Komisioni i Venecias merr vendimin, zhbllokohet shkarkimi i Presidentit

09:23 | 27 Maj 2020
Arbresh.info

Zvarritja e shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra duket se nuk do të zgjasë shumë, pasi mazhoranca do të njihet muajin tjetër me raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias sa i takon mënyrës së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Prej gati një viti Presidenca dhe shumica socialiste janë në luftë me njëra-tjetrën, ç’ka detyroi këtë të fundit që të ngrinte një komisioni hetimor për presidentin Meta.

Por vonesat që ndodhën në fillim të sesionin parlamentar të vjeshtës që lamë pas, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e koronavirusit bëri që komisioni hetimor të shtyjë afatet në tre raste. Momentalisht afatet e komisionit hetimor që po heton Metën skadojnë në 8 korrik, ndërkohë që mazhoranca është e bindur që kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Madje, shumica ka theksuar se do të presë raportin përfundimtar të Venecias, pastaj do të vendosë nëse do ta shkarkojë apo jo Metën nga detyra. Por dje Komisioni i Venecias ka zbuluar në faqen e tij zyrtare se do të dorëzojë më 18-19 qershor 2020 opinionin përfundimtar në lidhje me çështjen e dërguar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe për paketën anti-shpifje.

Kjo do të thotë se më 18 qershor Kuvendi dhe presidenti Ilir Meta do të njihen me opinionin përfundimtar të Venecias, të cilët pritet t’i japin zgjidhje debatit për Kushtetuesen mes kreut të shtetit dhe mazhorancës, lidhur me betimin e Arta Vorpsit dhe nëse zgjedhja e Marsida Xhaferllarit ka qenë përtej afateve të përcaktuara në Kushtetutë. Këto emërime nxitën tensione të mëdha në skenën politike shqiptare, ku vetë presidenti Meta akuzoi Parlamentit dhe KED, se po bënin “puç” për kapjen e Kushtetueses dhe kompetencave të tij. Palët iu drejtuan Komisionit për të vendosur kush ka të drejtë. Ky i fundit në raportin paraprak për këtë çështje vlerësoi se veprimet e kreut të shtetit, për këtë çështje, janë përgjithësisht në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Megjithatë, mësohet se mazhoranca shpreson që raporti përfundimtar i Venecias të ndryshojë nga ai paraprak që i jepte në një farë mënyrë të drejtë presidentit Ilir Meta për vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Kështu që, “fati” i Ilir Metës është në dorë të Komisionit të Venecias.

Më 18 qershor vuloset drafti për paketën anti-shpifje

Por në datat 18-19 qershor Komisioni i Venecias pritet t’i dorëzojë autoriteteve shqiptare dhe opinionin përfundimtar për paketën “anti-shpifje”. Njoftimi është bërë nga vetë KV. Kujtojmë që paketa “anti-shpifje” e propozuar nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama ka ngjallur reagime dhe përplasje të forta në Shqipëri, pasi është kundërshtuar nga opozita, analistët, gazetarët e shoqëria civile, të cilët e shohin paketën si cenim të fjalës së lirë dhe kontroll të qeverisë ndaj mediave.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, pjesë e së cilit është edhe vetë Komisioni i Venecias ka kërkuar mendimin e ekspertëve. Ndërkohë që, Këshilli i Europës iu kishte dërguar autoriteteve shqiptare disa amendime për këtë paketë, por nuk u morën parasysh nga mazhoranca gjatë diskutimit në Parlament. Për këtë arsye Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i është drejtuar Venecias.

Paketa e diskutueshme ligjore e propozuar nga qeveria dhe miratuar nga Parlamenti u rikthye në Kuvend nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili e konsideroi atë si antikushtetuese. Presidenti Meta tha se ligji shkelte lirinë e medias, ndërsa mazhoranca premtoi se nuk do ta rrëzojë pa u njohur me opinionin përfundimtar të Venecias. Kështu që, edhe debatet mbi këtë çështje pritet të marrin fund në datën 18 qershor, kohë kur Venecia do të shprehet me draft se kush ka të drejtë./konica.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme