Shitësja e një tregu të vogël në Shqipëri tregoi për AFP se pagoi 1 mijë e 200 euro që një “njeri i besuar” t’ia shoqëronte djalin e saj 16-vjeçar për në Francë, në fund të vitit të kaluar, aty ku ai iu bashkua mijëra azilkërkuesve të tjerë që vinin nga Ballkani.
“Është një sakrificë e madhe. Çdo natë i lutem Zotit” i tha Bukuria gazetarit të AFP, që dëgjoi rrëfimin e saj. 40 vjeçarja kërkoi të mos i dalë emri në media, pasi i frikësohet problemeve që mund të ketë me autoritetet.
Ajo tregoi se i biri, djali i saj i vetëm, sot jeton në një qendër për fëmijët e pashoqëruar nga prindërit. Mëson frëngjisht, me shpresën se do të nisë pastaj një kurs gatimi, në mënyrë që kur të arrijë moshën 18 vjeç, të ketë mundësi të qëndrojë në Francë.
“Dëshira ime e vetme është një e ardhme më e mirë për të” tha ajo për AFP.
Afërsisht 29 mijë shqiptarë kërkuan azil në Bashkimin Europian për vitin 2016, sipas Eurostat- pra 1% e popullsisë prej 2.9 milion vetësh.
Kjo shifër e rendit Shqipërinë, një vend aspirant të BE-së krahas kombeve të Sirisë, Afganistanit, Pakistanit, Iranit apo Eritreas.
Pavarësisht se konsiderohet një vend i sigurtë dhe demokratik, Shqipëria mbetet ndër burimet kryesore të azilkërkuesve për Bashkimin Europian, një skemë emigrimi, të cilën Tirana është zotuar ta ndalë.
Emigrimi masiv i shqiptarëve, shkruan AFP, vjen nga një rrogë mesatare prej 340 eurosh në Shqipëri dhe nga papunësia, që prek një nga tre të rinj.
Bukuria tregoi sesi ajo dhe i shoqi përpiqen ta mbajnë familjen prej 7 personash, duke shkuar çdo ditë nga fshati ku jetojnë, drejt kryeqytetit, për të shitur pak perime dhe 2 a 3 litra qumësht.
“Nuk mund ta gjykosh keq një nënë, se e vetmja gjë që ajo mendon, është një ardhme më e mirë për fëmijën e saj” thotë ajo.
“Ne kemi vendosur ta ndalim këtë fenomen, që na shqetëson vërtet” thotë për AFP, Rovena Voda, zv.ministre e Brendshme, që e njeh realitetin e fëmijëve që udhëtojnë jashtë të pashoqëruar nga prindërit.
Shifrat e Eurostat tregojnë se destinacioni kryesor i shqiptarëve të parë që kërkuan azil ishte Gjermania. Por Franca u bë tërheqëse në fillim të vitit 2017.
Më shumë se 4 mijë qytetarë shqiptarë kërkuan azil në Francë në 6 muajt e parë të këtij viti, sipas Aida Hajnaj, Drejtoresha e Kufirit në Polici.
Muajin e kaluar, Ministri i Brendshëm, Zherar Kolomb e përshkroi fluksin “një problem thelbësor”, që duhej zgjidhur sa më parë.
Kujdesi i autoriteteve franceze për azilkërkuesit shqiptarë vazhdon deri kur kërkesa e tyre merr një përgjigje-por ndërkohë ata përfitojnë një pjesë të mirë të kapaciteteve që kanë francezët. Në anën tjetër janë edhe azilkërkuesit që vijnë nga vendet e shkatërruara nga lufta.
Franca ka një avantazh të rëndësishëm në sytë e aplikantëve: ngadalësia e procedurave, thonë burime nga policia shqiptare.
Koha për të marrë përgjigje mund të zgjasë deri në një vit. Kjo kohë shfrytëzohet prej tyre për të kaluar në Britaninë e Madhe, shkruan AFP.
Kërcënimet e Parisit dhe Berlinit për rikthim të vizave ndaj Shqipërisë duket se ka vënë para përgjegjësisë autoritetet shqiptare. Gjatë takimit që Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati pati me Kolomb në Korrik u prezantua “një plan, që do të sjellë rezultate brenda tre muajsh, për emigrimin e paligjshëm”, shprehet Voda.
Plani parashikon kontrolle më të forta ndaj atyre që ikin, sidomos për të parandaluar emigrimin e të miturve të pashoqëruar. Qëllimi tjetër është goditja e rrjeteve kriminale të trafikut.
Policia shqiptare “po heton agjensi, kompani ligjore, shoqata apo zyra regjistrimi që shesin dëshmi të falsifikuara për azilkërkuesit” sipas Vodës.
Nga Janari në Maj, 1083 qytetarë u riatdhesuan pasi u zbuluan me dokumenta të falsifikuara nga autoritetet francize.
Sipas policisë, për të vërtetuar se jeta e tyre është në rrezik, ka raste që azilkërkuesit shpërthejnë mjetet e tyre me eksploziv para shtëpive të tyre.
Një mënyrë tjetër është dëshmia se ata janë viktima të mundshme të hakmarrjes, të rrezikuar nga zakonet shqiptare të gjakmarrjes.
Konfliktet për pronën, diskriminimi seksual dhe dhuna në familje janë një sërë arsyesh të tjera që paraqesin shqiptarët për të kërkuar azil.
Janë prindër si Bukuria, që shpesh detyrohen të organizojnë vetë largimin e fëmijëve të tyre nga shtëpia.
Në vitin 2016, më shumë se 500 fëmijë të pashoqëruar shqiptarë u regjistruan në Francë, sidomos në lindje të vendit.
Por prindër “që mendojnë se po i çojnë fëmijët e tyre drejt një të ardhmeje më të mirë… nuk e kuptojnë se një pjesë e tyre bien pre e trafikantëve” thotë Alan Bushon, drejtues i një shoqate në një qytet në lindje të Francës, në qytetin e Bourg-en-Bresse.
Trafikantët “i detyrojnë ata të prostituohen apo të lypin” thotë Bushon./laps.al/
Për të luftuar këtë fenomen, autoritetet shqiptare gjithashtu marrin parasysh veprimet kriminale të prindërve, thotë zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda.
Në Maj, 44 vjeçarja Miranda Locka, u dënua me 4 muaj burg, që iu konvertua në 18 muaj liri me kusht, sepse braktisi fëmijën e saj në Gjermani.
Por megjithë këto përpjekje për ta ndalur emigrimin: një studim i Gallup doli në përfundimin se 56% e shqiptarëve duan të ikin nga vendi i tyre nëse i jepet një shans/arbresh.info/
Biden garanton se do të ketë transferim paqësor të pushtetit
Dafina Zeqiri me bashkëpunim të ri, projekti muzikor titullo...
Edhe PDK-ja dërgon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publik...
Gjesti ia shpreh Xhenetës një dëshirë të çuditshme
Rritja e përdoruesve të drogave në Ferizaj nxit alarmin për ...
Avokati: Procesi i Hagës mund të përfundojë kah fund i vitit...