Në një anketë, Shqipëria renditet e katërta në një listë me 152 vende përsa i përket dëshirës së qytetarëve për t’u larguar nga vendi. Në anketën botërore të Organizatës Gallup, 60% e pjesëmarrësve nga Shqipëria shprehen se do të donin të largoheshin; Kosova renditet e trembëdhjeta me 46% të pjesëmarrësve që shprehin dëshirë për t’u larguar. Mes shteteve të Evropës, Kosova dhe Shqipëria ishin vendet me përqindjen më të lartë përsa i përket dëshirës për imigrim. Kolegia Ardita Dunellari bisedoi me zotin Jon Clifton, një ndër analistët e Gallupit.
Zëri i Amerikës: Në anketën e re të Gallupit mbi dëshirën e njerëzve që të emigrojnë, cilat ishin përfundimet më interesante?
Jon Clifton: Pyetja që u drejtuam njerëzve në botë është nëse kishin dëshirë të largoheshin nga vendi. Në krye të listës ka vende si Sierra Leone ku 75% e njerëzve thanë se duan të largohen. Ndërkaq Shqipëria është e katërta në listë. 60% e njerëzve thonë se do të donin të largoheshin përgjithmonë nga vendi.
Zëri i Amerikës: Cilat janë arsyet që i shtyjnë njerëzit të duan të largohen nga vendet e tyre në përqindje kaq të larta?
Jon Clifton: Dy shkaqet kryesore që vërejmë është se njerëzit duan të largohen pasi ka një formë krize. Për shembull Siria është një ndër 10 vendet me përqindjet më të larta për shkak të konfliktit. Një tjetër arsye është ekonomia. Në shumë vende të varfra njerëzit duan të largohen për të gjetur mundësi ekonomike. Dy faktorë të tjerë të rëndësishëm që njerëzit duan të largohen nga vendi janë korrupsioni dhe siguria vetjake.
Zëri i Amerikës: Të ndalemi tek Ballkani, rajoni më problematik në Evropë në anketën tuaj. Në rajon nuk ka pasur konflikte prej dekadash, në një vend si Shqipëria ekonomia ka vazhduar të rritet gjatë vitesh. Si shpjegohet kjo dëshirë kaq e madhe për t’u larguar?
Jon Clifton: Kur shohim GDP-në për frymë, në një vend si Shqipëria apo nëse shohim fuqinë blerëse të qytetarit në Shqipëri, ky vend renditet i 100-ti në botë. Pra shumë njerëz besojnë se në Shqipëri nuk u ofrohen mundësitë ekonomike që mund të gjejnë diku tjetër. Shohim se tërheqja më e madhe për t’u vendosur në vende të tjera është ekonomia. Vendi që tërheq më shumë njerëz në botë është Amerika. Njerëzit duan të vijnë në Shtetet e Bashkuara pasi këtu ka mundësi ekonomike si dhe pasi kanë njerëz të afërm këtu. Vendi tjetër ku duan të shkojnë shqiptarët është Gjermania, pas Shteteve të Bashkuara.
Zëri i Amerikës: Përse kjo rritje tani? Përse jo disa vite më parë?
Jon Clifton: Nuk do të thoja medoemos se është ndonjë rritje në vetvete. Shqiptarët kanë vite që shprehin dëshirën për t’u larguar nga Shqipëria.
Zëri i Amerikës: Në anketën e Gallupit thohet se këto përqindje reflektojnë dëshira dhe jo shifra reale të emigrimit, apo njerëz me plane konkrete për emigrim. Si krahasohen këto shifra me lëvizjet konkrete të njerëzve?
Jon Clifton: Kur shohim prirjet në Shqipëri, vërejmë se popullata në pesë vitet e fundit po ndjek kahjen e gabuar. Që në atë kohë ka filluar tendencën e tkurrjes me 0.1%. Pra mund të shihet se të dhënat reale ndjekin të njëjtën prirje si dëshirat që shprehin njerëzit.
Kjo është e vërtetë për të gjitha vendet e Ballkanit, në të gjitha këto vende mbi 25% e njerëzve shprehen se do të donin të largoheshin. Në Kosovë kjo shifër është rreth 45%.
Zëri i Amerikës: Si do të ndikonte kjo prirje tek potenciali i këtyre vendeve për zhvillim?
Jon Clifton: Kur shohim vendet e Ballkanit, problemi kryesor është rrjedhja e trurit. Kur pyesim njerëzit nëse duan të vendosen në Shqipëri, ata që shprehin dëshirë nuk janë njerëz të arsimuar, po ashtu nuk janë të rinj. Kur të rinjtë e arsimuar të një vendi duan të largohen dhe njerëzit që duan të vijnë në këtë vend nuk janë të arsimuar, atëherë vendi përballet me rrjedhje truri që duhet të përbëjë shqetësim serioz për udhëheqësit.
Zëri i Amerikës: Çfarë qëndrimi mbajnë ballkanasit ndaj emigrantëve?
Jon Clifton: Nëse shohim Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe i krahasojmë nga qëndrimi i tyre ndaj imigrantëve, këto vende janë shumë të ndryshme dhe kështu kanë qenë gjatë viteve të fundit. Kur i pyesim njerëzit “A mendoni se qyteti apo komuniteti juaj është vend i mirë për imigrantët? A do të pranonit që imigrantë të vendosen në vendin tuaj? A do të konsideronit të pranueshme që një i afërm i juaji të martohej me një imigrant”, Maqedonia është e fundit në listë ndër 150 vende. Kurse në Shqipëri gjejmë një nga kulturat më të hapura. Shqipëria renditet e 15 në botë. Në Maqedoni, vetëm 10% e pjesëmarrësve e quajnë të pranueshme që imigrantë të vendosen në vendin e tyre; në Shqipëri 75% e pjesëmarrësve në anketë shprehen pozitivish. Pra dy vende që janë kaq pranë gjeografikisht por që janë dy botë krejt të ndryshme. /VOA
Në dy raste të ndara policia arreston dy persona për armëmba...
Monitorim 24 orë me kamera për ujësjellësit, Balluku: Rritje...
Shfaqen grafite me simbolin serb në veri
Mjeku saudit i dyshuar për sulmin në tregun e Krishtlindjeve...
Kurti merr pjesë në manifestimin e Ditës Botërore të gjuhës ...
Vetaksidentohet vetura e policisë në veri, lëndohen pesë pol...