Google ADS

Kosovarja mashtrohet prej vajzës nga Tirana: Na i mori paratë dhe iku

07:34 | 28 Shtator 2019
A. B.

Nuk janë të pakta rastet kur qytetarët bien pre e mashtrimeve në rrjetet sociale. Një zonjë kosovare me banim në Zvicër iu drejtua redaksisë së emisionit “Stop” në Tv Klan për të denoncuar një mashtrim të bërë nga një vajzë, e cila kërkonte punë si dado.

Përmes faqes “Babysitter Babysitter” në Zvicër, Ambra Dido kontaktoi me familjen e denoncueses.

Dy palët ranë dakord që vajza të punonte për tre muaj në këtë familje dhe Ambra fillimisht kërkoi lekët e biletës. Më pas ajo u zhduk, skemë të cilën e ka përsëritur edhe herë të tjera.

Nëpërmjet lidhjes me Skype, denoncuesja shpjegoi për emisionin “Stop” me detaje se çfarë ndodhi me “dadon”.

Denoncuesja: Jam lajmëruar te ju sepse jetoj në Zvicër. Në faqen “Babysitter” në Zvicër më ka kontaktuar Ambra Dido, një vajzë nga Tirana.

Gazetarja: Për çfarë bëhej fjalë te kjo faqja?

Denoncuesja: Bëhet fjalë për babysitter, kujdestare. Kam kërkuar kujdestar, për të kqyrur fëmijët. Dikush, një vajzë, më ka gjetur në faqe dhe më ka kontaktuar.

Kemi biseduar me atë vajzën nga Tirana dhe më ka thënë që do vijë për të kqyrur fëmijët. Ajo zinte be të ëmën që s’kishte lekë për të paguar biletën.

Atëherë burri im i ka çuar paratë 95 Euro. Nuk u lajmërua, e kam telefonuar prapë. Më duhen edhe 30 Euro për sigurim. Atëherë dyshova unë. E telefonoja, nuk ma hapte telefonin.

I kam shkrujtuar faqes “Babysitter në Zvicër”, I kam lajmëruar. Ata e kanë postuar, janë lajmërur shumë njerëz, një burrë, një grua, që i ka vjedh më shumë para.

Gazetarja: Vajza me emrin Ambra Dido ju ka thënë se do të vinte të bënte babysitter për fëmijët tuaj, ndërkohë ju i keni dërguar lekët e biletës dhe ajo nuk ka ardhur?

Denoncuesja: Ashtu, nuk ka ardhur. Nuk ma ka bërë vetëm mua, por edhe të tjerët i ka gënjyer.

Gazetarja: Juve, vajza ju ka dërguar një mjet identifikimi? Si quhej? Nga vinte?

Denoncuesja: Ambra Dido! Me pasaportë, me të gjitha.

Gazetarja: Keni mundur të kontaktoni më me të?

Denoncuesja: Jo, jo! Mua më ka futur bllok, s’kam kontakt hiç. Më kanë dërguar dhe të tjerët foto që kanë folur me të, të gjithëve u ka thënë njësoj si mua.

Gazetarja: Keni bërë një denoncim, përsa i përket mashtrimit të vajzës?

Denoncuesja: Jo, jo! Nuk më duhen lekët, vetëm s’kam qejf të gënjej të tjera familje se kjo është duke vazhduar akoma.

Emisioni “Stop” iu drejtua Policisë së Shtetit për të denoncuar Ambra Didon për mashtrim.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Rexhion Qafa u shpreh se qytetarët janë të pambrojtur në këtë fushë dhe përdorimi i rrjeteve sociale është një mjedis ku po zhvillohen shumë krime, që kanë të bëjnë me fshehjen e identitetit.

“Pavarësisht nismave që janë ndërmarrë apo entit rregullativ, të cilat kanë punuar në pjesën e legjislacionit dhe rregulloreve, vazhdojmë të kemi ende një zonë gri. Kështu që konsumatori duhet të jetë shumë i sigurt për veprimet që bën. Pagesat duhet të bëhen të shoqëruara me një faturë apo të bëhen nëpërmjet kanaleve zyrtare”, shpjegoi eksperti Qafa.

Të ndodhur në këto kushte, të gjithë qytetarët duhet të mbrohen vetë, duke dyshuar në të gjithë kontaktet që bëjnë online.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme