Në Pallatin e Kongreseve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij para skuadrës kombëtare të negociatave me BE-në.
Ai e nisi me një falënderim për punonjësit e administratës, për të cilët thotë se dikur kishte një skepticizëm.
Por sipas kreut të qeverisë, ky sektor ia ka dalë të provojë të kundërtën me punë e përkushtim duke e bërë Shqipërinë “më të respektueshme në sytë e ndërkombëtarëve.”
“Do duhej që të merrnim sallën e madhe dhe kështu u bë një kompromis për t’ju pasur ju këtu, por përfitoj nga rasti që të falënderoj me shumë mirënjohje ata që kanë qenë me ju në këtë punë të jashtëzakonshme, besoj që meritojnë falënderim po njësoj si të gjithë ju. Dua t’ju them shumë sinqerisht se unë e kam pasur shumë frikë këtë moment, të fillimit të negociatave sepse siç ju e dini është një test shumë sfidues dhe nuk do duhej në fakt që duke qenë në krye të qeverisë unë të isha skeptik për fuqinë, aftësinë dhe vullnetin e mirë të administratës sepse në fund të ditës kjo është një punë e saj. Por, mesa duket edhe unë jam i prekur nga virusi i mosbesimit tek administrata i cili ushqehet vazhdimisht nga lajmet e këqija që nuk mungojnë patjetër, por që në ndërkohë bëjnë që shumica dërrmuese e punës së administratës dhe njerëzve të saj, të mos vlerësohet sa duhet për atë që janë dhe bëjnë. Ky proces, ka një sukses, është dhe një revansh i heshtur i administratës dhe gjithë atyre punonjësve që e mbajnë dhe e përmirësojnë gjithë makinerinë e shtetit.
Administrata shqiptare i ka kapacitetet për të përmbushur këtë mision historik dhe për të qenë në lartësinë e kësaj detyre patriotike. Për hir të së vërtetës, besoj më mirëkuptoni kur them kam pasur shumë frikë, se nuk është e lehtë të imagjinosh 1800 shqiptarë që bëhen bashkë me sukses në një punë që nuk është 1, 2 apo 3 ditë. Se për 3 ditë shqiptarët bëjnë rrëmujë në gjithë botën, por kur zgjat me vite përpara mijëra e mijëra dokumenteve që duhen përgatitur, besoj që është e falshme dhe frika e shqetësimi se mos dilnim të turpëruar nga ky proces, të papërgatitur për ta përballuar. Unë nuk di një kënaqësi tjetër më të madhe në këtë punë 10 vjeçare në krye të qeverisë ku nuk më kanë munguar momentet për t’u ndjerë i kënaqur për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare sesa kënaqësia e të dëgjuarit të kolegëve kryeministra e president të vendeve anëtarë që më thoshin “dëgjojmë se Shqipëria po bën negociata të admirueshme”. Ju e ndjeni kënaqësinë e revanshit ndaj gjithë atyre që thonë se në administratë ka vetëm hajdutë, besoj e kuptoni dhe ndjenjën time kur ndonjë kryeministër i ndonjë vendi në një moment të caktuar na ka penguar, më afrohej e më thoshtë urime, vërtet urime!
Dëgjojmë nga Brukseli që skuadrat shqiptare po bëjnë një performancë të jashtëzakonshme. Po përulem me respekt para punës tuaj, energjisë që keni shpenzuar, jo vetëm keni provuar aftësinë, por keni dhënë një kontribut që mbase as vetë nuk e imagjinoj dot për vendin tonë në sytë e shumëkujt atje që para se të shihte prezantimet tuaja nuk ka pasur të njëjtin respekt që ka sot për Shqipërinë. Meritoni që ta konsideroni në aspektin e karrierës tuaj profesionale, por dhe në atë patriotik. Viti 2023 si viti më kuptimplotë.”
Rama theksoi se nga numri i takimeve në Bruksel të skuadrës tonë, janë parashtruar plot 777 çështje përmes të cilave është arritur një sukses i jashtëzakonshëm.
“Është suprizë pozitive që nga ky proces ku ju keni bërë një numër takimesh dhe keni parashtruar 777 çështje, përfundimi është që Shqipëria sot zotëron mbi 50% të kapacitetit për t’u konsideruar gati për anëtarësim në BE. Mbi 50% është shumë duke pasur në konsideratë që ky është vetëm fillimi i procesit dhe për të kuptuar të gjithë të tjerët se Shqipëria është larg së qeni ai vend ii perceptimit që ushqehet së brendshmi nga vetë natyra jonë që t’ja pranojmë vendit tonë të mirat e tjera përveç diellit, detit, ajrit, maleve. Këtu kemi konsensus, madje shkojmë në ekzagjerime.
Kur vjen puna për të vlerësuar pjesën tjetër që ka të bëjë me atë që vendi ka si kapacitet të brendshëm qeverisës, e kemi të vështirë në pikën që nuk janë pak ata që thonë “ishim më mirë kur ishim më keq.” Ju e dini më mirë sesa unë, që ky është vetëm fillimi, por ka dhe një arsye tjetër pse unë dëshiroj t’ju falenderoj nga zemra dhe t’ju shpreh mirënjohjen. Ju keni dhënë provën që është në një masë të caktuar, jo plotësisht, është në dorën tonë ta përshpejtojmë procesin. Ky duhet të jetë motivi ynë themelor.”
“Ta sjellim sa më shpejt Bashkimin Evropian këtu!”, nënvizoi kryeministri./tvklan.al
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...