Në Shqipëri, të paktën 6 persona u arrestuan ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim gjatë një operacioni në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit ka nisur që në vjeshtën e vitit 2022, pasi në fshatin Rërëz, në zonën e Beratit u zbuluan 4 sera të cilat përdoreshin për kultivimin e lëndëve narkotike.
Prokuroria e Posaçme bëri të ditur sot se personat e arrestuar, dyshohet të jenë ndër njerëzit kryesorë që kishin vënë në jetë aktivitetin e kultivimit të bimëve narkotike në serra. Ajo shpjegoi se “ndaj të arrestuarve, disa nga Malësia e Madhe dhe të tjerë nga Kuçova e Berati, ka dyshime të bazuara në prova se në bashkëveprim në grup të strukturuar kriminal, në muajt maj-qershor 2022, ndërmorën një veprimtari të mirëmenduar më parë, për marrjen me qera të disa parcelave toke në Rërëz, Berat, ku pasi ngritën 4 sera për kultivimin e bimëve narkotike, instaluan një linjë furnizimi me ujë dhe një linjë me instalim të pajisjeve elektrike, dhe me të gjitha pajisjet e duhura, për kultivimin e bimës cannabis sativa. Ndërsa në periudhën shtator-tetor-nëntor, organizuan punën për procesin e tharjes, pastrimit e paketimit të sasive të lëndës narkotike, me qëllim shitjen e mëtejshme të tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
Kur në nëntor të vitit 2022 policia ndërhyri në serat e mbjella me cannabis, u konstatua se brenda tyre ishin punësuar 95 gra dhe vajza nga zona të ndryshme të vendit, të cilat merreshin me amballazhimin e bimëve narkotike. Ato paguheshin 5 mijë lekë të reja në ditë, ndërsa fillimisht u ishte thënë se do të mblidhnin ullinj. Gratë dhe vajzat, nuk lejoheshin të dilnin në mjediset e jashtme, dhe një pjesë e tyre kishin jetuar dhe ishin ushqyer me ditë të tëra brenda serrës, ku ishin vendosur po ashtu dhe 81 dyshekë me ajër.
Gjatë kontrolleve të atëhershme brenda në serrë u gjetën 769 arka plastike, 11 thasë plastmasi të zinj, të mbushur me bimë narkotike, me peshë totale 871 kilogramë si dhe peshore elektronike, gërshërë metalike, dyshekë e jorganë, aparate celularë dhe armë.
Në atë kohë 11 persona u arrestuan, mes të cilëve roje të armatosura që mbikqyrnin vendin si dhe dy gra D. M., 43 vjeçe dhe I. M., 25 vjeçe, që së bashku me disa të tjerë monitoronin aktivitetin brenda serrës.
Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se gjatë ditës së sotme kishte ushtruar kontrolle në banesat e 9 personave të vënë nën hetim që prej nëntorit të vitit 2022. Në banesën e njërit prej tyre “u gjetën dhe u sekuestruan 30 kubikë me fidanë kanabisi dhe fara kanabisi të kultivuara në ambient të mbyllur brenda njësisë së banimit, në katin e tretë, ku kishte instalime elektrike dhe pajisje elektrike (llampa) dhe mushama reflektuese. Në përfundim të kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e sendeve prova materiale: 33 aparate celularë të llojeve e modeleve të ndryshme, 1 DVR, 1 laptop, 1 kartë memorie dhe 5 automjete”./VOA
Bombardimet pakistaneze në Afganistan vrasin 46 persona
Aksident i rëndë në fshatin Dobërçan, katër persona dërgohen...
Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë, MPJ...
Reduktimet e rrymës, reagon Daut Haradinaj: Hajnia me GEN-in...
Berisha uron Krishtlindjet nga Kisha Katolike: Magjia e kësa...
Siljanovska me kritika ndaj BE-së në fjalimin vjetor: Është ...