Google ADS

Ish-shoqëruesi i Saimir Tahirit: Punoj në ndërtim jashtë vendit, do kthehem të dorëzohem

23:57 | 2 Korrik 2021
Trina Galanxhi

Ish-shoqëruesi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, 45-vjeçari Paul (Agustin) Deda, ndaj të cilit gjykata ka caktuar masën e “arrestit me burg” për veprat penale të ngritura nga SPAK “trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “grupi i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, ka folur për gazetaren Klodiana Lala.

Deda ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga SPAK, duke thënë se nuk ndodhet prej tre vitesh në Shqipëri, por se do të kthehet dhe do të dorëzohet para drejtësisë shqiptare për të sqaruar gjithë të vërtetën. “Unë nuk ndodhem në Shqipëri prej 3 vitesh. Jam i shokuar nga akuzat, që SPAK ka ngritur ndaj meje. Unë jam një familjar i rregullt dhe do të kthehem për t’u përballur me drejtësinë”, ka thënë ish-shoqëruesi i Tahirit.

INTERVISTA:
Sa vite keni punuar me Saimir Tahirin?

Kam qenë pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit për 3 vite e gjysmë, bashkë me Hekuran Markun, të cilin e kam mik.

A e njihni shtetasin Eltjon Bregu, për të cilin SPAK thotë se ju keni bashkëpunuar për trafikimin e mbi 1 mijë kg hashash?

Eltjon Bregun e njoh si mashtruesin më të madh në Shqipëri, i cili ka përfituar jo vetëm në emrin tim, por edhe të shumë personave të tjerë. Kemi punuar me të në Kombinat. Unë nuk kam e shok dhe nuk kam pasur lidhje direkte me të, por di që më herët ka qenë në burg.

Po me shtetasit Ferhat Ajdini dhe Seferi a keni pasur njohje dhe kontakte, pasi ato janë dy skafistët që kanë dëshmuar kundër jush?

Nuk i njoh dhe as nuk e kam idenë kush janë ata. Ju takon atyre të sqarojnë pozicionin tim dhe të vërtetën. Nuk kam bërë asgjë dhe nuk jam përfshirë në aktivitet kriminal. U tërhoqa nga puna, për shkak të sulmeve që nisën ndaj meje. Unë jam demoralizuar edhe kur u akuzua Tahiri, u shkatërrova. Jam duke punuar në ndërtim jashtë vendit për të siguruar të ardhura për familjen time, pasi jam baba i një djali.

Si i cilësoni akuzat?

Janë akuza të pabaza. Jam i pastër dhe nuk kam bashkëpunuar kurrë me askënd për të trafikuar drogë. Na bënë neve më të fortë se Edi Rama dhe këto janë sulmet për të rënduar pozitën e Saimir Tahirit. Duke përmendur emrat tonë, po shmangin vëmendjen nga zyrtarë policie apo persona të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.

A do t’i dorëzoheni drejtësisë?

Do të dorëzohem të sqaroj pozicionin tim, sepse nuk kam asgjë për të fshehur dhe nuk kam frikë nga askush. Dua të jetoj i lirë në Shqipëri, ku kam kontribuar/ BalkanWeb

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme