Ishin në kërkim ndërkombëtar: 4 shtetas ekstradohen nga Italia, Gjermania dhe Franca drejt Shqipërisë

23:44 | 25 Qershor 2022
Trina Galanxhi

4 shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë kapur në Itali, Gjermani dhe Francë. Policia njofton se Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët europianë ka bërë të mundur kapjen në Itali, Francë dhe Gjermani të shtetasve shqiptarë: Bekim Lekaj, Romario Kapidani, Ervis Martini alias Ervis Krasniqi dhe Deivis Jaho.

Ata janë ekstraduar drejt Shqipërisë.

“Në kuadër të bashkëpunimit me homologët italianë, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Italia, shtetasi shqiptar:
Bekim Lekaj, 30 vjeç, banues në Tropojë. Këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër e ka dënuar me 8 vjet, 2 muaj e 10 ditë burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

٠Nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Stuttgart, Gjermani, drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar:
Romario Kapidani, 28 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 8 muaj burgim.

٠Gjithashtu, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Dusseldorf, Gjermani, shtetasi shqiptar:
Ervis Martini alias Ervis Krasniqi, 29 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

٠Në vijim të bashkëpunimit me homologët francezë, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Parisi, Francë, shtetasi shqiptar:
Deivis Jaho, 30 vjeç, lindur në Kamzë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.”, njofton policia.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme