Korridori Blu, aksi Thumanë-Kashar drejt përfundimit/Rama: Afati i fundit, 30 qershori

23:53 | 5 Qershor 2024
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndjekur nga afër punimet në aksin Thumanë-Kashar, pjesë integrale e korridorit Blu, ku ka theksuar se afati i përfundimit të saj është 30 qershori.

“I kemi thënë afatin firmës ndërtuese, që të jetë data 30 qershor. Jemi duke punuar me 12 shtruese. Pjesa më sfiduese që kemi tani është lidhja e nyjës së Kasharit, që është pjesa e fundit që jemi në fazë konstruksioni, ndërkohë që gjurma prej më shumë se 21 km ka përfunduar gjithë pjesën e stabilizantit.

Sonte ne u futëm nga hyrja e Rinasit, pra mbikalimi nga Rinasi dhe këtu jemi në zonën e Laknasit në paralel dhe nga ana tjetër kemi Bërxullin.

Me hapjen e kësaj (segmentit rrugor) realizohet dhe kthimi në Rinas dhe pastaj kemi hyrjen e Kasharit që shpërndan autostradën Tiranë-Durrës, duke pritur që këto ditë të jemi në përfundim të negociatës përsa i përket gjurmës tjetër, pra nga Kashari deri në Lekaj, duke e lidhur pastaj me gjithë gjurmën e re. Gjurma Kashar- Lekaj është tërësisht e re” shpjegoi Rama që shoqërohej nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Autostrada e re shtrihet në zonat urbane dhe gjysmë urbane të Thumanës, Fushë-Krujës, Rinasit dhe Vorës, duke i dhënë një frymëmarrje të shumëpritur qarkullimit në një pikë kritike që pret prej vitesh këtë zgjidhje evropiane, ndërkohë që gjatë qershorit lidhen kontratat për segmentet Kashar – Lekaj – Fier dhe Thumanë – Milot, si edhe hapet gara për segmentet Milot – Balldren dhe Balldren – Muriqan, të cilat plotësojnë të gjithë trupin e Korridorit Blu, si pjesë e unazës evropiane të turizmit mesdhetar.

Sipas Ballukut, aksi përmbush të gjitha parametrat e sigurisë rrugore, me mbikalime, 11 ura, 12 nënkalime e kryqëzime, por edhe rrugë aksesi për qytetarët.

“Tani janë 3 lote, 3 kontrata që lidhen në ditët në vazhdim para se të mbarojë muaji qershor, që janë Kashar- Lekaj, më pas Lekaj- Fier dhe ndërkohë vazhdojmë në veri të kësaj autostrade me Thumanë-Milot. Jemi gati për të hapur garën për Milot-Balldren, ndërkohë që këto 3 kontrata janë negociuar tashmë dhe janë gati t’u firmosur dhe për të filluar nga puna. Synimi ynë është që menjëherë pas asaj gare (Milot –Balldren) të hapet edhe gara për Balldren –Murriqan, duke e mbyllur kështu Korridorin Adriatiko-Jonian për pjesën e re, që ne kemi nisur. Milot -Balldren hapet në qershor, jemi gati me studimin e fizibilitetit dhe gjithçka tjetër. Duhet thënë që studimin e fizibilitetit ne e kemi pasur nga ËBIF për të gjithë gjurmën. Në gjurmën e re që do të ndërtohet, pra nga Thumana në Milot kemi rrugët paralele për të ndërtuar.

Kjo është autostrada e parë e kategorisë A që kemi plotësisht dhe do të ndiqet edhe nga autostradat e tjera.

Ndërkohë kjo është ajo austostrada që do të dorëzohet me formën e plotë, pra jo thjeshtë me atë vijën e verdhë që janë vetëm në formën e kantierit, megjithatë do na duhet që të mbyllim dhe disa detaje të vogla. Duhet thënë që kemi pasur një gjeologji të mirë këtu, një gjeologji jo problematike. Nëse ecet me këto ritme besojmë që edhe ato segmente të tjera do t’i dorëzojmë brenda afateve më të shpejta.”- u shpreh Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Paralelisht me Korridorin Blu do të vijojnë financimet për realizimin e Korridorit VIII Durrës – Pogradec, ku do të realizohet edhe lidhja me rrjetin evropian të transportit Lindje – Perëndim, duke përmbyllur skeletin e infrastrukturës rrugore të Shqipërisë 2030, gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian./rtsh.al/

Të ngjashme