Google ADS

Ish-kryeprokurori Llalla reagon ndaj ambasadorit Lu, mungon akuza për arrestimin e Metës

20:28 | 14 Prill 2018
Trina Galanxhi

Pak ditë pasi ambasadori Donald Lu e quajti ish-kryeprokurorin Llalla një njeri të korruptuar dhe armik të reformës në drejtësi, ky i fundit ka reaguar po aq ashpërsisht, duke lënë të hapur përplasjen verbale mes tyre që vijon prej kohësh.

“Unë hedh poshtë në mënyrë kategorike akuzat tinzare për korrupsion të lëshuara kundër meje nga Ambasadori i SHBA-ve Donald Lu, gjatë javëve të fundit. Akuzat e Ambasadorit Lu janë pa bazë dhe do të provohen të pavërteta nëse do të paraqiten përpara çdo gjykate. Përfitoj nga mundësia për të ripërsëritur në mënyrë të qartë dhe të prerë se unë kam mbështetur dhe vazhdoj të mbështes Reformën në Drejtësi në Shqipëri”, e nis reagimin e tij Llalla.

Pasi thotë se shqetësimet e tij karshi reformës kanë patur të bejnë vetëm me ruajtjen e drejtësisë të pakapur nga politika, ish-kreu i akuzës shqiptare akuzon kryediplomatin amerikan të Tiranës deri për dhunim të ligjeve shqiptare.

“Fatkeqësisht, qëndrimi ndaj meje është një tjetër rast në vazhdën e përpjekjeve të vazhdueshme të Ambasadorit Lu për të ndikuar në administratën e drejtësisë në Shqipëri, ndër të tjera duke sulmuar në mënyrë arbitrare të gjithë prokurorët, përfshi prokurorët e ndershëm dhe të devotshëm të cilët rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre për të luftuar trafikun e drogës dhe korrupsionin politik. Sjellja e Ambasadorit Lu është shtrëmbërim i diplomacisë dhe dhunim i hapur i ligjeve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Është momenti që Ambasadori Lu të ndalojë së abuzuari pushtetin e tij duke ndërhyrë në administrimin e sistemit të drejtësisë shqiptare”, shprehet ndër të tjera Llalla.

Interesant në këtë mesazh të tij, është mospërfshirja e pretendimit se Lu i ka kërkuar arrestimin e Metës. /tesheshi.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme