Google ADS

“Koha nuk pret! Pse në Tiranë duhet të vendosen kufizime të ngjashme si në vendet e Europës”

11:34 | 7 Nëntor 2020
Arbresh.info

NGA ERION DASHO

Në kirurgjinë e traumës ekziston një teknikë operatore që quhet kirurgjia e kontrollit të dëmit. Aplikohet tek pacientët në gjendje të rëndë dhe nuk synon perfeksionin, por shpëtimin e jetës dhe kapërcimin e momentit të vështirë. Suksesi varet nga aftësia e kirurgut për të vepruar me shpejtësi dhe me vendosmëri. Sigurisht jo kuturu…

Ka ardhur koha që një logjikë e tillë të aplikohet edhe për kontrollin e COVID në Shqipëri!

Paralajmërimet dhe këshillat e vazhdueshme që ranë për muaj të tërë në veshë të shurdhër fatkeqësisht u materializuan dhe sot Shqipëria është realisht në “luftë” me “armikun”, dy terma që kryeministri i përdori pa vend dhe vetëm si gogol për të tmerruar shqiptarët në muajt e parë të epidemisë.

Sot, “gjeneralët” e kryeministrit kanë ngritur duart dhe i kanë dërguar WhatsApp qendrave shëndetësore se janë të paaftë t’u sigurojnë pajisje mbrojtëse dhe qendrat duhet t’i sigurojnë vetë ato. Pa u dërguar pare shtesë dhe as orientime se si e ku t’i blejnë! Thjesht një mesazh WhatsApp-i!
Sot qytetarët presin me ditë për të bërë testin dhe me ditë për përgjigjet. Në shumë raste përgjigja e testit ka ardhur pozitive pas vdekjes së pacientit!!! Për testimin qytetarët po i drejtohen privatit me një faturë mujore që i kalon 10 milionë Euro në shkallë vendi!!!
“Ushtarët” dhe “heronjtë” e kryeministrit dhe ministres, bluzat e bardha, edhe 7 muaj pas fillimit të epidemisë ende janë lënë të “paarmatosur”: as protokolle, as pajisje dhe as medikamente. Në fillimet e epidemisë u blenë nga pacientët për 1.500 deri 3.000 Euro CPAP-ët dhe BiPAP-ët. Sot po blihen kurat me remdesiviri për të njëjtat shuma.
Spitalet COVID 1, 2 dhe 3 nuk po arrijnë të përballojnë flukset e pacientëve dhe mjekët po i trajtojnë pacientët tamam në kushte lufte, në ambulanca! Dje një mjek shkroi një status live në mes të natës nga një ambulancë ku po mundohej të mbante gjallë pacientin!
Në këto kushte koha nuk pret! Ajo kërkon ndërhyrje për riparimin e dëmit.

Në radhë të parë hartimin e një strategjie dhe plani zbatimi realist. Asnjë “luftë” nuk fitohet pa strategji.
Alokim i menjëhershëm i një buxheti emergjence. Vlerësoj 20 apo 30 milionë euro në këto momente të paktën për të hequr barrën që po rëndon mbi qytetarin për testim dhe trajtim në shtëpi, si dhe për të blerë pajisje mbrojtëse dhe medikamente për spitalet.
Çelje e menjëhershme e spitaleve rajonale për të shfryrë presionin mbi spitalet COVID. Nuk ka nevojë të jenë perfektë, thjesht të pranojnë pacientët që janë duke vdekur në shtëpi apo që dergjen dyerve të spitaleve të tejmbushura.
Vendosja në Tiranë e kufizimeve të ngjashme me gjithë vendet e përgjegjshme europiane. Eksperimenti me maskat në rrugë ishte një turp që nuk dha asnjë efekt (siç kishim parashikuar). Nevojiten masa serioze ku modeli më i mirë për t’u ndjekur duket ai gjerman. Të mbash maska në rrugë dhe të bësh panair qoftesh, apo të mbyllësh shkollat dhe të lësh hapur mejhanet, nuk funksionon!
Këto masa duhen marrë urgjentisht. Mundësisht që sot! Në se ministria dhe komiteti janë të paaftë edhe për të konceptuar dhe zbatuar këto masa emergjente, ka me qindra mjekë shqiptarë në botë, me njohuri, përvojë dhe gatishmëri për të hartuar strategjinë, planin e zbatimit, konceptin logjistik të ndërhyrjes, protokollet mjeksore dhe ato të parandalimit, mjetet mbështetëse të survejancës dhe logjistikës, etj.

Për hir të shëndetit dhe jetës së shqiptarëve, i bëj thirrje kryeministrit, ministrisë dhe komitetit t’i drejtohet me mendje të hapur dhe pa paragjykime këtij komuniteti dashamirës dhe mbështetës!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme