Në Shqipëri vonesat në dhënien e drejtësisë sipas juristëve po sjellin pasoja në jetën ekonomike dhe sociale të vendit.
Në sistemin e drejtësisë largimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve si pasojë e procesit të Vettingut, kanë sjellë boshllëqe dhe qytetarët nuk po marrin drejtësi brenda një afati të arsyeshëm.
Gjykata e Apelit në Tiranë e vetmja e këtij lloji në vend, ka numrin më të ulët të gjyqtarëve në detyrë krahasuar me gjykatat e tjera, ndërsa stoku i dosjeve ka ardhur duke u rritur.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i tha Zërit të Amerikës se po harton një strategji për uljen e çështjeve të prapambetura në të gjitha gjykatat.
Në Shqipëri sistemi i drejtësisë vijon të mbetet i mbërthyer nga ngërçi i vendeve bosh si pasojë e largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga procesi i Vetting-ut.
Sot në këtë sistem mungojnë 39% e gjyqtarëve dhe 31 % e prokurorëve dhe situata paraqitet e përkeqësuar krahasuar me dy vite e gjysmë më parë.
Veç mungesave, organet e drejtësisë po përballen me një strukturë të re pas miratimit të hartës së re gjyqësore që përgjysmoi numrin e gjykatave në vend.
Sot pas disa muajsh KLGJ ka arritur në konkluzionin, se në pjesën më të madhe të gjykatave, harta e re solli shpërndarje të barabartë të drejtësisë dhe balancim të numrit të gjyqtarëve me dosjet në shqyrtim, si dhe rritje të numrit të çështjeve të përfunduara në disa gjykata. E megjithatë qytetarët vijojnë të përballen me vonesa në marrjen e drejtësisë.
Arben Resuli, drejton një aktivitet tregtar modest në fushën e riciklimit. Prej më shumë se një viti ai pret vendimin nga gjykata administrative e shkallës së parë në Tiranë pas padisë së tij, ndaj strukturave shtetërore që i pezulluan liçensën pas një kontrolli.
“Ekspertiza ishte në favorin tim, por unë kam kërkuar dhe dëmin ekonomik. Ndërkohë ka kaluar viti unë jam me liçensë të hequr. Unë nuk mund të bëj eksport. Nëse nuk bëj eksport jam i falimentuar. Kam 10 punëtorë që duhet t’i mbaj se kam kontratë me ta, të paktën deri në fund të këtij viti, por dhe me humbje s’mund të punosh dhe me një të ardhme që nuk mund ta parashikosh. Unë nuk e di kur mbaron gjyqi, duhej ta kisha marrë vendimin për 30 ditë. Nuk besoj se shtetit i intereson ta mbyll aktivitetin”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Arben Resuli, administrator i shoqërisë “Rea” shpk.
Në dy prej gjykatave më të mëdha në vend, në atë të shkallës së parë në Tiranë dhe atë të Apelit, numri i çështejve të shqyrtuara dhe të mbyllura, në 9 mujorin e parë të këtij viti krahasuar me atë të një viti më parë ka qenë më i vogël. Në të dyja këto gjykata numri i çështjeve të përfunduara ra me 17 dhe 25%. Nga ana tjetër stoku i dosjeve në Gjykatën e Apelit në Tiranë, vazhdon të rritet dhe ka mbërritur në mbi 37 mijë nga rreth 33 mijë që ishte në shkurt të këtij viti kur nisi zbatimi i hartës së re gjyqësore.
“ Këtu ka ndodhur një bllokim ekonomik, ne dalim themi duam investime të huaja, lekët janë këtu, por janë çështje të bllokuara. Sot gjen në gjyktatat tona gjen çështje mes shoqërive tregtare, mes një shoqërie tregtare dhe shtetit, ka njerëz të punësuar aty. Nëse çështja shkon 10 vjet shoqëria thotë po e mbyll, po iki nga Shqipëria”- u shpreh për Zërin e Amerikës Blerta Kraja avokate.
“Në rastin më të mirë shkon 10 vjet, në rastin më të keq nuk di të them sa shkon” -thotë Alban Çaushi avokat.
Ai vëren me keqardhje se ka një ndikim negativ në jetën sociale dhe ekonomike të vendit, për shkak të drejtësisë së vonuar. Mjaft prona janë bllokuar thotë ai për këtë arsye.
“Janë mosmarrëvshje të karakterit për njohjen e pronës, marrjen e pronës dhe pasurisë së qytetarëve. Sigurisht pengohet futja e tyre në qarkullimin civil, sepse janë sende të cilat në momentin që ka një mosmarrëveshje ato janë të bllokuara. Duke qenë se tek ne nuk ka një kulturë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në arbitrazh tregtar biznesi i zgjidh marrëveshjet në gjykatë. Shikojmë që ka bllokime kapitali, shtim të detyrimeve përkundrejt atyre të cilët janë debitorë ndaj kreditorëve të tyre, për shkak të interesave që llogariten në vijimësi. Pra e gjithë kjo është pasojë që bie në jetën ekonomike sociale të vendit”- argumentoi Alban Çaushi avokat.
KLGj i tha Zërit të Amerikës, se ka ngritur një grup pune dhe po analizon ecurinë në disa gjykata të vendit për të hartuar një strategji për uljen e çështjeve të prapambetura. Sipas parashikimeve të këshillit, pas tre vitesh synohet të plotësohet e gjithë trupa gjyqësore duke marrë në konsideratë prurjet nga shkolla e magjistraturës dhe pritshmëritë se disa gjyqtarë mund të rikthehen në detyrë nga Kolegji i posaçëm i Apelimit.
Sipas statisikave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, gjendja në disa gjykata të vendit paraqitetet më e rëndë.
Gjykata e Apelit e vetmja e këtij lloji në vend, ka mangësitë më të mëdha. Aktualisht në të ka vetëm 24 gjykatës nga 78 që duhet të ketë gjithsej, pra punon me 30% të trupës, ndërkohë që në gjyktatat e tjera mesatarja e trupës së gjyqtarëve në detyrë shkon nga 60-100%. Sipas njohësve të fushës kjo lidhet edhe me specifikën e emërimeve në këtë gjykatë. Mundësitë janë të kufizuara pasi kandidatët duhet të jenë magjistratë me eksperiencë jo më pak se 7 vjet. E megjithatë avokatë me përvojë mendojnë së zgjidhjet ekzistojnë.
“Nga pikëpamja e kushtetutës në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese mund të bëhesh anëtar i tyre, mjafton të kesh punuar 15 vite, të jesh një jurist i spikatur, të kesh punuar si avokat pedagog, apo kështu me radhë. Po ashtu mjafton të jesh thjesht një jurist i spikatur për të qenë inspektor i lartë i drejtësisë. Në këtë
kuptim është gjithë masa e madhe e avokatëve, ne kemi 3 mijë avokatë aktivë. Ka avokatë shumë të mirë në komunitetin e avokatëve. Mund të kenë eksperiencë të dendur dhe do të ishin një prurje interesante në sistem. Zgjidhja është një ndryshim kushtetues tek kriteret, se cili mund të jetë gjyqtar dhe prokuror, pra nuk do jenë vetëm nga shkolla e magjistraturës. Përvoja në Shqipëri ka treguar që kushtetuën e ndryshojnë dhe brenda natës, kur politika ka interesa”-vijoi Blerta Kraja, avokate.
Zëvendës kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi i tha Zërit të Amerikës se nuk mund të gjenden zgjidhje ekstraligjore, por po shihen mundësitë e rikthimit të skemës së delegimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit dhe se ka pritshmëri të larta se numri i shqyrtimit të dosjeve në këtë gjykatë mund të rritet ndjeshëm deri në fund të vitit.
“Gjatë këtij viti ne kemi bërë 3 ngritje në detyrë të gjyqtarëve dhe kemi aktualisht dhe 13 proçese të tjera për ngritje në detyrë të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Qëllimi kryesor është evadimi i çështjeve të prapambetura. Mund të vlerësohet në varësi të këtyre çështjeve që përmes skemës së delegimit të përfshihen dhe gjyqtarë që i plotësojne kriteret edhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ilir Rusi zëvendës kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Sot juristët po ngrenë shqetësim për pasojat që mund të ketë në të ardhmen buxheti i shtetit, nga mosdhënia e drejtësisë brenda një afati të arsyeshëm. Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strazburg ka filluar të japë vendime për të dëmshpërblyer qytetarët e prekur në Shqipëri nga tejekalimi i afateve të arsyeshme të gjykimit./VOA
Haradinaj në Pejë: Anëtarësimi direkt në NATO, shtysë për zh...
Aksident mes një kamioni dhe një veture në dalje të autostra...
Guardiola konfirmon lëndimet e dy yjeve të Man Cityt – thotë...
Ditë zie në Serbi, flamujt serbë ulen në gjysmështizë edhe n...
Haxhiu në Tiranë takohet me ish-ministren Gjonaj, diskutohet...
Për herë të parë në histori regjistrohet një uragan në Finla...