Kaq shqiptarë morën lejen e qëndrimit në BE në 10 vjetët e fundit

08:33 | 28 Tetor 2018
Arbresh.info

Në dhjetë vjetët e fundit 560 mijë shqiptarë janë pajisur për herë të parë me leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe të përpunuara nga Monitor.

Numri i shqiptarëve që janë pajisur me leje qëndrimi në 10 vjetët e fundit në vendet e BE-së përllogaritet të jetë sa 19.5% e popullsisë aktuale të Shqipërisë, bazuar kjo në të dhënat e Eurostat për lejet e qëndrimit, INSTAT për popullsinë, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Eurostat, pjesa më të madhe të lejeve të qëndrimit është lëshuar për arsye familjare.

Shqipëria ka shënuar rekord për numrin e lejeve të qëndrimit në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, ku prej 2008-s qytetarët shqiptarë kanë kryesuar për numrin e tyre.

Rekordin e lejeve të qëndrimit të lëshuara për herë të parë këto 10 vjet u shënua në 2008-ën, ku sipas Eurostat u pajisën me leje qëndrimi gati 100 mijë shqiptarë. Më pas numri i lejeve hyri në trend rënës, ku më 2013 kapi nivelin më të ulët prej 31 mijë aplikimesh, por duke mbajtur rekordin në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas 2013-s numri i lejeve të qëndrimit u rrit sërish, nga 2014 deri 2017-n u pajisin me leje qëndrimi për herë të parë rreth 200 mijë shqiptarë. Kjo përkon me valën e re të emigracionit, ku aplikimet për azil në 2015-n arritën mbi 60 mijë.

Në vitin 2017, numri i lejeve të qëndrimit të lëshuara për shqiptarët nga vendet e BE-së ishte 51 mijë e 600, ku rreth 29 mijë u dhanë për arsye familjare, rreth 2000 për arsye shkollimi dhe 5 mijë për punë.

Pas Shqipërisë, për 2017-ën me numrin më të lartë lejesh qëndrimi të lëshuara renditet Serbia, ku rreth 40 mijë qytetarë të saj u pajisën për herë të parë me leje qëndrimi nga vendet e BE-së. Në ndryshim nga qytetarët shqiptarë pjesa më e madhe e serbëve kanë marrë lejet e qëndrimit për arsye punësimi, rreth 17 mijë, 13 mijë për arsye familjare dhe 2400 për arsye shkollimi.

Në vend të tretë, për numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit renditet Kosova, ku sipas të dhënave në databazën e Eurostat vetëm gjatë 2017-s janë marrë rreth 26 mijë leje të reja qëndrimi, pjesa më e madhe e të cilave janë lëshuar për arsye familjare.

Ndërsa maqedonasve iu lëshuan rreth 16 mijë leje qëndrimi nga vendet e BE-së, ku edhe këtu mbizotëronin lejet e qëndrimit për arsye familjare. Në rajon numrin më të ulët të lejeve të qëndrimit e ka Mali i Zi, ku sipas Eurostat u pajisën në 2017-n 2500 qytetarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme