Google ADS

Këshilli Politik mblidhet sërish sot për reformën zgjedhore

09:35 | 29 Maj 2020
Arbresh.info

Këshilli Politik do të mblidhet sërish sot në orën 11:00.

Në diskutimet 4 orëshe të mbrëmjes së djeshme u bënë disa hapa të vegjël por palët mbeten të ndarë në përdorimin e teknologjisë në procesin e votimit. Po kështu mazhoranca nuk pranon kërkesën e opozitës për qeveri kujdestare në lidhje me zgjedhjet.

Nuk ka dakortësi për Drejtorin e Policisë dhe teknologjinë

Një pikë që nuk ka marrë dakortësinë e mazhorancës dhe opozitës parlamentare ka qenë propozimi i PD që Ministri i Brendshëm që do të vijë nga qeveria tranzitore duhet të emërojë drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit. Socialistët thonë se për këtë vendim duhen takime të niveleve më të larta.

Sa i takon Kolegjit Zgjedhor dhe administratës zgjedhore, dy pikat e nxehta në diskutimin mes palëve, pritet të vihen pikat mbi ‘i’ në ditët në vazhdim.

Palët nuk kanë gjetur konsensusin as për futjen e teknologjisë në zgjedhje. Opozita i ka lënë afat mazhorancës deri sot për tu paraqitur me propozim me shkrim ku garanton identifikim biometrik në çdo qendër votimi dhe një pilot të votimit dhe numërimit elektronik.

Pjesë e diskutimeve në tryezën e Këshillit Politik ka qenë edhe sistemi danez i propozuar nga amerikanët.

Këshilli Politik u dakortësua për rolin e prokurorisë, policisë dhe sinjalizuesit në zgjedhje.

U ra dakord për çështjet si më poshtë

Policia në Zgjedhje- Policia do të jetë jashtë qendrave të votimit dhe do të ndërhyjnë në rastet kur është e nevojshme. Gjithashtu do të ketë kamera në qendrat e votimit dhe numërimit.

Prokuroria në Zgjedhje- SPAK do të hetojë shitblerjen e votës, ndërsa prokuroritë e rretheve do të ngrenë grupe të posaçme për krimin zgjedhor.

Sinjalizimi në zgjedhje- Amnistimi i personave që denoncojnë shitblerjen e votave./oranews

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme