Google ADS

Kompania greke s’ka paguar që dy vjet kultivuesit shqiptarë të duhanit

01:17 | 25 Nëntor 2017
Trina Galanxhi

Rreth 2000 fermerë të zonës së Dumresë nuk kanë marrë ende paratë e duhanit. Kompania greke Mika Korça, mbledhësi kryesor i duhanit në vend, nuk i ka shlyer ende për prodhimin e 2 viteve të fundit 2015-2017 kultivuesit e duhanit. Shuma që kjo firmë i detyrohet këtyre fermerëve llogaritet në miliona lekë.

Në të gjithë zonën e Belshit, në Dumre, janë me mijëra familje të cilat merren me kultivimin e duhanit. Nga viti 2015-2017 mbledhësi kryesor i këtij produkti është Kompania Mika Korça, Leaf Tobaco a Michailides, një firme greke që operon që prej viti 1992 në këtë zonë. Por kompania këto vite të fundit është shtrirë edhe në qytet të tjera duke u kthyer në një kompani monopol në mbledhjen e duhanit.

Kultivuesit e Belshit ankohen se kanë shumë të mëdha pa marrë, pavarësisht se kanë kontratë më këtë firmë dhe nuk e dinë se kur do u shlyhet mundi i tyre. Arsyeja e kësaj situate është një problem që kompania Leaf Tabaço a Michailides ka me “Deutsche Bank” për mos-shlyerjen e një kredie prej 150 miliardë euro. Si rezultat kompania ka vonuar edhe pagesat kundrejt fermerëve në të gjithë vendin. Por në këtë kompani shteti është aksionar duke pasur 37.98% të aksioneve dhe 62.02 % i ka kompania Mika Korça.

Gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të kuptuar më shumë mbi situatën e krijuar dhe për të kërkuar të drejtën e fermerëve të duhanit. Në këtë institucion shtetëror nuk u prononcua kush, por kthyen përgjigje me shkrim. Në të cilën ministria sqaron se është në dijeni për situatën e krijuar, por pritet një vendim gjyqi, i cili duhet të jetë zhvilluar në dt 10 nëntor në Selanik, Greqi, për të pasur një përgjigje për problemin në fjalë.

Edhe pse kanë kaluar 2 javë nga zhvillimi i gjyqit kjo ministri ende nuk ka një njoftim zyrtar për fatin e gjyqit e mbi të gjitha për pagesat kundrejt fermerëve.

Në krah të fermerëve radhitet dhe deputeti i zonës së Belshit deputeti socialist Musa Ulqini. Ai pohon se vetëm në zonën e tij janë 309 fermer të cilët nuk kanë marrë në mënyrë të plotë apo të pjesshëm lekët e duhanit nga kompania Mika Korçës prej 2 vitesh. Për këta 309 fermerë, Ulqini shprehet se është një shumë e konsiderueshme prej 37 milionë lekësh, që mungojnë sot në xhepat e fermerëve të Belshit.

Ai theksoi edhe njëherë marrëdhënien kontraktuale midis fermerëve dhe kompanisë Mika Korça dhe kur nuk respektohet dihet se cila është rruga e zgjidhjes, por në këtë rast ka një veçanti sepse Ministria e Ekonomisë dhe e Financave është aksionar te Kompani Mika Korça.

“Kjo është arsyeja që unë kam bërë të gjitha përpjekjet që më lejon statusi i deputetit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, që të iniciojë mbledhjen e asamblesë së ortakëve në mënyrë që problemi të marrë zgjidhje sa më shpejt”, shprehet deputeti Ulqini.

Gazetarët iu drejtuan edhe Agjencisë Kombëtare të Duhan – Cigareve i cili është institucioni që është garant i ligjit dhe mbron interesat e fermerëve. Gentian Selami drejtor në AKDC shpjegon për Fiks Fare se ligji shqiptarë për duhanin, nuk parashikon asnjë sanksion apo zgjidhje për mospagesat e fermerëve.

“Kemi që në 2015 që është ngritur një grup pune për amendimin e ligjit. Janë dy vjet që kemi nisur këtë punë dhe jemi drejt fundit për miratimin e ligjit të ri” shprehet drejtori Selami.
Në Shqipëri kultivohen rreth 1200 ha dhe prodhimi i pritshëm është rreth 2 mijë ton duhan në vit.
Këtë vit ka një rënie të lehtë për shkak të problematikave që kanë pasur grumbulluesit me fermerët. Për këtë arsye shumë fermerë kanë hequr dorë nga kultivimi i kësaj kulture./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme