Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, ka komentuar situatën politike të ditëve të fundit në vend, dhe jo vetëm, pas denoncimit nga Partia Demokratike të një audio-përgjimi që implikon vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.
Pas rrëfimit të dëshmitarit X, PD kërkon dorëheqjen e ministrit Xhafaj.
Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Kokëdhima tha se Fatmir Xhafaj po sulmohet nga Rilindja dhe PD, sepse i ka prekur me punën e tij si ministër i Brendshëm prej shtatorit 2017.
Do doja një koment tuajin në lidhje me shfaqjen e dëshmitarit me zë dhe me figurë…
Kjo ngjarje, e cila po zhvillohet gjatë këtyre dy javëve, përplasja për ministrin e Brendshëm, ka pozicionuar të gjitha palët, dhe “Zgjidhja” ka pozicionin e vet, vlerësimin e saj për gjërat. Nuk do bëj ndonjë koment për dëshmitarin, pasi këto janë episode për të cilat nuk mund të them ndonjë gjë. Por do bëj një vlerësim politik ët situatës. Siç e kemi deklaruar edhe para 10 ditësh, ne mendojmë se Xhafaj është një eksponent i politikës së vjetër në Shqipëri. Kjo është e vërteta, sepse ai ka më shumë se 20 vjet deputet, ministër, sekretar i Këshillit të Ministrave, me kryeministra të ndryshëm në PS. Mendoj se ai është bashkëpërgjegjës me të gjithë ministrat e tjerë të PS për të gjithë këtë tranzicion të vështirë që ka kaluar Shqipëria nën përgjegjësinë e PS dhe PD. Edhe pse ai nuk ka qenë kryeministër i Shqipërisë, natyrisht që roli vendimtar dhe përgjegjësia vendimtare i kalon kryeministri të radhës, unë mendoj se Xhafaj është përgjegjës për gjithë zhvillimet shumë të vështira të Shqipërisë në këto 27 vjet.
Referuar asaj që ju keni deklaruar disa ditë më parë se Xhafaj po sulmohet nga Rilindja dhe PD, sepse i ka prekur me punën e tij si ministër i Brendshëm prej shtatorit 2017. Mund të na shpjegoni kë ka prekur dhe cilat janë lidhjet e atyre që ju i etiketoni si parti të vjetra, me krimin e organizuar?
Nuk kam për qëllim që të mbroj Xhafajn, as nuk kam ndonjë raport personal me të, por duhet të jemi realistë në analizat që bëjnë, që të kuptojmë dhe të orientohemi si duhet. E më pas duhet të identifikojmë aktorët dhe të kuptojmë lojën e tyre. Partitë e vjetra, kryesisht PD dhe PS janë parti të kriminalizuara që kanë kriminalizuar gjithë shtetin shqiptar dhe e kanë sjellë vendin në këtë derexhe. Mos të zgjatemi pasi populli këto gjëra i di shumë mirë. Kanë shkatërruar ekonominë, kanë vjedhur gjithçka, dhe kanë kriminalizuar gjithçka. Kanë shkatërruar administratën e vendit, i kanë marrë ato njerëzit më pa vlera i kanë hipur në krye, njerëzit me precedentë penalë, njerëzit me diploma false, njerëzit me 100 vese të këqija, njerëz të pasjellshëm, të paedukuar, të pakulturuar, dhe ju kanë dhënë këtyre të drejtojnë institucionet, shtetin, përgjegjësitë, ekonominë, etj. Kështu ne kemi një situatë reale ku ministria e Brendshëm u bë praktikisht karteli i marijuanës në Shqipëri. Kush e bëri këtë? E bëri Edi Rama me Saimir Tahirin. Ky nuk ishte kriminalizimi rastësor, as si rezultat i ndërhyrjes se mafiozëve të drogës me para apo mënyra të tjera të korruptimit të policisë, por ky ishte një plan i qartë i implementuar nga koka e shtetit dhe e qeverisë. Kjo polici me ministër Fatmir Xhafën nuk është më kartel i drogës por është Polici e Shtetit. Na pëlqen apo s’na pëlqen ne, Fatmir Xhafaj e ka vënë këtë polici në shërbim të rendit dhe të sigurisë, dhe sigurisht që ky është një zhvillim i padëshiruar për partitë e vjetra të cilat punojnë në bashkëpunim krejtësisht të ngushtë me njëra-tjetrën. Rama dhe PD janë një, kush nuk e kupton është thjesht një qorr, ose një i paguar, ose një njeri i leshtë. Ata punojnë bashkë, kanë kapur bashkë shtetin, i japin siguri të plotë njëri-tjetrit, mbrojnë njëri-tjetrin, garantojnë ekzistencën e njëri-tjetrit, dhe alternimin e ndërsjellë në pushtet.
Kur flasim për partitë e vjetra, ju vijoni të mendoni se PS dhe Rilindja janë dy gjëra të ndryshme?
Rilindja nuk i ka lënë gjë PS-së, në bazën e PS ka shumë njerëz ët mirë. por PS është e uzurpuar totalisht nga Rilindja, dhe është e kriminalizuar. PS-së nuk i ka mbetur gjë, përveç atyre njerëzve të thjeshtë dhe militantëve të thjeshtë, të cilët janë një parti tjetër. Siç kam thënë kemi dy PS. Sot PS vjedh zgjedhjet njëlloj si Saliu, kriminalizon zgjedhjet njësoj si Saliu, madje ia ka kaluar Saliut. Qeverisja e saj ka shkatërruar liritë ekonomike në Shqipëri, njësoj dhe më keq se Saliu. Ka ndërtuar gjithë këtë sistem monopolesh që sundojnë vendin, njësoj si Saliu, e kështu me radhë.
Rasti “Xhafaj” a konsiderohet si skandal?
PD dhe Rilindja edhe në çështjen e Xhafajt janë bashkë. Unë e kam deklaruar dhe e ritheksoj këtu që Rilindja është kundër qenies së Fatmir Xhafajt ministër i Brendshëm, pasi ai është ndoshta i vetmi deputet atje në PS që nuk vihet në rresht nga Edi Rama. Nuk them se është një model që duhet ta prezantoj, unë nuk e kam model. Nuk e predikoj si model të politikanit të ri të Shqipërisë, por duhet të përshkruajë të vërtetën siç është. Në krye të Policisë së Shtetit, ai ia ka hequr nga thonjtë mafies së Edi Ramës, përfshi dhe partive të vjetra të kriminalizuara, kontrollin mbi strukturat e rendit të Shqipërisë. Dhe këto struktura, Xhafaj i ka vendosur në shërbim të sigurisë së qytetarëve.
Pse Rama e mbron Xhafajn?
Rama nuk e mbron, por e lufton. Bën sikur e mbron.
Mund ta shkarkonte?
Nuk e merr dot atë faturë përsipër, sepse është i diskredituar kudo. Në gjithë botën e dinë që ky është një drogmen i përfshirë vetë. E dinë të gjithë që Saimir Tahiri ishte një punonjës i tij në drejtimin e kartelit të marijuanës në Shqipëri. E dinë të gjithë drejtorët e policisë, dhe të gjithë shefat e policisë, pasi ishin të urdhëruar të merreshin me këtë. Nuk është se ata u thirrën nga mafiozët, por i thirrët këta mafiozët nën urdhra për të bërë atë që bënë me Shqipërinë. Dhe kjo është e vërteta.
Pra ju nuk mendoni se ka një vazhdimësi mes rastit “Tahiri” dhe rastit “Xhafaj”, sikurse deklaron opozita. Ka vërtetësi në deklaratat e opozitës?
S’ka asnjë lidhje në këto dy histori. Gjërat duhen parë në kontekstin e situatës në të cilën jemi. Në kohën kur këta bëjnë gjithçka për ta mbajtur peng, siç po e mbajnë peng Shqipërinë, pasi PD dhe Rilindja bëjnë çmos për të penguar reformën zgjedhore, për të bllokuar situatën e Shqipërisë, dhe bëjnë sot gjithë këtë luftë ndaj Fatmir Xhafajt. Kanë harruar çdo gjë tjetër, nuk ekziston asgjë tjetër në Shqipëri, përveçse historia e shkuar e vëllait të Fatmir Xhafajt, për të cilin “Zgjidhja” ka qenë shumë e qartë dhe e drejtpërdrejtë. Kush ka përgjegjësi penale, merr përgjegjësi penale.
Vetë z.Rusmaili në rastin e vëllait të tij dha dorëheqjen, a duhet një standard dorëheqjesh. Pse z.Xhafaj nuk u dorëhoq?
Nuk jemi kurrë në të njëjtat kushte siç ishim atëherë. Shqipëria ka shkuar shumë më larg dhe shumë më keq. Shqipëria është sot në ditët e saj më të errëta dhe më të zeza. Ka shkuar në ditën kur gjithë Policia e Shtetit u shndërruar në një ndërmarrje gjigante e drogës, sepse ky zotëria e adhuronte Eskobarin, e kishte idhull Eskobarin. As Eskobari nuk arriti dot kurrë të kthejë Policinë e Shtetit në ndërmarrje të drogës, siç arritën këta. Dhe nuk jemi fare në të njëjtat kushte. Ne sot mendojmë se ka ardhur koha që PD dhe Rilindja të mos luftojnë për të hequr Fatmir Xhafajn por t’i hapin rrugë një qeverie teknike të zgjedhjeve. Një qeveri që do të bëjë reformën zgjedhore, dhe do zhbllokojë Shqipërinë nga ngërçi. Shqipërinë këta e kanë izoluar totalisht nga çdo lloj investitori, e kanë izoluar nga çdo lloj integrimi. Me këto parti të vjetra, Shqipëria nuk ka integrim, nuk ka asnjë ditë optimistë për ekonominë e saj. Qytetarët me këto parti nuk mund të presin asnjë ndryshim pozitiv.
Për rastin “Xhafaj” ju thoni se është një synim i përbashkët i PD dhe Rilindjes për ta hequr nga posti. Por pse duhet ta vendoste atëherë Rama në krye të Ministrisë së Brendshme z.Xhafaj?
Unë nuk di ndonjë teori konspirative, unë bëj analiza. Për mendimin tim, Xhafaj në Ministrinë e Brendshme është një vullnet më i gjerë, nuk është vullnet i Ramës. Unë besoj se Xhafaj në Ministrinë e Rendit për mendimin tim është një vullnet i partnerëve ndërkombëtarë. Dhe mendoj se kjo ndodhi kur Tahirit i dolën të gjitha gjërat sheshit. Pra kjo ndodhi kur Rama dhe Tahiri u vërtetuan ngado me prova që kishin drejtuar kanabizimin e Shqipërisë dhe që ato para i futën tashme në politikë. Dhe me ato para rrëzuar çdo qeveri në këtë vend. Këto para kriminale kanë dëmtuar çdo ide optimistë për Shqipërinë.
Si mendoni se do të vijojë kjo situatë? Opozita ka thirrur një protestë kombëtare më 26 maj, duke këmbëngulur tek dorëheqja e Xhafajt ose shkarkimi i tij nga Rama.
“Zgjidhja” mbështet çdo protestë demokratike në Shqipëri. Por jam i sigurtë që gjithë kjo histori nuk do të sjellë ndonjë përfitim të rëndësishëm në zhvillimet politike të vendit. As në përparimin e vendit, dhe as në reformat që vendi i ka akute, i ka emergjente. Ky ngërç që kemi momentalisht i bën dëm Shqipërisë. Sot në plan të parë duhet të ishte nevoja për të bërë reforma të reja. Marrëveshja Rama-Basha i shkatërroi zgjedhjet. Kjo e fundit kam patur idenë se është marrëveshje për bashkëqeverisje, okulte, ku ata ndajnë interesa afatgjata. /BW/
Costa: Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, forcon paqe...
Gruda: Nuk kemi pasur forcë më herët për ta rrëzuar këtë qev...
Incidenti me flamurin, Siljanovska: Mosrespektimi i simbolev...
“Foto e Ditës”, Rama nderon Dëshmorët e Atdheut
Kurti njofton se është hapur tenderi për objektet e banimit ...
Policia rrit masat e sigurisë në tërë Kosovën