Javën e ardhshme shqiptarët mund të dalin për 2 orë e 30 min

15:17 | 22 Prill 2020
A. B.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu ka bërë me dije planin e masave për hapjen graduale të ekonomisë dhe protokollet e veçanta që duhet të ndjekin bizneset e hapura këtë javë dhe ato që do të hapen të hënën e ardhshme.

Përmes një komunikimi me median, Manastirliu njoftoi se bizneset duhet të pajisen me një leje në e-albania dhe duhet të ndjekin në mënyrë strikte protokollet e sigurisë, pasi në të kundërt do të penalizohen me gjoba e të tjera masa.

Manastirliu: Hapja e kujdesshme do të jetë graduale duke marrë kohë të paktën dy javë nga njëra fazë tek tjera për vlerësimin e situatës. Do të vlerësohet nëse do të ketë rënie apo shtim të rasteve të tjera me Covid, numrin e qytetarëve të spitalizuar dhe gjithashtu atyre në terapi intensive.

Fillimisht plani parashikon të hapen bizneset që kanë më pak risk. Aktivitetet që do të hapen do të funksionojnë me protokoll, sipas nivelit të riskut. Me lehtësimin e kujdeshëm të masave, po shtojmë kapacitetin spitalor, në rast se do të përballemi me rritjen e numrave të Covid.

Për monitorimin e masave dhe zbatimit të protokolleve po ngrihet task forca ndërinstitucionale anti-Covid. Çdo biznes i hapur apo që do të hapet duhet të respektojë me përpikmëri masat dhe protokollet e miratuara, bazuar në nivelet e riskut. Çdo biznes duhet të marrë vërtetimin dhe protokollin përkatës në e-Albania. Bizneset që nuk do t’i plotësojmë protokollet do të penalizohen.

Për bizneset ku rreziku i përhapjes së infeksionit është më i lartë, do të vendosen punonjës që do të monitorojnë situatën.

Manastirliu është shprehur se nëse situata vijon të jetë pozitive, atëherë qeveria po planifikon për shtimin e kohës nga 1 orë e 30 minuta, në 2 orë e 30 minuta.

Manastirliu: Nga java e ardhshme ne do të mund të rrisim në 2 orë e 30 minuta fashën e lëvizjes së individëve. Transporti taksi nga një qytet në tjetrin, do të jetë një shërbim tjetër i cili po planifikohet të kryehet. Në rast se nuk do të kemi tregues të qëndrueshëm, plani parashikon gjithashtu edhe rikthimin e masave shtrënguese. Nëse ne nuk do të kemi nevojë të ngrejmë frenat e emergjencës, atëherë në fillim të muajit maj mund të zgjerojmë fashën e lëvizjes së makinave brenda një bashkie, si dhe lehtësimin e këmbësorëve.

Të ngjashme