Google ADS

Kandidatja e PD: Rama nuk është as burrë katundi, ai s’menaxhon dot as gjatësinë e vet

01:11 | 16 Mars 2021
Trina Galanxhi

Flutura Açka është shkrimtare, publiciste, botuese dhe një grua që nuk druhet kurrë ta thotë mendimin e saj hapur, cilido qoftë ai. Jo rrallëherë krijon polemika e nxit diskutime. Por përdita e saj tashmë do të jetë ndryshe. Pena e Açkës e konsoliduar bukur, që ka mbushur libraritë kudo me veprat e saj, do të njohë një dimension të ri. Ajo e ndjeu se ka ardhur koha që të hyjë në një tjetër hapësirë, atë të politikës, sado një mjedis me një klimë jo frymëzuese…

E bindur se ambienti aktual i politikës është i ashpër kundrejt brishtësisë së një shkrimtareje, vargut të saj të thellë dhe transparent, Flutura Açka nuk do hyjë brenda saj as për t’u përshtatur, e as për të vënë ‘maskë’, por si një zonjë e matur… E mësuar të ecë çlirët, përmes lirisë që i jep të qenët shkrimtare, Flutura tashmë do të rendë drejt një rrugetimi te ri. Znj.Açka thotë për “Gazeta Shqiptare” se ka maturinë e mjaftueshme që ta bëjë hapin drejt politikës dhe opozita është afër vokacioneve të saj… Dhe projektet e Flutura Açkës në politikë, janë të një njeriu të letrave.

Shkrimtarja e njohur është risia e listave të PD-së për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Ajo do të kandidojë në qarkun e Elbasanit. Znj. Açka ka njohje me disa prej politikanëve nga të dy krahët e politikës, madje një pjesë janë lexues të përhershëm të saj. “I kam miq në marrëdhënie distante, të kujdesshme, rrallë për kafe. I kam pasur përherë telefonat e tyre, por kurrë nuk u kam rënë”, – shprehet znj. Açka.

Flutura Açkën deri tani e kemi gjetur nëpër libra, por tashmë drejt një sfide të re, duke vendosur që të kontribuojë në politikë brenda sistemit. Ku e ka burimin zanafilla e përfshirjes suaj në Partinë Demokratike?

Pavarësisht se nga jashtë sistemit, unë jam marrë në një mënyrë apo në një tjetër me politikën; fundja vetë njeriu është qenie politike, për sa kohë jeton në komunitet dhe ka qasjet e tij mbi sjelljet shoqërore, mbi drejtimin dhe organizimin e saj dhe në hapësirën e politikës në të. Si një natyrë e paqetë ndaj njollave të errëta që e kanë shoqëruar në këta tridhjetë vjet demokracinë shqiptare, kam qenë e pranishme me shqetësimet e mia “politike” përderisa e kam gjykuar atë. Në shoqëritë e emancipuara kjo është një rutinë, ose e thënë më saktë, detyrë e elitës mediatike, letrare, artistike, ajo e ka për detyrë t’ia kujtojë politikës gabimet, dhe politika modestinë t’i pranojë dhe t’i ndreqë. Kjo nuk funksionon ndër ne, ndoshta sepse jemi ende një demokraci e brishtë që po ndërtohet përmes një tranzicioni të ngadaltë, të turbullt e të lodhshëm, që i ka shtyrë shqiptarët shpesh të kthehen në nostalgjikë të së shkuarës së tyre të errët, kur po të citoj ata “kishte shtet”, edhe pse nuk ishte shtet që u shërbente atyre.

Kjo klisheja e një shteti pa shtet, po e bjerr durimin tonë për ta çuar deri në fund tranzicionin. Nga dita e parë e vokacionit tim të qartë politik në shërbim të demokracisë, dhe këtu po flas për reportazhet e mia të para si gazetare e re pak ditë para kthesës historike të marsit 1992, kanë kaluar dekada, dhe ne jemi kthyer në pikën zero në nivelin e demokracisë sonë. Kemi rrugë më të shtruara, veshje më të bukura, ekrane më me shkëlqim, por kemi cenuar parametrat elementarë të asaj që thirret politikë, e që nënkupton shërbim ndaj qytetarit. Politikë te ne do të thotë mundësi për pasurim, mundësi për vila, mundësi për privilegje; kjo është vjellëndjellëse.

Sa besoni se një shkrimtare e “ndjeshme”, do të mund të përshtatet me ashpërsinë e politikës?

Ja përmes asaj ndjeshmërie që përmendni në pyetjen tuaj, unë kam aq ndjeshmëri sa të kuptoj hendekun mes meje dhe tjetrit, atij tjetrit që të ka besuar votën, shpirtin dhe jetën e tij. Ai tjetri, qytetari, nuk kërkon luks, as privilegje, por një jetë normale. Ndoshta unë nuk kam asgjë në dorë të ndryshoj, por kam fuqinë dhe mirësinë të dëgjoj, dhe ta përcjell zërin e tij duke e përfshirë në shqetësimin tim njerëzor. Kjo ndjesi, që ju mund ta lexoni si “qetësi mrekullitëse”, më vjen ngaqë nuk kam asnjë ngasje materiale, publike apo eterne. Këto paradigma që e drejtojnë dhe e mundojnë njeriun e gjallë, tek unë janë fashitur tashmë; jam një qenie e bërë e që i ka mbaruar kërkesat. Unë besoj se nuk përshtatem dot me modelin klasik të politikës, atë model që kemi ndërtuar ne, së paku. Kjo ngaqë njoh edhe një model tjetër, atë të parametrave të botës perëndimore ku jam barabitur njëzet vite. Kam qenë te të gjitha protestat e shoqërisë civile, që nga ajo e liqenit artificial e këtej, por shembja e Teatrit Kombëtar, i shembi edhe iluzionet e mia të fundit se ndryshimi mund të vijë nga jashtë.

Nuk mendoja se pas ikjes së tim Biri do të më trondiste në këtë jetë ndonjë gjë më, por atë ditë kam qarë. Kështu e kapërceva Rubikonin, por jo si Çezar që do të pushtojë syerrur nga amoku i pushtetit, por të mund t’ia vështirësoj politikës uzupimin e plotë të jetës sonë shoqërore. Ajo ka marrë aq shumë territore në jetën tonë, sa është tronditëse; ajo është shkëputur kaq shumë nga toka e saj, sa i ngjan një balone farfuritëse; ajo ka mjelë kaq shumë nga kjo shoqëri, sa e ka kthyer veten në armike të saj. A mund të ndryshojë kjo? Ngadalë, por mund të ndryshojë, dhe duke vëzhguar nga larg një grup vajzash e djemsh të rinj që drejtojnë sot PD-në, kam krijuar përshtypjen se do të sjellin një frymë të re drejt këtij modeli, politikanë të qetë, që argumentojnë, që nuk gërçasin, të papërlyer, një pjesë e të cilëve kanë studiuar jashtë dhe që ngjallin besim.

A ekziston frika se pena juaj tashmë e konsoliduar do të kthehet në një shije të athtë, për shkak të mjedisit ku ju po hyni, siç është politika?

Në fakt pena ime është e athtë, veç në u ngjeftë në shërbet! Nuk e besoj këtë, por po të përdor një shprehje të Adem Demaçit “pushteti është drogë e fortë”, do të vaksinohem në kohë nëse shoh ndonjë shkarje të vetes. Ftesa e Partisë Demokratike ishte shumë e sinqertë, kërkonte prej meje atë që unë isha, jo atë që duhej të isha dhe kjo nuk ka përse të ndryshojë. Unë nuk e shoh të qenët deputete (nëse fati e ka thënë të jem pasi të kenë folur votuesit) si pushtet, por si shërbim. Nja dy miq të mi holandezë kur u thashë se po e bëja këtë kapërcim, vunë duart në kokë, pasi unë nuk do të kisha kohë të merresha me letërsi prej rraskapitjes që të jepte deputetllëku. Natyrisht, ashtu e dinë ata këtë punë, rraskapitëse. Unë pata zor t’ua shpjegoja se çfarë dizajni dhe stofi ka deputeti shqiptar në sytë e publikut shqiptar dhe që sa larg është nga modeli europian. Për shkak të këtij modeli njerëzit e letrave, artistë e specialistë të shkëlqyer të fushave të ndryshme, kanë drojë të hyjnë në politikë, sepse rruga është bërë kaq pis, sa nuk i shpëton dot stërpikjes. E di riskun tim, por penën nuk besoj se do ta sheqeros lehtë, dhe ky nuk është një betim fals i thënë shkarazi, por nevojë për të mbetur dhe për të vdekur vetvetja.

Cilat janë njohjet tuaja me kreun e opozitës Lulzim Basha; cili është momenti i ftesës së tij për t’u angazhuar në PD?

Unë nuk kam njohje të afërta me z. Basha, e kam takuar rastësisht në ndonjë panair libri.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme