Google ADS

Klosi takon ministrin grek, pritet rritja e kuotave të kalimit në dogana

21:36 | 4 Qershor 2021
Arditë Shkodra

Me ftesë të Ministrit grek të Turizmit, Haris Theoharis, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ndodhet për vizitë zyrtare në Athinë.

Në takimin mes dy ministrave, u fol për rritjen dhe shkëmbimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në fushën e turizmit, si një nga çështjet që i bashkon fort dy vendet tona. Të dy vendet do të intensifikojnë bashkëpunimin mes tyre, në projekte të përbashkëta kufitare dhe rajonale.

Ministri Klosi dhe homologu i tij grek ndanë pikëpamjet respektive për sektorin turistik, rrugët për rritjen e tij, sikundër edhe të rritjes së bashkëpunimit të dy vendeve në shkëmbimin e eksperiencave.

Eksperienca greke do të jetë e vlefshme, sidomos në rritjen e turizmit detar dhe menaxhimin e vijës bregdetare. Ministri shqiptar Klosi u ndal tek lëvizja e lirë e qytetarëve në kufi, në kushtet e rënies së infektimeve dhe rritjes së vaksinimit,ku siç dihet,vendi ynë ka shifra të dukshme të pakësimit të pandemisë

“Kjo do t’i shërbejë turizmit në të dyja anët e kufirit. Jam besimplotë se ministri Theoharis, do të jetë avokati i situatës së mirë pandemike, e reduktimit të infektimeve, vaksinimit masiv për t’ja përcjellë në instancat vendimmarrëse të masave”- u shpreh ministri Klosi.

Homologu grek shprehu vullnetin për të bërë më të mirën në këtë drejtim.

Theoharis tha se fillimisht rritja e kuotave dhe në vazhdim hapja e kufijve me vendin tonë, do të sjellë rritje të shkëmbimeve turistike mes vendeve tona. Aktualisht pritet lirimi i masave me Shqipërinë dhe rritjen e kuotave të kalimit në pikat kufitare me Shqipërinë.

Sipas burimeve greke, pritet që të hapet pika kufitare e Qaf Botës me orar 07:00-19:00 dhe me kufizim deri në 250 persona në ditë, rritja e kuotave të Kakavijës në 1000 persona në ditë nga 400 që është aktualisht, dhe lejimi i kalimit edhe për kategori të tjera veç punonjësve sezonalë dhe rritja e numrit nga 400 në 700 në pikën kufitare të Kapshticës. Vendimet përfundimtare do jepen gjatë orëve në vazhdim./tch

Të ngjashme