Karabinierët në Itali kanë asgjësuar në ditët e fundit një linjë të trafikut të drogës që menaxhohej nga dy familje shqiptare në veri të vendit fqinj.
Ka qenë një hetim disamujor i autoriteteve lokale, të koordinuara nga prokuroria e lokalitetit Bursto Arsicio, që është finalizuar me 10 persona të arrestuar.
Fillimisht, në prillin e kaluar uniformat blu kanë vënë në pranga 37-vjeçarin shqiptar Dorian Daja, një grosist që lëvizte sasi të mëdha droge, kryesisht kokainë dhe heroinë.
Nga gjurmimi i tij autoritetet kanë zbuluar se vetëm në një muaj Daja kishte lëvizur kokainë me vlerë 630 mijë euro, ndërsa në 8 muaj sasi me vlerë 2 milionë e 374 mijë euro.
Pasi siguronte kokainë nga Holanda dhe heroinë nga vendet e Ballkanit, 37-vjeçari ua dorëzonte sasitë dy familjeve, të cilat vepronin në lokalitetet Komo, Molano, Areco, Prato, Lenjano dhe Vareze.
Bëhet fjalë për një territor të rajonit të Lombardisë ku çdo muaj lëvizin kuintalë heroinë dhe kokainë të kontrolluar nga ai që mediat italiane e kanë pagëzuar si “karteli shqiptar”.
Dy familjet kishin si bazë një kafene në lagjen Komazina të Milanos dhe vlerën e të ardhurave, që llogaritet deri në 250 mijë euro në muaj, e shënonin rregullisht në një regjistër, tashmë në duart e karabinierëve.
Nga përgjimet e kryera nga karabinierët ka rezultuar se në këtë bar bëheshin rreth 40 dorëzime droge në ditë. Klientët hynin, porosisnin një kafe dhe më pas shpërndarësi u kalonte dozën poshtë tavolinës.
Autoritetet italiane deklarojnë se zona e sipërpërmendur përbën një treg të pasur për konsumimin e lëndëve narkotike e ku grupet kriminale shqiptare janë afirmuar pasi prej vitesh kanë siguruar kanale furnizimi nga Holanda dhe Ballkani.
Përveç kësaj, “ushtria” e konsumatorëve të narkotikëve sa vjen e është më e uritur. Por krahas kësaj, grupet shqiptare që veprojnë në të shpesh herë ndodhen në konflikt mes tyre.
Kështu, më 10 nëntor 2016 dy kushërinjtë Alban dhe Agron Lleshaj, 37 dhe 31 vjeç, u masakruan në makinën e tyre që u godit nga dhjetëra plumba. Për këtë ngjarje karabinierët arrestuan 5 shtetas shqiptarë, por ekuilibrat mbetën të brishtë.
Një tjetër sulm i armatosur u verifikua më 10 janarin e kaluar, kur një 31-vjeçar shqiptar u qëllua me plumb në kokë nga një bashkëkombas, i cili u arrestua.
Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë ra në pranga 33-vjeçari Emiljano Biqmeti për vrasjen e një 24-vjeçari shqiptar, trupi i të cilit u braktis në spitalin e lokalitetit Dezio me dy plumba mbrëmjen e 15 shtatorit.
Vrasja e tij u krye në Çermenate, provincë e Komos, zona më veriore e territorit që po kthehet në fushë beteje mes klaneve shqiptare. /TopChannel/
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...