Konfirmohet viktima e 23-të nga koronavirusi në Shqipëri

19:12 | 9 Prill 2020
Arbresh.info

Një paciente 72-vjeçare sapo humbi jetën pasditen e të enjtes, pasi po trajtohej prej disa ditësh dhe vuante nga disa sëmundje të tjera, si tiroidet dhe tension i lartë i gjakut.

Numri i vdekjeve në Shqipëri shkoi në 23 vetë, ndërsa vazhdojnë testime të përditshme, prej nga zbulohen raste të reja.

Sipas të dhënave zyrtare, 9 raste të reja u zbuluan gjatë 24 orëve të fundit nga testimi i 234 personave të dyshuar.

Numri i përgjithshëm është 409 të prekur, që janë zbuluar nga mbi 3 mijë e 220 testime për të dyshuar.

Statistikat zyrtare flasin për një numër në rënie të shtrimeve në spitale dhe rritje të shifrave për të shëruarit.

Autoritetet besojnë se shifrat e përhapjes së kësaj sëmundjeje për Shqipërinë arritën pikun në ditët e fundit të marsit.

Në dy spitalet COVID janë gjithsej 58 të shtruar, ndërsa 11 pacientë të tjerë iu shtuan listës së 165 të shëruarve. Pjesa më e madhe e të shtruarve, 52 vetë, janë në Spitalin Infektiv, ndërsa në Spitalin e dytë Covid janë vetëm 6 pacientë.

Qytetet më të prekura janë Tirana me 196 raste, Shkodra me 45 raste dhe Durrësi me 38 të prekur.

Autoritetet po vazhdojnë të mbajnë masa të shtrënguara në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve me orare të reduktuara, me fundjava 40-orëshe krejt të mbyllura për tregjet dhe qytetarët, si dhe me qarkullimin e bllokuar ndërqytetës.

Në rrugë qarkullojnë vetëm automjetet e shërbimeve publike, policia dhe ushtria, ndërsa janë krejt të mbyllura parqet natyrore dhe lulishtet, restorantet, lokalet dhe mjedise të tjera ku më parë kishte tubime masive të qytetarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme