Google ADS

Koronavirusi, Manastirliu inspekton masat e marra në portin e Durrësit: Të rritet vigjilenca

17:01 | 6 Mars 2020
Arditë Shkodra

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar masat e marra për parandalimin dhe kontrollin e koronavirusit COVID-19 në Portin e Durrësit.

Manastirliu ka deklaruar se duhet të rritet vigjilenca akoma më shumë në pikat kufitare.

Manastirliu: Është shumë e rëndësishme jo vetëm të kryhet monitorimi i temperaturës por edhe plotësimi i skedës së udhëtarëve që vijnë nga vendet me shpërthime komunitare, që na jep mundësinë për të ndjekur rastin nga epidemiologët nëse do të jetë e nevojshme. Nëse ka shenja dyshuese, telefonohet nr. 127 që bën të gjithë koordinimin e rasteve.

Manastirliu vuri theksin tek rëndësia e informacionit në kohë reale dhe vigjilencës së shtuar.

Manastirliu: Duhet të vijojmë të marrim masa në këtë situatë, madje me një vigjilencë të shtuar, që është shumë e rëndësishme në këto momente për verifikimin e të gjithë pasagjerëve edhe skedimin e tyre në këtë sistem që ne kemi krijuar.

Në pikat kufitare ajrore dhe detare, janë dyfishuar ekipet e shëndetësisë për të pasur kontroll të imtësishëm.

Në vijim të masave të marra Urgjenca Kombëtare ka vendosur në dispozicion autoambulanca të dedikuara në pikat kufitare. Gjithashtu janë marrë masat për rritjen e stokut të mjeteve të mbrojtjes specifike personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore.

Sipas raportimeve të stafit mjekësore në Portin e Durrësit nuk ka pasur raste të temperaturave të lartë dhe mesatarisht rreth 400 udhëtarë në ditë informohen dhe këshillohen.

Në 24 orët e fundit në të gjitha pikat kufitare në total kanë hyrë 17,770 udhëtarë, të cilët janë vlerësuar, mbështetur në survejancën e përforcuar për monitorimin e temperaturës.

Të ngjashme