Kumbaro: Buxheti 2025 me rritje – 10,4 milionë vizitorë të huaj deri në tetor

20:36 | 18 Nëntor 2024
E.G

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro në fjalën e saj në Kuvend gjatë seancës plenare, ku po diskutohet në parim projektligji “Për buxhetin e vitit 2025”, tha se buxheti për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit është 3.9 miliardë lekë dhe ka një rritje prej 7.9% krahasuar me atë të vitit 2024.

Ministrja në fjalën e saj nënvizoi se më këtë buxhet synohet që të çohet para puna e qeverisë shqiptare në dy sektorët turizëm dhe mjedis.

Duke folur për me shifra në lidhje me numrin e turistëve, ministrja Kumbaro tha se 10.4 milionë vizitorë të huaj kanë mbërritur në Shqipëri nga 1 janari deri në fund të muajit tetor.

“Sot e masim suksesin me standarde, çdo e ardhur nga turizmi përkthehet në ekonomi. Vlen të sjellim në vëmendje edhe shifrat e fundit me të cilat u mbyll tetori, 10.4 vizitorë të huaj nga 1 janari ose 16.5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në ekonominë shqiptarë vlerësohet së të ardhurat nga sektori i turizmit në ekonomi ishin 2 miliardë euro gjatë muajit të parë të 2024”- u shpreh ministrja.

Kumbaro nënvizoi me tej se tashmë nuk kemi vetëm një sezon veror, por për gjatë gjithë vitit. Ministrja theksoi se zonat e Mbrojtura u vizituan nga 4.9 milionë vizitorë.

“Sitet e trashëgimisë kulturore muzetë arritën rekordin e 1.2 milionë vizitorë. Ose 34% më shumë se viti i kaluar”- u shpreh ministrja.

Kumbaro tha se kemi kryer një punë voluminoze për standardet në turizëm.

“Të gjitha këto standarde do të vazhdojnë për tu përmirësuar edhe për 2025. Viti 2025 do ta gjejë Shqipërinë e një strategjie të re kombëtare për vitin 2030. Kemi parashikuar që në 2025 të pajisim sistemin e menaxhimit të këtij sektori industrial me një platformë të re që quhet E-Visitors, ku sektori privat dhe publik do të deklarojnë të dhënat në kohë reale, për të menaxhuar më mirë sektorin. E rëndësishme është që jo vetëm ta formalizojmë, por të shtojmë të ardhurat në buxhetin e shtetit për të parashikuar më mirë investimet në turizëm”- tha Kumbaro.

Ministrja po ashtu tha se investimet do të jenë të rëndësishme edhe në zonat e Mbrojtura.

“Ngritja Infrastrukturore me theks ujor EKO-Park-Ulza, me një vlerë totale prej 523 milionë lekë për të zgjeruar dhe promovuar një destinacion të mrekullueshëm në bashkinë e Matit, ndërtimin e qendrës multifunskionle në lumin Vjosa, në parkun kombëtar të Lumit Vjosa, me një vlerë 690 milionë lekë. Do të ketë një stacion kryesor në Tepelenë, dhe dy stacione në Përmet dhe Vlorë. Synojmë jo vetëm të krijojmë një tjetër atraksion turistik, por edhe për ta kthyer në një qendër edukimi për biodiversitetin për brezat që vijnë”- u shpreh Kumbaro.

Kumbaro në fund të fjalës së saj u shpreh se buxheti i vitit 2025 siguron mbështetje të plotë për të 5 programet buxhetore./atsh.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme