Demokratët i janë përgjigjur negativisht ftesës së shumicës për të vijuar me mbledhjen e Këshillit Politik pasditen e kësaj të mërkure për të folur për ndryshimet kushtetuese që prekin listat e zgjedhësve.
Ata kërkojnë që mbledhja të zhvillohet të enjten ose të premten, por çështjet për diskutim që kërkojnë nuk i përfshijnë asesi ndryshimet kushtetuese.
“Në Rendin e Ditës së mbledhjes siç kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit, Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë per të adresuar rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me: blerjen e votës; presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike, marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale, lirinë dhe sekretin e votës; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore. Në rast të mosprogresit këto propozime NUK do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuar”.
Por mosprania e opozitës jashtë Parlamentit nuk do t’i ndalojë shumicën socialiste dhe opozitën parlamentare të ulen në tryezë këtë pasdite për tëë diskutuar pikërisht për listat e hapura, që tashmë janë miratuar nga Këshilli i Legjislacionit dhe është firmosur dhe një marrëveshje mes të dy palëve pasditen e të martës. Damian Gjiknuri, në një e-mail përcjellë anëtarëve të tjerë të Këshillit Politik, u kujton se koha po shtrëngon dhe duhet të diskutohet një çështje shumë konkrete që s’ka lidhje me çështjet e mbetura pa zgjidhje në marrëveshjen e 5 Qershorit.
“Koha është shumë e çmuar në kushtet kur Kuvendi ka një vendimmarrje të rëndësishme në 30 Korrik. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për çështjet e mbetura po për një çështje shumë konkrete, prandaj edhe njëherë ju lutem të konfirmoni praninë tuaj për sot në orën 17:00 pasi opozita parlamentare e ka konfirmuar ndërkohë”.
Vetë Kryeministri, i cili do të jetë sërish pjesë e kësaj tryeze, në dy postime të njëpasnjëshme, ju ka bërë apel demokratëve dhe aleatëve të saj të LSI të mos e bojkotojnë këtë mbledhje.
“Përsëris apelin për OP jashtëparlamentare që të mos e bojkotojë Këshillin Politik dhe të vijojmë dialogun tripalësh së bashku me OP parlamentare, për reflektimet e risive kushtetuese. Miqtë opojashtëparlamentarë duhet të mos shohin gishtin kur gishti tregon hënën! Në 30 Korrik do të kemi risi kushtetuese mbi të cilat duhet të ulemi pa humbur asnjë ditë.Prandaj të pranojnë realitetin e të mos e kushtëzojnë Këshillin Politik si Kuvendin dikur,se nuk funksionon”.
Por demokratët duken të vendosur pasi në një tjetër email drejtuar anëtarëve të tjerë të Këshillit Politik, Oerd Bylykbashi ripërsërit se mbeten të hapur për t’u takuar në ditët në vijim, por vetëm për çështjet që kanë lidhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Të martën Komisioni i Ligjeve miratoi amendimet në Kodin Elektoral sipas marrëveshjes së 5 Qershorit, ndërsa sot Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që ndryshimet të votohen në seancën e nesërme pasi u arritën të siguroheshin votat e një pjese të opozitës parlamentare për ta miratuar.
Ndryshimet kushtetuese janë planifikuar të miratohen në seancën e fundit, atë të 30 Korrikut ndërsa brenda javës së ardhshme do të zhvillohen dhe 2 seanca të tjera plenare. /Tv Klan
Shpërndahen me gaz lotsjellës dhe ujë protestuesit te sheshi...
Haradinaj në Gjakovë: Me Kosovën fituese drejt NATO-s dhe zh...
Konjufca priti në takim komisionerin kroat për mbrojtjen e t...
KRU “Gjakova” me apel për pagesa të faturave
Serbët pro pjesëmarrjes në zgjedhjet e 9 shkurtit
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel