.

Afro tre të katërtat e të rinjve të punësuar në këtë sektor janë vajza e gra, ndërsa rreth 80% e të punësuarve në këtë sektor janë të moshave universitare 18 – 30 vjeç.

“Kushtet e punës janë të pasigurta dhe jodinjitoze, ndërsa punëtorët nuk kanë të drejtën për sindikalizëm, për dialog social dhe të drejtën për mbrojtje sociale. Punëdhënësit shpesh nuk i paguajnë operatorëve orët e punës jashtë orarit dhe ky abuzim është i theksuar në veprimtarinë e tyre” – thotë Plejada Gugashi përfaqësuese e Olof Palm International Center.

Madje punëtorët shpesh përballen me presion për të mos raportuar të gjitha orët e punës jashtë orarit. Një numër punëtorësh janë gjetur nga kontrollet se punojnë në të zezë.

Mbi 20 për qind të punëtorëve nuk paguhen për punën në turnin e dytë jashtë orarit.

Ndërsa një numër i madh punëtorësh nuk marrin pushime për festa zyrtare dhe as paguhen kur punojnë në ditë të tilla./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme