Google ADS

Kapet banda që terrorizoi Pogradecin

20:55 | 12 Gusht 2020
Arbresh.info

Mbi këtë hotel në Tushemisht të Pogradecit vetëm në një javë u kryen dy atentate. I pari në datën 1 gusht ku atentatorët tentuan të qëllonin djalin e pronarit të hotelit, Jetmir Muçollarit por iu bllokua arma kallashnikov.

Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin e sulmit. Ndërsa atentati i dytë ndodhi në datën 8 ku ndaj hotelit me dhjetëra pushues dhe makinave në parkim u lëshuan 100 plumba kallashnikovi.

I pari që u arrestua si i dyshuar për këtë ngjarje është Mariglen Topuzi, për të cilin gjykata e Pogradecit të martën dha masën e sigurisë arrest në burg për 30 dite. Avokati i tij, Nevzat Tarelli mbas seancës u shpeh se për klientin e tij nuk ka prova që ai të jetë përshirë në asnjë nga ngjarjet e ditëve të fundit.

“Kam pamje filmike ku tregojnë që ai ka qenë në shtëpi në momentin kur ka ndodhur ngjarja dhe deri ku policia ka shkuar për ta shoqëruar”, thotë avokati.

Mbrëmjen e së hënës, për atentatin që shkaktoi terror të pushuesit, policia në bashkëpunim me forcat Renea vunë në pranga Ilir Berberin dhe 3 bashkëpunëtorë të tij, Ilir Meçolli, Ardian Xhuti dhe Elvir Haxhia. Ilir Beberi kishte ngritur një çadër në pyllin e fshatit Vërdovë në Pogradec, me qëllim që të fshihej nga policia.

Të gjithë emrat e mësipërm, dyshohet se janë pjesë e një grupi të njohur në Pogradec, me precedentë të shumtë, të cilët kanë pasur mbështetje politike kryesisht nga eksponentë të së majtës.

Ngjarja në hotelin në Tushemisht, dyshohet se lidhet me një konflikt të ndodhur një vit më parë mes djalit të pronarit të hotelit dhe autorëve, ndërsa më pas familjes Muçollari iu dogj automjeti.

Për këtë ngjarje u arrestua Mariglen Topuzi, për të cilin gjykata e Pogradecit e dënoi për djegien e makinës.

Në seancën gjyqësore për këtë ngjarje, e mbajtur në datën 10 shkurt të këtij viti, dyshohet se Ilir Berberi ka kërcënuar pronarin e hotelit që iu dogj automjeti, që të mos dëshmonte në gjyq kundër Topuzit, dhe për këtë ai ka kundërshtuar edhe punonjësit e policisë dhe të burgjeve.

Ndërkaq pjesë e këtij grupi në Pogradec, janë Meardi Berberi dhe Brian Syzo, që të dy të shpallur në kërkim, po për atentatin ndaj hotelit.
Meard Berberi, i njohur edhe me pseudonimin Koro, pëe shkak të shërbimeve që i ka dhënë politikës ishte emëruar drejtor juridik në ujësjellës dhe më pas kërcënoi me vdekje drejtorin pasi e shkarkoi. OFL ndërkohë ka kërkuar sekuestrimin e të gjitha pasurive të tij.

Ndërsa Brian Syzo , djali i një eksponenti të majtë në qytet i ka shpëtuar vite më parë një atentati për vrasje ndërsa ka qenë shpesh objekt i punës së policisë për shkak të precedentëve penalë të theksuar.

Qyteti është tronditur vërtetë nga kjo ngjarje.
Në një akt të tillë terrorist të ndodhur në qytetin e Pogradecit, ku u qëllua me 100 plumba ndaj një hoteli e ku mund të kishin humbur jetën dhjetëra pushues, autorët do të gjykohen për prishje të qetësisë publike, sikundër dikush që i ngre zërin kasetofonit të makinës./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme