Demokratët dhe Lëvizja Socialiste për Integrim paralajmërojnë se nuk do t’i votojnë emrat e propozuar nga Rama për qeverinë e re, si dhe do të kontestojnë zgjedhjen e Gramoz Ruçin në krye të Kuvendit dhe Fatmir Xhafajn në krye të Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama u bëri thirrje dje demokratëve që të votojnë Ruçin në postin e kryetarit të Kuvendit, opozitarët jo vetëm që nuk janë dakord, por kanë menduar ta pengojnë zgjedhjen e tij me votë në Kuvend dhe me anë të një protestë jashtë Kuvendit. Sipas burimeve brenda grupit të PD-së 43 deputetët nga të cilët janë 20 deputetë të rinj, do të bëjnë përpjekje për të pamundësuar zgjedhjen e Ruçit si kryetar i Kuvendit. Mësohet se Basha ka dhënë urdhër që deputetët të ngrenë “kartoni e kuq” në momentet që Ruçi hidhet në votim.
Po ashtu strukturat e Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe organizatat e ish-të përndjekurit paralajmëruar një protestë para Kuvendit ku do të synojnë të pengojnë zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit dhe atë të Fatmir Xhafës, në krye të dikasterit të ministrisë së Brendshme. Për Gramoz Ruçin, deputetët e PD-së, kanë nxjerrë nga arkivat fakte që lidhen me veprimtarinë e tij si zyrtar gjatë regjimit komunist si dhe masakrën e Shkodrës, ku si drejtues i ministrisë së Brendshme akuzohet se ka dhënë urdhër për vrasjen e katër të rinj, mes të cilëve Arben Broci në protestën e 2 prillit në vitin ‘91. Ish të përndjekurit dhe drejtuesit e Forumit Rinor të PD-së do të bëjnë thirrje me altoparlantë mos zgjedhjen e Ruçit dhe Xhafajt. Ditën që Rama shpalli qeverinë e re, një sërë zyrtarët të PD-së, mbajtën qëndrim, duke përfshi këtu kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-kryetarin Berisha. Madje Basha ishte dhe më i ashpër ku tha se “Rama riktheu në pushtet elitën komuniste. Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre duke përmendur, Edi Ramën, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafën, Ditmir Bushatin dhe Sonila Qaton”.
Porositë e Bashës
Nga ana e tij, kryedemokrati Basha u ka dhënë deputetëve të tij disa porosi se si të sillen në Kuvend. Në fjalën që mbajti para grupit parlamentar Basha hoqi çdo lloj dyshimi se mes opozitës dhe maxhorancës do të ketë “paqe”. Madje Basha u kërkoi deputetëve që në parlament të bëjnë opozitë të fortë si dhe premtoi se forca politike që ai drejton nuk do të jetë e përfshirë në qeverisje dhe nuk do të ketë ndarje pushtetesh. “Dua ta filloj me një mesazh të qartë: qëndrimi ynë është i qartë. Ne jemi opozita dhe do të bëjmë opozitën, deri kur shqiptarët të na besojnë me votën drejtimin e vendit. Nuk mund të ketë e nuk do të ketë asnjë ndarje pushteti dhe asnjëlloj përfshirje të PD-së në qeverisje në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast. opozita ka një rol të madh në çdo shoqëri demokratike dhe një opozitë e fortë është më shumë se kurrë një domosdoshmëri e madhe për vendin”, theksoi kreu demokrat, duke, renditur më tej tre sfidat kryesore të PD në këto 4 vite opozitë, ndërsa tha se do jetë jo vetëm alternativë politike, por edhe alternativa morale. “Qëllimi i vetëm i yni është ta përmbushim me përkushtim dhe dinjitet këtë mision në interes të njerëzve, në interes të vendit tonë. Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë. Do të përcaktohet nëse Shqipëria do ti rikthehet integrimit europian, demokracisë dhe shtetit ligjor, po do të zhytet në krimin e organizuar në bashkëpunim me elitën e korruptuar të vendit. Ne kemi tre sfida të rëndësishme. Na takon ne PD dhe deputetëve të saj që të bëhemi pengesë që vendi mos rrëshqasë në kaosin e autokracisë dhe kriminalitetit. Droga, krimi, korrupsioni po e vdesin çdo mundësi për zhvillim në Shqipëri dhe po izolojnë vendin. Na takon ne të ndryshojmë politiken dhe ti ofrojmë shqiptarëve alternativën e lirisë dhe demokracisë dhe do të reformojmë dhe modernizojmë PD që do ti paraprijë reformimit të sistemit politik që do fillojë nga sistemi zgjedhor. Na takon ne që të jemi jo vetëm alternativë politike, por edhe alternativa morale”, tha ai.
Vasili: S’e votojmë qeverinë ‘Rama 2’ dhe Ruçin
Po ashtu dhe Lëvizja Socialiste për Integrim paralajmëroi dje së është kundër zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili është shprehur se kjo forcë politike do të votojë kundër zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit. Vasili lajmëroi edhe votën kundër qeverisë.“Është një destrukturim që krijon pesimizëm dhe që demotivon dhe nuk krijon asnjë arsye për ta mbështetur, ndërsa votimi për kryetarin e parlamentit është një votim formal dhe cilido që të ishte kandidati nuk do të kishte asnjë ndryshim për ne”. Vasili tha se vota kundër, si për qeverinë ashtu edhe për kryeparlamentarin është një vendim i konsoliduar i LSI-së dhe përjashtoi rrjedhjen e votave. “Ne kemi një qëndrim të unifikuar për këtë çështje dhe çështja e votimit nuk është çështje numrash. Është një çështje morali, pasi është e qartë që ka një shumicë dhe një pakicë. Moralisht dhe politikisht ky është një qëndrim i konsoliduar i yni dhe këtu çështja mbyllet”, deklaroi Vasili.
Deputeti i PD-së: Gramoz Ruçi është ideator dhe firmëtar i vrasjeve
Deputeti i Partisë Demokratike i Qarkut të Shkodrës, Bardh Spahia, me anë të një reagimi në rrjetin social “Facebook” ka shpërthyer në akuza të ashpra ndaj Gramoz Ruçit, një ditë para se ai të votohet si kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Në statusin e tij, Spahia e akuzon Ruçin edhe si “një ndër ideatorët dhe firmëtarët e vrasjes së 4 të rinjve dhe plagosjes së dhjetëra qytetarëve shkodrane në protestën antikomuniste te studenteve me 2 Prill 91 në Shkodër. “Ruci në krye të Kuvendit, jo përfaqësim i Sovranit, por cenim i integritetit, sovranitetit dhe moralit të shqiptarëve. Në kohën kur Shqipëria një vend anëtar i NATO-s, është në pikëpyetje të rrezikshme për hapjen e negociatave me BE për shkak të një qeverisje të lidhur kryekëput me krimin dhe trafiqet e drogës, nga partia shtet vjen një provokim edhe më i rëndë për çdo shqiptar dhe vetë institucionet demokratike; emërimi partiak i Gramoz Rucit si kryetar i Parlamentit pluralist. Ruci nuk mund kurrsesi të jetë modeli i përfaqësimit të sovranit, ai është figura që cenon rëndë sakrificat dhe përpjekjet shekullore të elitave të Kombit, nga Veriu në Jug, familjet e pasura e fisnike që u burgosën, u pushkatuan me gjyq e pa gjyq në burgjet dhe gulagët e Enver Hoxhës.
Emërimi i Rucit provokon duke fyer historinë më të ndritur të shqiptarëve, protestat mbarëkombëtare për rrëzimin e diktaturës, në vitin 90, prirjet demokrate dhe europiane të të rinjve, studentëve të dhjetorit dhe të gjithë shqiptarëve të cilët përmbysën muret e diktaturës nën moton “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Pas një çerek shekulli tranzicioni shumë të vështirë emërimi i Gramoz Rucit, Ministrit të fundit të Brendshëm të diktaturës komuniste me bilanc drithërues të dhjetëra shqiptarëve të vrarë mizorisht në kufijtë me tela me gjemba, Sekretar i parë të Partisë së Punës në Tepelenë, një ndër ideatorët dhe firmëtarët e vrasjes së 4 të rinjve dhe plagosjes së dhjetëra qytetarëve shkodrane në protestën antikomuniste te studenteve me 2 Prill 91 ne Shkodër, përbën ngjarjen më të turpshme dhe më të rëndë për pasardhësit e etërve komunistë, të ardhur në pushtet në 2013 nëpërmjet paktit me krimin dhe mashtrimit të qytetarëve shqiptarë. Spahiu shkruan se Ruci është modeli i kundërt me standardet e sistemit të lirisë së fjalës të institucioneve demokratike të Europës dhe SHBA. “Një shoqëri që po bën përpjekje titanike për tu shkëputur nga e kaluara e vet më e errët, një vend që ka përjetuar izolimin më të thellë dhe mjerimin më të madh ekonomik në Evropë, një vend ku asnjë klasë politike dhe ish politike nuk ka bërë asnjëherë një MEA CULPA ndaj gjenocidit të mijëra shqiptarëve, promovimi i një njeriu bashkëpunëtor me diktatorin është një varrosje e dytë e vetmohimit, sakrificave dhe kujtimit të tyre. Kjo qeveri dhe mazhorancë me këtë emërim pa asnjë moral e kriter historik e politik, do ti verë vulën përfundimtare antieuropianizimit të Shqipërisë dhe instalimit së një sistem autoritarist oligarko-komunist”, shkruan Spahiu.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...