Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka mbështetur idenë e presidentit Hashim Thaçit, i cili kërkoi, të mërkurën nga Shqipëria që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të aplikojnë për nënshtetësinë shqiptare.
Presidenti i Kosovës tha një ditë më parë se aktualisht nuk sheh mundësi tjetër për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës, përveç mundësisë që qytetarët e Kosovës të pajisen me pasaportë shqiptare.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Sali Berisha mendon se dy qeveritë duhet të lidhin një marrëveshje, me të cilën i mundësohet shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, me një formular të marrin nënshtetësinë.
“Përkrah dhe mbështes çdo hap që njëson praktikat e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë. Lidhur me problemin konkret, një qëllim tjetër më madhor duhet të qëndrojë prapa këtij propozimi të drejtë. Është e domosdoshme që dy qeveritë të firmosin, si dy vende të pavarura, por që ndajnë një komb unik, të firmosin marrëveshjen mbi shtetësinë në përputhje me të cilën çdo shqiptar që banon në Shqipëri do të ketë automatikisht me një formular dhe shtetësinë e republikës së Kosovës dhe anasjelltas. Kjo është parashikuar në një vendim të Qeverisë së mëparshme më 2012”, u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri i Shqipërisë bën thirrje që propozimi të merret me seriozitet. Berisha nuk beson që kërkesa e presidentit Thaçi ka për qëllim t’i bëjë presion Brukselit për liberalizimin e vizave.
“Kjo nuk e synon çështjen e Shengenit, por synon vendosjen e një norme kombëtare që është jetike për kombin shqiptar. Pse kanë të drejtë kombet tjera përreth të aplikojnë të drejtën e shtetësisë për qytetarët… Kosova është një nga vendet që ka standardet më të mira sa i përket kritereve dhe kërkesave për heqjen e vizave. Nuk jam njeri që besoj në presione ndaj Brukselit, sepse BE-së nuk mund t’i bëhet presion nga vendet e Ballkanit”, ka deklaruar Berisha në emisionin ‘Magazina’ të Radio Dukagjini.
Miratohet në Kuvend Programi Kombëtar për Integrim Evropian ...
Incidenti në “Car Llazar”, IPK-ja rekomandon suspendimin e d...
Sveçla thotë se bisedoi me Sarrazinin për kontrollin e mallr...
Si të shmangen sëmundjet e trashëguara?
Kadrijaj: Kurti e Gërvalla nuk kanë çka prezantojnë para bas...
Disa të plagosur, përfshirë një fëmijë, nga një sulm rus në ...