Google ADS

Ish-shefi i SHIK’ut në Shqipëri: Ne dhe ushtria ndihmuan UÇK-në për transportin e armëve

21:46 | 7 Tetor 2020
Arbresh.info

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi ka rrëfyer për herë të parë se SHIK i Shqipërisë ka patur rol ndihmës në Luftën e Kosovës sa i përket Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1999.

Në një rrëfim ndryshe ai shprehet se kontributi i SHIK ka qenë në transportin e armëve drejt Kosovës teksa përmend edhe rolin e ushtrisë shqiptare e cila sipas tij ka ndihmuar në luftën e UÇK në këtë drejtim.

Sipas Klosit, një pjesë e armëve bliheshin në Europë dhe në Amerikë, ndërsa SHIK kujdesej që ato të transportoheshin në mënyrë sa më sekrete.

“Nuk kishim kontroll (në gjithë territorin e vendit), por informacion kishim. Nuk mund të na kishte shpëtuar situata që të mos kishim informacion për gjëra kaq të rënda. Nëse quajnë kamp, ku di unë, një dhomë, një shtëpi ku është marrë në pyetje dikush, është tjetër gjë fare. Kurse kampe është shumë e vështirë. Në fillim jam marrë me njohjen e tyre, kush ishin, si, qysh, tek, dhe krijova një ide më të qartë se nuk ishin as terroristë siç pretendohej, që nuk ishin as njerëz që po luftonin për veten e tyre, kishin bërë burgje shumica e atyre që njoha unë në Jugosllavi, në ish-Jugosllavi, ishin njerëz që kishin kaluar më pas në emigracion, po që edhe atje nuk kishin ndenjur në qetësinë që të jep emigracioni, kishin luftuar për të mobilizuar njerëz, për të mbledhur fonde, domethënë kishin bërë goxha unë.

Dhe unë e ndjeva veten me ca njerëz që ishin shumë më përpara se unë në fushën e patriotizmit dhe u ngatërrova dhe unë bashkë me ta. Po e quaj gjithmonë që në kuadrin e detyrës sime. Shërbimi (Informativ) krijoi pastaj reparte, pjesë të vetat që ishin më të lidhur konkretisht.

Pati nga ushtria, reparte të ushtrisë shqiptare që ndihmuan. Por për këtë pjesë nuk duhet të flasim akoma. Kishin detyra të caktuara, ua dhamë, nuk është asnjë sekret, kontributi ynë kryesor qe në transportin”. tha ai.

“Po të armëve, bliheshin në Europë, në pjesën dërrmuese domethënë, ose në Amerikë, edhe në Amerikë janë blerë, kështu që qëllimi ka qenë ky, që ato të transportoheshin sa më sekret, domethënë të mos dilte gjëkundi, të mos fotografoheshin, dhe them që ia dolëm në këtë punë. Kolegu im amerikan më thoshte, ju jeni balerinë e parë, luajeni se nuk do t’iu vijë më ky rast, për historinë e luftës në Kosovë”, tha Klosi ne ABC.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme