Google ADS

“Komisariati i dhunës”, Muke: Më rrahën barbarisht që të pranoja krimet

19:51 | 19 Maj 2018
A. B.

Vdekja e Enea Ftojit në qelitë e Komisariatit të Korçës nuk ishte një ngjarje e shkëputur. Në qelitë e policisë dhuna është përdorur edhe më parë.

Jo më pak se dy javë, ishte një tjetër i ndaluar që dëshmoi se e kishin rrahur policët. Ai ishte ankuar, por policia nuk kishte marrë asnjë masë.

Mariglen Muke banon në fshatin Kamenicë të Korçës. Ai u thirr nga policët për ta pyetur për disa ngjarje që ndodhnin vazhdimisht në fshatin e tij.

“Më thonë që unë kisha bërë këto vjedhjet e grabitjet e që kisha kërcënuar e sharë në telefon. Unë në moment u nxjerr telefonin dhe u them merreni dhe kë kam sharë dhe kë kam ofenduar të përballem me ta. Më thotë që ke vjedhur dhe ma përsëriti disa herë. I thashë më sill që të bëj ballafaqimin. Në këtë moment acarohet dhe më shan e ofendon rëndë. Është ngritur dhe kishte një fletë në dorë dhe unë kujtova se mos do të shkruante. Më goditi me grusht dhe kam rënë. Kur rashë më godit sërish me grushte e shqelma, pastaj nuk mbaj mend më. Më zbritën poshtë dhe u thotë të tjerëve që të plotësonin letrat e ta rrasim brenda”, dëshmon ai.

Marigleni thotë se përveç dhunës e rrahjeve i është bërë edhe presion për të pranuar disa vepra penale. Ai është goditur derisa ka humbur ndjenjat. Por mundi të mbijetojë, ndryshe nga Enea Ftoji.

“Unë besoj 100 për qind që ai është dhunuar dhe ndërroi jetë”, shton i riu.

Mariglen Muke e ka treguar edhe para policisë dhunën që ushtruan mbi të. Por prej asaj dite, asnjë masë, asnjë hetim dhe asnjë ndjesë nuk është kërkuar ndaj tij.

Njëkohësisht, asnjë akuzë nuk është ngritur ndaj tij për krimet që policët i kërkonin që të pranonte.

“Në policia ka punonjës arrogantë, njerëz të rrugës, njerëz të krimit”, përfundon Marigleni.

/TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme