Google ADS

Këta janë 4 ish-zyrtarët e lartë të policisë që kërkohen për trafik droge

00:22 | 23 Nëntor 2017
Trina Galanxhi

Prokuroria për Krime të Rënda ka lëshuar 4 urdhër-arreste për ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet si të përfshirë në trafikun e drogës bashkë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Burimet bënë të ditur se urdhër-arrestet janë lëshuar për tre ish-drejtorët e Policisë së Shtetit, atë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, për ish-drejtorin e Postës së Dhërmiut, Sokol Bode, për shefin e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, Gjergji Kohila dhe ish-shefn e Krimit të Organizuar në Vlorë, ish-drejtor i Policisë në Shkodër, Kukës dhe Lezhë, Alban Çela. Urdhërarrestet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda i janë përcjellë policisë për ekzekutim.

Bëhet e ditur se tre drejtuesit e policisë që u është lëshuar fletë-arresti janë larguar jashtë shtetit. Burimet thonë se ka dyshime që ish-drejtori i Postës së Dhërmiut, Sokol Bode është larguar drejt SHBA, sidoqoftë kjo mbetet për t’u konfirmuar.

Jaeld Çela është mjaft i njohur, pasi në 6 raporte të SHISH është përfolur për lidhje me trafikantët e drogës, dhe rezulton të ketë telefonata të drejtpërdrejta me trafikantët. Jaeld Çeka ka qenë nëndrejtor në Policinë e Durrësit për dy vite gjatë mandatit të parë qeverisës të qeverisë Rama dhe më pas është emëruar në postin e drejtorit në Policinë e Vlorës. Si drejtor në Vlorë, ka qëndruar nga shtatori i vitit 2014 deri në prill të vitit 2017. Pas ardhjes së Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme, Jaeld Çela u shkarku nga detyra dhe në Policinë e Vlorës u emërua Gentjan Shehaj.

Ish-ministri Tahiri u vu nën hetim pas bërjes publike të përgjimeve nga pala italiane për dosjen ‘Habilaj’. Por Kuvendi nuk e dha autorizimin për arrestimin e tij. Aktualisht, Prokuroria ka kryer kontroll banese dhe e ka marrë në pyetje Tahirin për hetimet që janë duke u kryer. Për “dosja Habilaj” janë rreth 40 persona për të cilët po hetohet në Shqipëri.

Jaeld Çela

Një prej të zyrtarëve për të cilën është lëshuar urdhër-arrest nga Prokuroria është ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Çela ka drejtuar Policinë e Vlorës nga shtatori 2014 deri në prill të 2017, ndërsa më parë ka drejtuar Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Çela ka patur lidhje me trafikantët e Vlorës.
Jaeld Çela u emërua në krye të Policisë Vlorë, në shtator të tre viteve më parë, kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri. Deri atë kohë, Çela ishte në krye të Policisë së Durrësit. Më pas, me ardhjen e Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme, Çela u zëvendësua në këtë detyrë. Postin e kreut të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë e mori Gentjan Shehaj, i cili edhe e mban aktualisht.

Sokol Bode

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër-arresti edhe për ish-drejtorin e Postës në Dhërmi, Sokol Bode. Prej kohësh, Bode ka qenë i njohur për opinionin publik, pasi iu publikuan fotot ku ai shfaqet me vëllezërit Habilaj, njëri prej të cilëve, Moisi Habilaj u arrestua para një muaji në Itali për trafik droge.
Sokol Bode u transferua nga drejtor i Postës në Dhërmi në prill të këtij viti në Shkodër, ku iu dha posti si shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve. Në 7 prill të këtij viti, ai ka marrë masë disiplinore nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe ka qenë në hetim edhe nga SHÇBA, pasi në njësinë administrative ‘Guri i Zi’ në Shkodër u zbulua një serë ku u gjetën 87 kubikë kanabis. Përveç këtij për këtë rast kanë qenë në hetim edhe 4 punonjës të tjerë policie.

Gjergj Kohila

Zyrtari i tretë i Policisë që iu lëshua urdhër-arresti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është Gjergj Kohila. Kohila ka qenë shef i Krimit të Organizuar në Vlorë.

Alban Çela

Po ashtu bëhet e ditur se, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër-arresti edhe për Alban Çelën. Alban Çela është kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ka qenë shef i Krimit të Organizuar në Vlorë, drejtor i Policisë në Shkodër, Kukës dhe Lezhë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme