Google ADS

Krimet e Rënda në ndjekje të Saimir Tahirit, kërkojnë informacion nga Greqia dhe Italia

17:40 | 13 Prill 2018
Arbresh.info

Kur po mbushen plot gjashtë muaj mungesë në Kuvend, dhe Saimir Tahiri lajmëroi kthimin në seancat plenare për të shpëtuar mandatin e deputetit, zbulohen detaje të reja nga hetimi ndaj tij.

Prokuroria për Krime të Rënda, e cila po ushtron ndjekje penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm pas dyshimeve për lidhje me grupin kriminal Habilaj, ka bërë lëvizjen e radhës, me shpresën për të siguruar prova të reja fajësie për të.

Për të dytën herë brenda pak javësh, përmes dy letërporosive të reja, autoriteteve të Italisë dhe Greqisë iu është kërkuar sërish ndihmë për çështjen “Tahiri”.

Burime pranë grupit hetimor bënë me dije për “BalkanWeb” se në Itali është kërkuar informacion lidhur me disa fakte të reja të dala së fundmi gjatë hetimit të çështjes “Habilaj” nga Prokuroria e Catanias.

Këto fakte – sipas grupit të hetimit – mund të ndihmojnë për të hedhur dritë mbi rolin e Saimir Tahirit në grupin ku dyshohet të jetë përfshirë.

Ndërsa në Greqi, janë kërkuar të dhëna për disa udhëtime të tjera të ish-ministrit të Brendshëm, të bëra gjatë periudhës që shtrihet hetimi.

Vetëm pasi të mbërrijnë përgjigjet e këtyre letërporosive dhe dy të tjerave të dërguara në muajin shkurt, gjashtë prokurorët e çështjes do të marrin vendim për fatin e deputetit të përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste.

Deri atëherë, prokurorët do të jenë duke analizuar të dhëna të mbledhura nga institucionet brenda vendit.

Saimir Tahiri është nën hetim prej 6 muajsh, pasi ka dyshime të forta se është i përfshirë në trafik droge, në kuadër të grupit kriminal “Habilaj”, si dhe afera korruptive.

Gjykata e Lartë ende nuk ka caktuar një datë për shqyrtimin e rekursit të Prokurorisë, e cila kërkon që të dyshuarit t’i ndalohet e drejta për të dalë jashtë vendit.

Ndërkohë që, Krimeve të Rënda për pak ditë iu lind nevoja që të shtyjnë sërish me tre muaj afatin e hetimeve të çelura ndaj ish-ministrit të Brendshëm në tetor të vitit 2017./BallkanWeb

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme