Ish-shefi i Shërbimit Informativ njëzet vite më parë, Prof. Fatos Klosi flet për ngjarjet që tronditën vendin në shtator 1998, vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari dhe grushtin e shtetit.
Duke folur për gazetën Dita, Klosi thotë se ai ishte një grusht shteti i mirëfilltë, pasi i kishte të gjithë elementët për t’u quajtur i tillë.
Zoti Klosi, jemi 20 vjet pas vrasjes së Azem Hajdarit, dhe tentativës për grusht shteti. Ju jeni një prej njerëzve për shkak të funksionit që keni pasur, keni disponuar edhe një informacion tjetër të detajuar. Sot është kjo çështje po diskutohet akoma. Kush e nxori Azemin në pritë?
Kjo është një pyetje aq e vjetër sa dhe ngjarja. Ngjarja është trajtuar me hollësi në një proces gjyqësor me të dyja shkallët . Unë nuk mund të shtoj asgjë mbi çka është thënë në atë proces.
A ishte vërtetë tentativë për grusht shteti ai i 14 shtatorit?
Sipas meje po, në planet e kryengritësve ishte rrëzimi i pushtetit me anë të dhunës. Në këtë kuadër ata morën me dhunë pothuaj të gjithë institucionet kryesore të shtetit. Dolën dhe në TV publik dhe e deklaruan këtë gjë. Faktorë të jashtëm i bindën që ta ndërprisnin këtë maskaradë dhe kështu ikën me bisht ndër shalë dhe u barrikuan në selinë e PD.
Izet Haxhia ka ardhur në Shqipëri dhe kërkon rihapjen e dosjes. A është e mundur që të rigjykohet kjo çështje?
Izet Haxhia ka ardhur dhe me të drejtë kërkon hapjen e dosjes për rishikimin e pozicionit të tij në këtë ngjarje, pasi është dënuar në mungesë. Në këtë kuadër rihapja e çështjes është e ligjshme. Por po kalon shumë kohë dhe kurrkush nuk po merret me këtë kërkesë të Izet Haxhisë. Me sa duket politika, që gjithmonë ka komanduar në këtë vend, nuk është e interesuar për këtë gjë.
Cilat janë pikat e errëta që ende nuk janë zbardhur?
Për mua më e errët ka mbetur situata pas ngjarjes, se si u eliminuan pothuaj të tërë ata që mund të hidhnin dritë mbi ngjarjen dhe kurrkush nuk mbajti përgjegjësi për këto ngjarje.
Cili ka qenë roli i Sali Berishës në vrasjen e Azemit?
Ka qenë roli i një të interesuari për vrasjen dhe për shfrytëzimin e mëpastajmë politik të saj.
Besoni se reformimi i sistemit të drejtësisë do të zbardhë të vërtetën e ngjarjeve tragjike të 20 viteve më parë?
Unë shpresoj që reformimi i Sistemit të Drejtësisë do të krijojë premisat që të gjitha ngjarjet e mëdha të periudhës së tranzicionit të rishihen, larg interesave të klasës politike, që gjithmonë ka qenë e implikuar në to dhe ka penguar zbardhjen e drejtë të tyre.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...