Google ADS

Kthehet në Shqipëri Elvana Gjata, Prokuroria e Tiranës merr dëshminë

14:48 | 28 Nëntor 2018
Arbresh.info

Këngëtarja Elvana Gjata ka dhënë dëshminë e saj në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me vrasjen e 4 tetorit në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Gjata është kthyer në Shqipëri pak ditë më parë përmes Rinasit, pasi ishte shuar urdhri i kërkimit policor në emër të saj.

Prokuroria e Tiranës ka marrë dëshminë e këngëtares Elvana Gjata në lidhje me ngjarjen e 4 tetorit në zonën e ish-Bllokut, ku u vra Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj e Eljon Hate. Burime të “ABC News” bënë me dije se Gjata është përballur me prokurorët e çështjes pak ditë më parë, veprim hetimor që është mbajtur në sekret të plotë.

Këngëtarja Gjata, e fejuara e biznesmenit Ervin Mata, u shpall në kërkim policor pas ngjarjes, pas dyshimeve se një ngacmim drejt saj nga Fabian Gaxha ishte zanafilla e konfliktit që përfundoi me një të vrarë e dy të plagosur. Pyetja e saj në prokurori nuk ishte bërë e mundur me herët për shkak se Gjata largua nga Shqipëria disa orë pas vrasjes. “ABC News” ka mësuar se këngëtarja e njohur është kthyer në Shqipëri para një jave përmes aeroportit të Rinasit. Duket se ajo ka pritur të kalonte afati 30 ditor, kohë e nevojshme për shuarjen e urdhrit të kërkimit policor.

Sipas burimeve pranë prokurorisë, Gjata është kthyer në Shqipëri përmes Rinasit, duke zgjedhur avionin e një linje që ka prekur pistën në orët e vona të natës.
Para prokurorëve Gjata ka dhënë shpjegime për takimin dhe bisedën e konsumuar mes saj dhe të fejuarit Ervin Mata para hyrjes së lokalit pak para ngjarjes. Burimet nuk dhanë detaje për pohimet e këngëtares, por theksuan se ajo është pyetur edhe nëse ka dijeni për konflikte të partnerit të saj Mata, apo për vendodhjen e tij aktuale.

Të dielën në Policinë e Tiranës u vetëdorëzua Ajaks Boshnjaku, i kërkuar për ngjarjen. Ai u lirua pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës, që caktoi për të “detyrim për paraqitje”. Më herët gjykata liroi duke caktuar të njëjtën masë sigurie Geldo Hotin, i arrestuar pas ngjarjes. Aktualisht për llogari të hetimit të ngjarjes së 4 tetorit ndodhen në qëli Ervis Martinaj dhe Eljon Hato, ndërsa janë shpallur në kërkim Ervin Mata, Merviol Bilo dhe Fabian Allushi./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme