Skënderbeu, Heroi Kombëtar i shqiptarëve, ka lindur në vitin 1405, siç llogaritet nga data e saktë e vdekjes me 17 janar 1468, kur ai, sipas Barletit, ishte 63 vjeç. Për origjinën e Kastriotëve si dhe vendlindjen e Heroit në vendin tonë, historianët kanë dhënë mendime të ndryshme.
Madje, të nisur nga fama e madhe e Skenderbeut, ka pasur studiues serbë e grekë, që në mesin e shek. XIX hodhën tezen për origjinën e Kastriotëve në kombësinë e tyre, mbështetur në emrat dhe mbiemrat që ata kanë. Por kjo tezë nuk pati jetë të gjatë, sepse karakteri i emrave të shqiptarëve, qofshin të krishterë si dhe ato myslimanë, nuk tregojnë kombësinë.
Për shqiptarët, të cilët nuk kanë patur asnjëherë dyshim për shqiptarsinë e Kastriotëve, që në shek.XIX rifilloi diskutimi mbi origjinën e tyre krahinore. Kështu, për origjinën e Kastriotëve e sidomos vendlindjen e Skendërbeut, kanë pretenduar pesë krahina shqiptare si; ajo e Dibrës, Hasit, Matit, Kastrit të Mirditës, si dhe Kastratit të Malësisë së Madhe. Për këtë të fundit, Frang Bardhi, peshkopi i Sapës, në libërin të titulluar Giorgus Castriotus, botuar në Venedik në vitin 1636, shkruan: ’’Kastriotët rrjedhin nga malet e Kastratit dhe kujtimi i tyre ruhet ende aty..’’ Dhe më poshtë Bardhi saktëson se; ‘’..Në këtë pjesë të Shypnisë, në kufi me Pultin dhe fisin e Dukagjinit, gjindet një fis i quajtur Kastrat…nga ky vend dolen Kastriotët.’’ Sqarojmë se Kastrati i Malësisë së Madhe dhe fisi i tij, ndodhet larg Pultit dhe Dukagjinit, ndërsa Kastri i Mirditës kufizohet drejtpërsëdrejti me këto Male, që thotë Bardhi. K. Frashëri tek ‘’Historia e Dibrës’’si dhe në ‘’Historinë e Skenderbeut’’, mbron tezen dibrane të Kastriotëve, duke i lokalizuar ato në fshatin Sinë të krahinës së vogël të Çidhnës. Ai hedh poshtë origjinën e tyre nga Hasi dhe Mati, por len të hapur origjinën e Kastritotëve nga Kastri pranë Vigut të Mirditës. I vetmi dekument bashkëkohor i besueshëm është njoftimi që bën Barleti, i cili na thotë; ‘’se krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga ( Ematia) prej një dere fisnike dhe se kanë sunduar në Epir njëkohësisht me lavdi e fatbardhësi’’. ‘’E shkruar në latinisht, sqaron Frashëri,tek (H. D. f.87) Aemathia, nuk ka kuptimin e Matit. Barleti, si humanist, kishte prirjen e njohur klasiciste për t’i përkthyer toponimet shqipe në emërtime latine, si; Lissos për Lezhën. Dihet se disa shkrimtar antik grek dhe romak, …e quanin Aemathia edhe Provincen e Dytë Maqedone, me kryeqendër Durrësin krijuar në shek. I p.e s nga Roma; në dallim me Provincën e Parë Maqedone, e cila kishte për kryeqendër Selanikun. Për këtë arsye historianët mesjetarë quanin Maqedoni ( Ematia) edhe Shqipërinë e Mesme.’’ Duke përfshirë në të edhe gjithë krahinen ku rrjedhte lumi Mat me degët e tij, me dy Fanët në Mirditen e sotme. Mirdita në kohen e Barletit, si emër nuk del, ose se ishte një fshat i vogë pa peshë diku pertej Oroshit, ose ishte në anonimat, sepse eklipsohej nga Dukagjinët dhe Kastriotet e fuqishëm. Për këtë, Shuflaj në librin e tij ‘’Shqiptarët e veriut’’ në pjesen; ‘’krijimi i lidhjeve të mirditorëve katolike’’, na thotë se: ‘’në shek.XV katundet në Mirditë , kishin këtu vetem rolin ngjitës… Si një lidhje e fuqishme ushtarake e këtyre fshatarave përmendet Mirdita rreth vitit 1570’’. Kjo është arsyeja që Barleti në vepren e tij nuk e përmendë askund Mirditën si krahinë etno-gjeografike, por vetem disa emra të kësaj treve si Bulgër, Molungë, Perlat, etj. Madje, Barleti edhe komondantin e shquar të Skenderbeut, Pjetër Perlati, të cilit, Heroi ynë, i besoi mbrojtjen e Sfetigradit nga rrethimi i Muratit, na thotë se ishte nga Aemathia duke e quajtur me titullin kishtar të dyzuar, sipas t’dy kishave, ’protosingjelë dhe abat’. Ky emërim i Barletit vinte, se në shek.XIV-XV kishat e Arbërisë luhateshin midis lindjes e perendimit, për arsye të konflikteve midis Romës e Bizantit, por me ardhjen e Osmanëve situat ndryshoi tërësisht në favor të katolicizmit. Nga ana tjetër, peshkopata e Arbanonit, në Mirditen e sotme, që në kohen e Dhimitrit (1208) e kishte braktisur ritin ortodoks të besimit kristian duke u kthye përfundimisht në gjirin e kishës katolike. Prandaj në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një prift protosingjelë ortodoks, por me një abat katolik, ashtu siç na thotë Barleti. Evidentojmë se, si toponimi Perlat ku është njesuar llagapi i klerikut luftëtar mirditor dhe titulli kishtar abat, nuk gjinden askund tjetër në vendin tonë, vetem në Mirditë. Ndërsa ka mjaft të dhëna arkivale për veprimtarinë dhe bëmat e Skendërbeut, janë të pakta të dhënat për jeten e tij përsonale e sidomos për rininë në periudhen e parë të veprimtarisë së tij deri me 1443, kur ai përfundimisht u kthye në Krujë. Megjithatë, këto dekumenta osmane edhe pse fragmentare, na tregojnë se Gjerj Kastrioti, pasi mbaroi shkollën e iç-ogllanëve, që në moshen 21- veçare, nga viti 1926 deri 1939, plot për 13 vjet, sherbeu si nënpunës osman, spahi, në një timar të zgjeruar nga Lezha në Rubik, ku përfshinte të gjitha treva e sotme mirditore të Malësisë së Lezhës, duk rrokur edhe Kastrin me një pjesë të madhe të Mirditës, që me sa duket ishte gjithë harku gjeografik i trojeve të vjetra të Kastriotëve. Dihet, se turqit, pas pushtimeve fillimtare, princat vendas i lëjonin të administronin tokat e tyre si nënpunës osman, por me kusht që të pranonin vasalitetin dhe detyrimet e dauletit. Kështu, një dekument osman i viteve 1430, i tregon Kastriotët në domenin e tyre si; Gjergj Kastrioti, spahi, në trevat e Mirditës së sotme, Lezhë- Rubik, Stanishin në Mat, ndërsa Gjon Kastrioti subash në Krujë. Për këtë fakt, ‘’Historia e Popullit Shqiptar’’Pj. I bot.2002(f. 393) në pikën ‘’Jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit deri 1443’’ na dëshmon se: ‘’ Gjergji pasi u mor peng rreth moshës nëntëvjeçare, u dergua në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në Endrene. Ai u edukua këtu gjatë një periudhe dhjetëvjeçare në shkollën e iç-ogllanëve, ku u dallua mbi të tjerët….. Emri i Gjergj Kastriotit për herë të parë përmendet në Shqiperi bashkë me ata të vëllezerve të tij në dekumente të vitit 1426 për çeshtje pronësie. Në këtë kohë Skenderbeu kishte mbaruar shkollën e iç-ogllanëve dhe ishte në Shqiperi si spahi… Fshatrat që formonin timarin e tij gjatë kohës kur ai ishte në postin e spahiut, kanë qenë disa fshatra të vilajetit të Dhimitër Jonimës, diku midis Lezhës dhe Rubikut, ku në mes të viteve 30 Skenderbeu pati në zotrim një timar të madh… që përfshihej nga udha e karvanëve që lidhte bregdetin me Prizrenin… Me 1437-38 Skenderbeu u bë subash i vilajetit të Krujes dhe siguroi për këtë një feud të madh prej dhjetëra fshatrash.’’ (H.P.SH.f.393) Ngjarja më madhe, që solli epopenë Skenderbgiane, ishte kthimi i Skenderbeut në Krujë si çlirimtar me 28nëntor 1443, si dhe thirrja e Kuvendit të Lezhë me 2 mars 1444, ku u themelua Lidhja Shqiptare e lezhës në të cilen Skenderbeu u zgjodh kryetar i Lidhjes dhe Komondant i përgjithshëm i saj. Kjo lidhje me një evulucion të brendshëm, të diktuar nga lufta me turqit, u kthye në një aparat shtetëror, në një shtet të përqendruar që kishte si bazë zotrimet e Kastriotëve. ‘’Edhe në të zgjedhurit të vendit’’ ( për thirrjen e Kuvendit) na thotë Barlet në historinë e tij, Skendërbeu veproi me po atë urtësi e maturi…sepse, Lezha ndodhej afër zotrimeve të pjesmarrëseve kryesor të Kuvendit dhe se ishte si një thirrje miqësore ndaj zotrive venedikas për bashkpunim në luftë kundër osmaneve.’’ Nga ana tjetër, Lezha ndodhej midis zotrimeve të Kastriotëve dhe Dukagjinëve, pra, pranë vendlindjes së Skendërbeut, në Kastër të Malësisë së Lezhës. Madje, Lezha, para se t’u dorëzohej për administrim venedikasve, nga Pal e Nikoll Dukagjin, ka qenë kryeqendër e përbashkët e të dy principatave arbërore kufitare. Për këtë Aleks Buda dëshmon se; ‘’Midis rrjedhjes së poshtme të Matit dhe të Drinit shtrihen zotrimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër.’’( P.C. Ll). Në një linjë me të është edhe Rilindasi i shquar Abati i Mirditës Preng Doçi , kur tek ‘’Topografia e Lezhës na fakton se; ‘’Lezha ka bërë pjesë, sikurse edhe sot, në treven e Mirditës, që lufton nën shenjën e Kastriotit dhe qe cep i Dukagjinëve.’’ Lezha, ndryshe nga qytetet e tjera, që iu dorëzuan Venedikut kundrejt një vlere në dukat, sipas Shuflajt; ‘’Ajo u dha me qera venecianëve dhe po sipas Hoppit; ’’Dukagjinët, si qera, nga të ardhurat e qytetit, mernin 1/3 e të tyre, kundrejt 2/3 të Republikës’’. Në këto rrethana, Dukagjinët e Kastriotët, si shtëpiar që ishin, thirren në këtë vend, një kuvend të madh në Katedralen e Shën Nikollës. Beslidhja shqiptare e Lezhës mori vendime të mëdha. Ajo krijoi një arkë lufte për të mbajtur ushtrinë e përbashkët të Lidhjes, që do të komandohej nga Skendërbeu. Me këto forca ushtarake komanda shqiptare me në krye Kastriotin, arriti të përballoi 25 beteja. Duke prapsur e thyer edhe forca kolosale të ushtrive perandorake të llogaritura në mbi 100 000 veta, të udhëhequra nga sulltan Murati i Dytë dhe Mehmeti i Dytë, për rrethimin e Sfetigradit (1448) dhe të Krujes (1450, 1466, 1467).
Në foto: Memoriali i Skënderbeut. Këtu ndodhet Katedralja e Shën-Nikollës, ku u mbajt Kuvendi i Lezhës dhe po këtu është varrosur Gjergj Kastrioti- Skënderbeu
Në foto: Obelisku i Besëlidhjes së Lezhës, 2 mars 1444
Në këto beteja, Skendërbeu nuk ishte i vetem, por e komandonte luftën anti -osmane me kapidan e komandantë të shquar e besnik. Duke u nisur nga emrat dhe mbiemrat e tyre, vëmë re se disa nga gjeneralët më të besueshem të Kastriotit, i përkasin harkut gjeografik të Mirditës. Kështu, përveç Pjetër Perlatit, që Skenderbeu i besoi mbrojtjen e Sfetigradit, Barleti na përmend edhe një perlatas tjetër, komondant e kapedan trim, me emrin Gjon e llagapin Perlat, i cili, ‘’nga një dredhi të Ballaban Pashës u kap në një pusi në bigat e Vajkalit së bashku me tetë kapedanë të tjerë të shquar, të cilët iu çuan sulltan Mehmetit në Endrene, që pasi u torturuan,të gjithë u ropen të gjallë.’(Barleti f.447)
Nuk është rastësi, që arken ( thesari) qendror të shtetit, dhe tërë veprimtarinë financiare të mbretërisë, Skenderbeu ua besoi priftërinjëve dhe peshkopëve katolik nga peshkopata e Arbanonit, në Mirditën e sotme. Roli i priftërinjëve të Arbanonit del shumë qartë në aktin financiar që njohim deri më sot, i dalë nga vetë dora e Skendërbeut, ku shkruehet se; ‘’Atë vit. ..Për të tërhequr të hollat, të dhuruar nga Papa, Skënderbeu autorizoi përgjegjësin e thesarit Andrea Sumen. ( nga sumajt e Gjegjani të Mirditës) Ai u paraqit me 18 shkurt 1452 tek noteri i Skenderbeut në Lezhë, Mihele de Nikolai (Mëhill Nikolla). , një noter me autoritet publik të përgjjithshëm dhe tani kancelar i Lezhës. Përpara tij Skëndërbeu deklaroi se ngarkonte me prokurë të rregullt peshkopin e gjithë Arbanonit, Andrea Suma, për të marrë në dorëzim në Raguzë shumen e mbledhur nga kisha në favor të luftës. Në bazë të kësaj prokure peshkopi Andrea Suma, drejtor i thesarit të shtetit të Skenderbeut, tërhoqi në Raguzë nga përfaqsuesit e Papës me 18 mars 1452 shumën 4893 dukatë ari.’’(Lezha.12 p f. 26) Ndër diplomatët më të shquar të Skenderbeut, që u akorduan si ambasador në tre shtetet kryesore aleate; tek Papa në Romë, Raguzë, dhe Budva në Hungari, kanë qenë Pal Gazulli, Andrea Gazulli si dhe Doktori i shkencave të matematikës dhe astronomi i shquar Gjon Gazulli. Të tre ambasadorët, i përkasin degës Gazullore me origjinë nga Gjazulli mirditor, pranë Kastrit në Kashnjetin e Malësisë së Lezhës, vendorigjinës së Kastritëve.
Kristo Frasheri në librin e tij‘’Hist. e Dibrës’’ (f.86), dekumenton se; ‘’Para shekullit XIX udhëtari erodit Ami Boue kishte dëgjuar se Skendërbeu kishte lindur në Mirditë në fshatin e Kastrit, gjysëm ore larg fshatit Vig’’. Po kështu, në fillimet e shek. XIX, historiani austriak Jakob F. Falmerajer, në librin e tij ‘’Elementi shqiptar në Greqi’’, pohon se; ‘’Kastriotët ishin nga fshati Kastër i Mirditës.’’ Në të njëjtin linjë është edhe historiani turk Nuray Bozbora, i cili në vepren ‘’Shqiperia në perandorinë osmane’’, na thotë se ;‘’Skenderbeu ishte më i vogli i djemëve të Gjon Kastriotit, që njihej një nga princat katolik të rajonit të Mirditës.’’ Ndërsa studiuesit shqiptarë që janë marrë me historinë e Skenderbeut si Fan Noli, Preng Doçi, Noc Nikaj si dhe Aleks Buda, i vendosin tokat e Kastriotëve në një shtrirje diogonale nga rrethinat e Lezhës, nëpër trevat mirditore të Rubikut e të Oroshit, deri në Prizren. Duke u zgjeruar më vonë në tokat e Bregut të Matit, Fushë-Kuqes, të Nërshllinzave, ku kastriotët zotronin kriporen e Shen-Kollit e në Rodon. Vetë Luigj Hekardi në vepren e tij‘’Historia e Gegrisë’’ (f.221) na thotë se; ‘’Mirditorët.. sipas gojëdhënës së tyre, rrjedhin nga princat e Dukagjinit dhe të Kastriotëve’’. Eshtë akademiku, Mark Tirta, që ka mbledhur një listë të pasur toponimesh e legjendash në trevat e Mirditës, ku në to del i njësuar dheu i arbanonit me emrin e Kastriotëve dhe bëmat e Skenderbeut.
Në foto: Kalaja qytet e Kastrit (Kastriotit) Selia e Gjon Kastriotit deri në vitin 1430, kur Ai u emërua “Subash” në Krujë
Ndërmjet Kallmetit dhe Roboshtës, pranë krahinës mirditore të Kastrit, gjendet një maje mali me emrin Kastriot. Këtu gjenden konturet e një kishe, që banorët vendas e kanë quajtur kisha e Kastrit, në të cilët thuren gojëdhëna si; Gjergji me Doniken, në këtë kishë, patën vu kunoren e shenjtë martesore, ndërsa tjetra na thotë; para se ta pushtonin turqit Lezhën, priftërinjtë katolik të kësaj kishe e moren dhe e rivarrosen Heroin, nën altarin e saj. Po në Kashnjet të Lezhës, pranë Vigut të Mirditës, janë ruajtur dhe ekspozuar mjaft mire konturet e kështjellës mesjetare të Kastrit. Emri greko- bizantin Kathreon (Chathrieotis–kështjellar), përputhet etimilogjikisht si emër dhe gjeografikisht si vend, me kalanë e Kastrit që është buzë lumit Gjader, vija Zeta, që lidhte dikur Shkodrën me Oroshin. Banorët e krahinës si dhe dekumentat mesjetare e quajnë atë kështjellë, kalaja qytet, gjë që tregon se ajo dikur ka qenë mjaft e banuar. Ku sipas gojdhënave, në këtë vend, stergjyshi i Skenderbeut, që ka jetuar në këto anë, ka qenë kështjellar, nga i cili, filloi ngritja e familjes dinastike të Kastriotëve. Ndërsa Gjon Kastrioti, këtu kishte rezidencën e tij, derisa u bë subash në Krujë në vitin 1430. Për këtë fakt, Johan Hahn, në vepren e tij (‘’Studime shqiptare’’ në pjesen‘’ Udhëtim nëpër viset e Drinit e Vardarit’’) i mbeshtetur në tregimet e priftit të Vigut të Mirditës, Dom Engjullit, në vitin 1862 na dëshmon se;’’Skenderbeu kishte lindur në një qytet të madh , tashma të shkatrruar, rrënojat e shpërdara të të cilit ndodheshin gjysmë ore në perendim të famullisë së tij të Vigut dhe të cilin populli e quante edhe sot e kësaj dite ‘’Kastri’. Këtu sipas tij kishte jetuar i ati i Skenderbeut, i cili kishte vazhduar të rronte aty edhe mbasi i ishte dorëzuar sulltanit.’’
Në foto: Shqiponja e Derës Kastrioti në afreskun e Kishës së Shna Nout, Rodon dhe 2 Shqiponja e Bajrakut të Dibrrit në Malësinë e Lezhës
Po kështu, flamuri i bajrakut të Dibrrit, që rrokë edhe Kastrin e Mirditës, si relika më e vjetër e ruajtur e flamurit shqiptar, ka të veçanta, se simbolet heraldike të tij, në veçanti shqiponja, përputhet tërësisht me shqiponjen e derës së Kastrotëve që ndodhet në afreskun e Kishës së Shna- Nout, në Rodon. Në të dy rastet shqiponjat janë indentike, krahët e shqipës janë të hapura dhe ndryshe nga flamuri ynë Kombëtarë, flatrat janë të kthyera poshtë. Madje, si te flamuri i Dibrrit ashtu dhe tek ai i Kastriotëve në Rodon, të dyja shqipet në krah e tyre kanë nga 6-7 palë pendë. Dihet se Kastriotët kanë patur lidhje të forta me Lezhen e trevat mirditore të saj. Këtu qe bërë kuvendi i madh i fisnikeve dhe u krijua Beslidhja shqiptare e Lezhës. Vetë Barleti na thotë se;’’Skenderbeu e dontë në mënyrë të veçantë Lezhën.’’ Këtu në Lezhë, pranë vendlindjes së Skenderbeut, u pranua nga prijësat shqiptarë varrimi i Heroit. Madje gratë mirditore, për 500 vjet kanë mbajtur në kokë vetem shaminë e zezë. Këtë veprim energjik të respektit të mirditorëve e kishte vënë re edhe anglezja Durham e cila tek;‘’Brenga e Ballkanit’’ në pjesen Mirdita, shkruan se;‘gratë mirditore mbajnë xhurdi të zezë në shenjë zie për Skenderbeun.’Të gjitha këto,vertetojnë atë se vendorigjina e Kastriotëve si dhe vendlindja e Skendërbeut, është Kastri Mirditor në Malësinë e Lezhës.
(Autor i këtij shkrimi, të botuar në ‘Koha Jonë’, është studiuesi Mark Uci)
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...