Gjashtë shqiptarë dhe një polake u arrestuan nga policia holandeze mes Amsterdamit dhe Roterdamit me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Arrestimi u bë i mundur pas një hetimi dy palësh nga autoritetet holandeze dhe ato të antimafias në Firence.
Të gjashtë personat e arrestuar dyshohet se janë përgjegjës për vepra të shumta kriminale si trafikim ndërkombëtar të drogës, posedim të armëve dhe për pastrimin e parave të pista.
Hetimet në bashkëpunim kanë nisur që prej vitit 2015 nga qeliza e kësaj bande e cila operonte në Firence e drejtuar kryesisht nga shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.
Banda drejtonte trafikun e drogës duke importuar kokainë nga Amerika e Jugut në Holandë dhe më pas e tregtoi në disa vende evropiane, përfshirë Italinë dhe Anglinë, shkruan corrierenazionale.it.
Sipas të dhënave, grupi po tentonte të fuste në tregun italian para dy javëve të paktën 20 kilogramë kokainë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar, një ton drogë (140 kg kokainë dhe 700 kilogramë marihuanë), edhe 4 milionë euro cash, tetë armë zjarri dhe municione luftarake se dhe një granatë dore. Po ashtu janë sekuestruar dhe makina të shumta e pasuri të patundshme në Holandë, si dhe një biznes.
Pak ditë më parë kryeprokurori i Roterdamit deklaroi se grupet kriminale shqiptare po arrinin majat në veprimtaritë e paligjshme, kryesisht trafikun e drogës.
Ekziston dyshimi se ata shumë shpejt po ngjiten në majat më të larta të krimit. Duket se shqiptarët janë më shumë se mesatarja e krimit aktiv në Amsterdam kohët e fundit, kështu që ne do të donim të dinim se sa janë këtu”, ka thënë prokurori i Amsterdamit Maaike van Kampen.
Për të vërtetuar numrin e shqiptarëve që qëndrojnë në Holandë, gjatë verës një agjenci e specializuar monitoroi faqet shqiptare në internet që klikohen nga territori i Holandës përmes smartphoneve dhe tabletëve.
Rezultoi se me smartphone ekzistonin 35.953 vizitorë unikë dhe 4475 vizitorë nga tabletët. Këto shifra të larta janë ndoshta për shkak se një shqiptar mund të ketë në përdorim më shumë se një smartphone.
Kjo është arsyeja pse autoritetet holandeze kanë marrë për bazë shifrën 20 mijë shqiptarë dhe jo më shumë se 35 mijë.