Google ADS

Klasifikimi ndërkombëtar i marsit rendit Shqipërinë të parën, Rama: Jehonë pozitive vendit tonë

15:30 | 2 Maj 2024
K.B

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është gëzuar lajmit që Shqipëria është renditur e para për rritjen e numrit të pasagjerëve nga ajri krahasuar me numrat e vitit 2019.

Rama ka thënë se ky është një lajm fantastik, sepse sipas tij do të thotë që kanë shumë më tepër dëshirë të vijnë në Shqipëri, ndërkohë edhe çmimet e biletave janë ulur ndjeshëm falë shtimit të linjave ajrore, shkruan Arbresh.info

Rama tutje thotë se kjo është një arritje e Shqipërisë dhe gjithë këta që vijnë duke u shtuar i bëjnë jehonë pozitive vendit tonë, kur kthehen në vendet e tyre, prandaj kush s’e do qeverinë le ta shajë sa të dojë, po nuk ka pse të mos gëzohet për Shqipërinë kur e vërteta flet kaq qartë si në këtë rast.

Postimi i tij i plotë:

Ja edhe klasifikimi ndërkombëtar i marsit për rritjen e numrit të pasagjerëve nga ajri krahasuar me numrat e vitit 2019 (para pandemisë), ku rritja e Shqipërisë vazhdon me ritmet më të larta

Dhe e para, ata që thonë se janë shqiptarët që i mbushin avionët jo turistët, nuk duhet të harrojnë se edhe sikur të jetë kështu, ky është një lajm fantastik, sepse do të thotë që kanë shumë më tepër dëshirë të vijnë në Shqipëri, ndërkohë edhe çmimet e biletave janë ulur ndjeshëm falë shtimit të linjave ajrore. Por nuk është tamam kështu, sepse shifrat e të huajve që vijnë në Shqipëri flasin vetë, siç flet rritja marrëmendëse e dhënies së apartamenteve me qera për të huajt apo kërkesave për hotele.

E dyta, ata që thonë se s’na duhen turistët se ata vijnë për qejf, ne duam këtë e atë, nuk duhet ta harrojnë se qejfi i turistëve kushton dhe fitimet nga shpenzimet e tyre për qejf i marrin shqiptarët që punojnë, prodhojnë, shesin, shërbejnë e me radhë, ndërkohë që pjesa e të ardhura për shtetin nga rritja e aktivitetit ekonomik, investohet për të rritur pagat e investimet.

E fundit, kjo është arritje e Shqipërisë dhe gjithë këta që vijnë duke u shtuar i bëjnë jehonë pozitive vendit tonë, kur kthehen në vendet e tyre, prandaj kush s’e do qeverinë le ta shajë sa të dojë, po nuk ka pse të mos gëzohet për Shqipërinë kur e vërteta flet kaq qartë si në këtë rast./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme