Një deklaratë të fortë ka bërë edhe Kisha Katolike pas ngjarjeve të së shtunës së kaluar në Kalimash dhe arrestimeve në Kukës.
Në një reagim të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë thuhet se ajo po ndjek me kujdes zhvillimet e fundit. Ndonëse në dukej e balancuar, deklarata e Kishës Katolike nuk i kursen kritikat për qeverinë nën rreshta.
Kisha Katolike thotë fillimisht se mbështet çdo nismë civile që kërkon të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve.
“Është e drejtë e çdokujt që kur i duket e arsyeshme, të protestojë e të thotë fjalën e tij, vetëm apo i mbledhur së bashku me të tjerë” – thotë Kisha.
“Ne dënojmë si moralisht të papranueshme çdo sjellje dhune ndaj personave, institucioneve, objekteve private apo shtetërore. Dhuna nuk është kurrë zgjidhje dhe ne bëjmë apel që ajo të shmanget në çdo nismë të ligjshme për kërkimin e të drejtave personale apo komunitare.
“Kisha nuk mund të pranojë dhunën …. sepse dhuna sjell gjithmonë dhunë dhe prodhon në mënyrë të pashmangshme forma të reja të shtypjes dhe të skllavërisë, më të rënda se ato që ajo pretendonte të çlironte” – thotë Kisha Katolike duke cituar Papa Pali VI.
Në fund ka një kërkesë për qeverinë. Kisha Katolike u bën apel institucioneve shtetërore të gjejnë rrugët e duhura për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë.
“Jemi të vetëdijshëm se rrugët, apo çdo objekt që ka të bëjë me të mirën e përbashkët, kanë nevojë për mirëmbajtje dhe kjo duhet bërë. Por gjithashtu, sikurse e kemi shprehur edhe në letrën tonë për Krishtlindjet e vitit 2017, duhet kujdes ndaj personave, grupeve shoqërore dhe zonave që janë më në nevojë. Duhet të punojmë të gjithë bashkë në mënyrë që hendeku i krijuar midis të pasurve dhe të varfërve të ngushtohet, sidomos i atyre të zonave të thella e periferike” – mbyllet deklarata e Kishës Katolike./Lapsi/
Bislimi në takim me ministrin për Bashkimin Evropian të Polo...
Arrestohet një person në Zveçan pasi i gjenden armë në shtëp...
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëb...
Osmani udhëton për në Kanada, përfaqëson Kosovën në Forumin ...
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...