“Konspiracion për të rrëzuar qeverinë”, kreu i Partisë Demokratike i përgjigjet kryeministrit

15:10 | 9 Tetor 2018
Arbresh.info

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është përgjigjur ashpër kreut të qeverisë, i cili më herët të martën tha se “Babalja” ishte një konspiracion për të rrëzuar qeverinë.

Tani në këtë moment ku është, e vetmja që kontrollon Edi Rama është godina e Kryeministrisë, ka humbur çdo kontroll mbi territorin, mbi qeverisjen, ka përqafuar metodën enveriste të konspiracioneve. E dëgjuat si tha sot? Ne. Kush ne? Ti je ekzekutivi. Shteti dhe partia do të zbulojnë konspiracionin, kjo ishte metoda enveriste, sa herë kishte një skandal zbulonte konspiracionin. Dhe ky tani shikojeni ku ka degjeneruar, ku ka arritur mendja e tij, nuk arrin të pjellë imagjinata e tij as diçka fine, ka kaluar në të njëjtin fjalor si në kohën e Enver Hoxhës. Ka zbuluar konspiracione nga opozita për të rrëzuar pushtetin popullor. Vetëm një mendje e sëmurë mund të ketë një imagjinatë të tillë, banale, që të paraqesë situatën kriminale dhe lidhjet kriminale të pushtetarëve si konspiracion në kohën e Enver Hoxhës”, tha Basha, gjatë një bisede me gazetarë nga selia blu.

Në konferencën e sotme për shtyp, Kryeministri Edi Rama tha se çështja “Babale”, audiopërgjimi ku pretendohej se vëllai i Ministrit të Brendshëm ishte i përfshirë në trafik droge, “është konceptuar dhe skenari është shkruar në 2 skuta të shtetit shqiptar.”

“Shqiptarët”, tha Kryeministri më tej, “do ta mësojnë me emra dhe mbiemra kush është përfshirë në këtë konspiracion të mirëfilltë për rrëzimin e qeverisë”.

Por, Lulzim Basha insistoi edhe të martën se “regjistrimi është i vërtetë, sado të përpiqen ta manipulojnë nuk do t’ia dalin.”

Kreu i opozitës akuzoi prokurorinë se po shkatërron dhe manipulon provat nga Babalja tek rasti i Xhisielës. “Dy ditë pas denoncimit për Agron Xhafaj u dërgua Donika Prela tek Prokuroria për Krime të Rënda. Nuk është rastësi.” /tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme