Google ADS

KQZ në Shqipëri me dy variante për votën e emigrantëve

19:42 | 4 Janar 2021
L G

Para aplikimit kërkohet deklarimi i adresës së përhershme.

Në një raport të parë të punës për votën e emigrantëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dale me dy variante. I pari parashikon përdorimin e faqes se internetit E-Albania.

Çdo shtetas që jeton jashtë Shqipërisë duhet të regjistrojë adresën e përhershme në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe të deklarojë vullnetin për të ushtruar të drejtën e votimit. KQZ për zgjedhësit me vendbanim jashtë vendit do të mundësojë shërbimin online për të paraqitur kërkesën për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve që votojnë.

“Për shkak të pamundësisë kohore, dhe kapaciteteve teknike të kufizuara, vlerësohet që ky shërbim për këto zgjedhje të ofrohet nëpërmjet infrastrukturës E-Albania”, thuhet në dokumentin e KQZ.

Për këtë model KQZ jep shembujt e vendeve si Austria, Bosnjë Hercegovina dhe Sllovenia. Varianti i dytë parashikon që në KQZ të ngrihet një sistem i dedikuar për shtetasit shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë vendit, të cilët duhet të bëjnë një kërkesë që të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit.

Edhe në këtë rast do të kërkohet vendbanimi i përhershëm i emigrantëve dhe dokumentet e tjera identifikues si: Pasaportë ose kartën e identietit shqiptare.

Sipas raportit KQZ do të bashkëpunojë me ambasadat dhe misionet diplomatike, për të përcjellë mesazhet informuese për procedurën e regjistrimit, rëndësinë e pjesëmarrjes në votim, mënyrën e votimit dhe protokollet teknike për realizimin e procesit. / Tv Klan

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme