Google ADS

Kryemadhi “trondit” me deklaratën dhe sulmon Ramën: Hodhi në treg edhe ndarjen e Kosovës!

19:26 | 5 Maj 2019
Trina Galanxhi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi përmes një postimi në “Facebook” u shpreh se kryeministri Edi Rama, trëndafilin e Partisë Socialiste e ka zëvendësuar me interesat e qarqeve antishqiptare’.

Kryemadhi teksa nuk kursen akuzat ndaj Qeverisë aktuale thotë se përveç dëmeve në vend, PS guxoi të hedhë në treg edhe ndarjen e Kosovës.

“Unë jam e bindur se stabilokracia pa demokraci, nuk funksionon. Prandaj nuk kemi sot nevojë për stabilokratët, por kemi nevojë për të rinjtë dhe të rejat, për ata politikanë që duan të luftojnë që ta bëjnë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve. Dhe meqenëse jemi te frika e të bërit të precedentit rajonal, po ju drejtohem më shumë të huajve sesa shqiptarëve nga kjo konventë. Dëmin e parë të këtij regjimi kriminalo-oligark, që ka instaluar Edi Rama në Shqipëri desh e pësuan vëllezërit tanë në Kosovë. Pikërisht prej këtij regjimi që në themel të tij ka pazaret dhe jo transparencën.

Pikërisht se formati i pazareve të oligarkisë dhe krimit e ka të shndërruar në skemë dhe format politik dhe diplomatik. Pikërisht se trëndafilin e Partisë Socialiste e ka zëvendësuar me oturakun e qarqeve antishqiptare. Pikërisht sepse dhe në politikë dhe në diplomaci flasin me gjuhën e PPP-ve.

Guxuan deri aty sa të hedhin në treg për turpin e tyre ndarjen e Kosovës. Dhe aq sa u desh një Samit i tërë europian për t’i thënë një JO të madhe pazarxhinjve të trojeve shqiptare. Sa më shpejt të shembet ky regjim, aq më shpejt Shqipëria do të kthehet në shtëpinë e shqiptarëve. Por jo vetëm kaq. Edhe Kosovës dhe vëllezërve tanë do t’iu largohen retë e zeza që u rrinë mbi kokë prej autokratëve dhe atyre që i konsiderojnë shqiptarët si tregun e gjësë së gjallë.

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!”-shkruan Kryemadhi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme