Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara publikoi më datë 10 shtator 2020, deklaratën “Trupa aktuale e KQZ-së të përmbyllë procesin e kontrollit të financave të partive politike përgjatë fushatës zgjedhore të 30 Qershorit 2019” .
Nëpërmjet saj, vihet në dukje se me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, qeverisja në vend është vendosur në regjim zgjedhor, ndërkohë që reformimi i kuadrit ligjor zgjedhor dhe miratimi i trupës së re të KQZ-së mbeten ende të papërfunduara nga legjislatori.
KRIIK, ndër të tjera, sjell në vëmendje të aktorëve politikë nevojshmërinë për të nisur një “etapë të re” të funksionimit të institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke ndërtuar një terren sa më të përshtatshëm ligjor dhe institucional për një funksionalitet me integritet të plotë dhe rezultativ të KQZ-së së Re në përgatitjen e procesit të ardhshëm zgjedhor të 25 prillit 2021.
Në këtë drejtim nxiten të gjithë aktorët përgjegjës për nevojën e një fryme dhe përvoje të re të zbatimit të ligjit, pa asnjë kompromis dhe ekuivok, prej dhe ndaj partive politike. Kjo frymë, veçanërisht lidhur me financimin e tyre, duhet t’i japë fund një prej vatrave që nxisin pandëshkueshmërinë dhe pazbatueshmërinë e ligjit.
KRIIK thekson se nga trupa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pritej vendimmarrja mbi procesin e auditimit dhe kontrollit të kryer për fushatën zgjedhore të 30 qershorit 2019, e cila u shty në kohë për shkak të rrethanës së emergjencës shëndetësore të periudhës mars – qershor 2020.
Kjo vendimmarrje u deklarua se ishte e gatshme për t’u marrë sapo të mbyllej Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore, por deri më tani nuk është kryer ende nga Trupa e KQZ-së aktuale, megjithëse deri më tani ajo ka zhvilluar disa mbledhje publike dhe aktualisht vazhdon të jetë në detyrë deri sa të zgjidhet dhe të bëjë betimin KQZ-ja e re.
Në një kontekst të tillë, zhvillimet po tregojnë një “abdikim” nga detyrimi ligjor i Trupës të KQZ-së në largim. Kjo tërheqje nga tagrat e Trupës aktuale do t’a rëndonte akoma edhe më përgjegjësinë individuale dhe kolegjiale të anëtarëve të trupës, duke sjellë një barrë të tepërt për Trupën e re të KQZ-së që pritet të konstituohet.
KRIIK shpreh shqetësimin se gjasat janë drejt një tejkalimi të procesit të kontrollit të veprimtarisë financiare për procesin e 30 Qershorit 2019. Pritshmëri kjo që, duke vazhduar një ecuri anti ligjore të institucionit të KQZ-së, vendos pikënisjen më negative për ridimensionimin e institucionit. Sidomos në një kontekst dhe terren kur kontrolli i financimit dhe burimeve financiare që mund të vijnë nga aktivitete të paligjshme apo kriminale përbëjnë një sfidë të vërtetë të ecurisë demokratike të vendit, përballë sfidave për mos kapjen e pushteteve apo ç’është më e rëndësishmja moskapjen e shtetit.
Nëpërmjet kësaj Deklarate, KRIIK iu bën thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucionale, si dhe Trupës aktuale të KQZ-së që procesi i kontrollit të veprimtarisë financiare të partive politike përgjatë fushatës zgjedhore të 30 Qershorit 2019 duhet të konkludojë në një proces ligjor.
Vetëm një qasje e tillë, e cila konkludon me një sjellje tërësisht ligjore dhe institucionale do të ndihmojë në nisjen me integritet jo vetëm të punës dhe funksionimit të institucionit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe të “etapës së re” në administrimin e proceseve të ardhshme zgjedhore.
Dokumentin e plotë mund ta gjeni si tekst më poshtë ose në formatin .pdf mund ta shkarkoni KËTU.
“90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në TikTok”, Rama...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 200 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
I dyshuari për sulmin në Gjermani përballet me 5 akuza për v...
“Biletë kthimi e çek me para” – gjashtë avantazhet që ndodhe...
Mund të largohet i lirë nga Barcelona, tre gjigantët evropia...
“Mashtruese”, debat i ashpër mes Xhenetës dhe Sarës