Komisioni Europian konfirmoi se ka nisur vlerësimin e kërkesës së paraqitur nga Holanda për pezullimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
Zëdhënësja e tij, Natasha Bertaud, tha se KE-ja “do të shqyrtojë me kujdes përmbajtjen e njoftimit, bazuar në informacionet relevante”. Nëse do të dilet në përfundimin se ekziston nevoja e veprimeve specifike, komisioni do të adoptojë një akt implementimi brenda harkut kohor të një muaji pas marrjes së kërkesës.
Vlerësimi do të duhet të adoptohet edhe nga këshilli, ka qenë komenti i Bertaud. Zëdhënësja, e cila nuk deshi të bënte parashikime mbi rezultatin e procesit, sqaroi megjithatë se vendimi për pezullimin e regjimit pa viza nuk mund të merret dhe aq lehtë, ndaj atë duhet ta paraprijë një analizë mjaft e kujdesshme.
Kërkesa e paraqitur zyrtarisht në 31 maj është nismë e disa deputetëve holandezë, që e argumentojnë një lëvizje të tillë me rritjen e aktiviteteve kriminale të mafias shqiptare në Holandë. Sipas ligjvënësve në fjalë, këto organizata e keqpërdorin mundësinë e udhëtimit pa viza në Europë dhe në këtë mënyrë e zgjerojnë rrjetin e tyre të kontrabandës.
Qytetarët e Shqipërisë lëvizin pa viza në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian që në vitin 2010. Kërkesa e Holandës për pezullimin e regjimit pa viza për Shqipërinë është e para e këtij lloji e bërë ndonjëherë. Sipas procedurës, Komisioni Evropian duhet të informohet me kërkesën e tillë nga një ose më shumë shtete anëtare. Pastaj, ky institucion duhet të vlerësojë nëse është i nevojshëm veprimi./tch/
Qeveria dërgon mbi një milion euro në Luginë, Sinani: Ky fin...
Dhurata më e çmueshme e Xhensiles për Ajken vjen për Krishtl...
Kurti: Tre milionë euro investim në arsim për Komunën e Mali...
Rrëzimi i aeroplanit në Kazakistan, Rama: Shprehim ngushëlli...
Papa Françesku bën thirrje t’i jepet fund luftës në Uk...
Murati: Secili që dëshiron mund të heq dorë nga lista përfit...